Kryeministri Berisha takon Sekretarin e Përgjithshëm i KLD-së së Spanjës, zotin Selso Rodriges
Kryeministri Berisha priti sot në një takim Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Lartë të Drejtësisë së Spanjës, zotin Selso Rodriges.
Kryeministri Berisha, pasi i uroi mirëseardhjen zotit Rodriges, e falënderoi atë për mbështetjen që qeveria spanjolle i ka dhënë Shqipërisë në shumë fusha, veçanërisht për reformën në fushën e drejtësisë.
Kryeministri shprehu vullnetin e palëkundur të qeverisë shqiptare për të ndërmarrë të gjitha masat dhe reformat e nevojshme në fushën e drejtësisë për konsolidimin e pavarësisë së gjyqësorit, efiçencën dhe cilësinë e tij dhe për ta sjellë atë në standardet evropiane.
Kryeministri Berisha theksoi se tashmë mes forcave politike në vend ekziston një klimë pozitive bashkëpunimi për reformën në drejtësi, duke vënë në dukje se së fundi u miratua me konsensus ligji për organizimin e gjyqësorit dhe po punohet për çuarjen përpara të aspekteve të tjera të kësaj reforme shumë të rëndësishme. Kryeministri Berisha theksoi angazhimin e plotë të qeverisë për të ecur përpara me këtë proces, si dhe u shpreh shumë i kënaqur për kulturën e re të bashkëpunimit dhe klimën pozitive që ekziston për reformat e rëndësishme në vend . Kjo kulturë dhe ecja përpara me këto reforma, tha zoti Berisha, është një tjetër tregues dhe garanci për funksionimin e demokracisë në Shqipëri.
Nga ana e tij, Sekretari i Përgjithshëm i KLD-së së Spanjës, zoti Rodriges, e falënderoi Kryeministrin për mikpritjen, ndërsa theksoi se largohet nga Shqipëria me përshtypjet dhe vlerësimet më të mira për ecurinë e reformave, veçanërisht asaj në drejtësi. Ai shprehu kënaqësinë për vullnetin që ekziston mes forcave politike për realizimin e kësaj reforme. Kjo është një reformë shumë e rëndësishme, e cila bën të mundur që sistemi gjyqësor në Shqipëri të arrijë standardet e vendeve perëndimore, tha ai.
Gjithashtu, Sekretari i Përgjithshëm i KLD-së së Spanjës theksoi se përfundimi i reformës në drejtësi dhe i reformave të tjera të rëndësishme në vend, si dhe rezultatet konkrete të tyre, do të luajnë një rol shumë të rëndësishëm për marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO, si dhe për ecurinë e mëtejshme të procesit për anëtarësim të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ai e përgëzoi Kryeministrin Berisha për vendosmërinë dhe arritjet e qeverisë shqiptare, si dhe për frymën e bashkëpunimit.
Zoti Rodriges siguroi se Spanja do të vazhdojë të përkrahë Shqipërinë në këtë drejtim, ndërsa shprehu kënaqësinë që vendi ynë, në këto momente të rëndësishme në prag të marrjes së ftesës për anëtarësim, po ecën i sigurt në rrugën e reformave.