Kryeministri Berisha takon Ministrin e Jashtëm të Andorrës Gilbert Saboya Sunye
Kryeministri Berisha priti sot në një takim Ministrin e jashtëm të Andorrës, zotin Gilbert Saboya Sunye.
Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, kryeministri Berisha e uroi atë për sukses të plotë në kryesimin nga ana e Andorës, të Presidencës së radhës së Këshillit e Evropës, e cila do të marrë këtë kryesi pas Shqipërisë.
Ministri i jashtëm Sunye e falënderoi kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë dhe shprehu vlerësimet më të larta të vendit të tij, Andorrës, për kryesimin në mënyrë të shkëlqyeshme e të suksesshme nga ana e Shqipërisë, të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, gjatë 6 muajve të fundit, duke e siguruar që edhe kryesia e Andorrës do të vazhdojë më tej punën për promovimin e mëtejshëm të axhendës së KE.
Gjithashtu zoti Sunye vlerësoi transformimet e jashtëzakonshme që janë shënuar në Shqipëri gjatë viteve të fundit, në të gjitha fushat, duke i uruar kryeministrit Berisha suksese të mëtejshme në përpjekjet e qeverisë shqiptare dhe të Shqipërisë, në veçanti për integrimin evropian.
Kryeministri Berisha e falenderoi Ministrin e jashtëm Sunye për fjalët e ngrohta dhe vlerësimet e shprehura dhe e siguroi se Shqipëria do të vijojë të mbështesë Presidencën e Andorrës në të mirë të objektivave të përbashkëta të Këshillit të Evropës.
Më tej, në takim u rikonfirmua vullneti i përbashkët për thellimin dhe konsolidimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh, duke konsoliduar kuadrin ligjor në këtë kontekst, në fusha të tilla si ajo e turizmit, apo inkurajimit të investitorëve të të dy vendeve, etj.
09/11/2012