E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha njihet me planin e ri të BERZH-it për financime në Shqipëri

Kryeministri Berisha priti sot përfaqësuesin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, z. Peter Reiniger dhe Drejtorin e kësaj banke për Shqipërinë, z. Daniel Berg.

Në këtë takim, i cili u organizua për të përgatitur vizitën e Presidentit të BERZH-it, z. Lemierre, në muajin prill në Shqipëri, z. Reiniger i prezantoi Kryeministrit Berisha planet e BERZH-it për të rritur numrin e projekteve në Shqipëri, në vendin që ofron potenciale të mëdha dhe klimë biznesi shumë premtuese. Këto plane do të diskutohen dhe vendosen gjatë vizitës së Presidentit të BERZH-it në Shqipëri.

Z. Reiniger i bëri me dije Kryeministrit Berisha se BERZH-i do të vazhdojë kontributin dhe financimin në infrastrukturë, për zgjerimin e aeroportit “Nënë Tereza”-si koncesioni i parë i suksesshëm në Ballkan, për privatizimin e plotë të Albtelecom-it etj.

Duke diskutuar me Kryeministrin Berisha ecurinë e projekteve ekzistuese në Shqipëri, në infrastrukturë, në fushën e energjisë, në porte, aeroport etj, z. Reiniger theksoi se qëllimi kryesor i projekteve të BERZH-it në Shqipëri do të jetë thellimi i mbështetjes me financime të sektorit privat dhe atij bankar.

Energjia është një tjetër fushë ku BERZH-i do të ndërhyjë për linjën e transmetimit Maqedoni- Shqipëri, për hidrocentralet, për privatizimin e shpërndarjes së KESH-it e për rritjen e efiçensës në fushën e energjisë.

Infrastruktura do të jetë gjithashtu një tjetër fushë veprimi për BERZH-in, konkretisht unaza e re e Tiranës.

Pas diskutimeve të gjata, Kryeministri Berisha i falënderoi përfaqësuesit e BERZH-it për mbështetjen e deritanishme që i kanë dhënë Shqipërisë dhe qeverisë shqiptare për suksesin e reformave të saj.

Kryeministri u shpreh entuziast për thellimin dhe intensifikimin e marrëdhënieve të bashkëpunimit mes BERZH-it dhe qeverisë, si dhe vlerësoi propozimet e planit të ri të këtij bashkëpunimi që vë më shumë theksin tek sektori privat, të cilin ai e konsideron si vital dhe drejtues të zhvillimit ekonomik në vend. “Procesi i privatizimit, tha Kryeministri, kërkon mbështetjen e BERZH-it, sepse qeveria shqiptare po punon me përkushtim për finalizimin e saj”.

Më tej, Kryeministri theksoi se financimi i projekteve rajonale, ku rol të rëndësishëm zë Shqipëria, do të përbëjë një mbështetje të fortë për shtimin e ritmeve të zhvillimit dhe bashkërendimin e forcave për zhvillimin ekonomik të rajonit. Ky financim është një sipërmarrje e madhe që do të finalizohet gjatë vizitës së presidentit Lemierre në rajon dhe Shqipëri.

Kryeministri Berisha ka vlerësuar asistencën e BERZH-it edhe në thellimin e reformës së decentralizimit të pushtetit dhe financimin e pushtetit vendor.

Përfëqësuesi i BERZH-it e përgëzoi kryeministrin Berisha për arritjet në këtë drejtim duke theksuar se rruga e ndjekur deri më tani është garanci për suksesin e bashkëpunimit të ardhshëm.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›