Kryeministri Berisha përshëndet konferencën e Këshillit të Europës “Diversity in Europe; a Strength for the Future”
Në përmbyllje të kryesisë shqiptare të radhës e Këshillit të Ministrave të Këshillit të Europës, u zhvillua sot, në Tiranë, konferenca “Diversity in Europe; a Strength for the Future”, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të lartë të KiE-së, të 47 vendeve anëtare të KiE-së, vendeve vëzhguese, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë.
Kryeministri Berisha, duke përshëndetur punimet e konferencës, tha se Shqipëria, edhe pas dorëzimit të kryesisë së saj, do të vazhdojë të bashkëpunojë ngushtë e të japë kontributin e saj në këtë institucion, veçanërisht duke ofruar modelin e saj të tolerancës dhe respektit për besimet e njëri-tjetrit dhe ndaj të tjerëve.
“Ne shqiptarët jemi karakterizuar në histori nga dallime të brendshme, në besimet fetare, në dialekte dhe kemi trashëguar një infrastrukturë pothuaj izoluese. Të gjitha këto nuk na kanë penguar të qëndrojmë sëbashku dhe të punojmë sëbashku për të ardhmen që meritojmë.”
Fjala e Kryeministrit Berisha në konferencë.
“Është një nder e kënaqësi e veçantë për mua t’ju përshëndes shumë përzemërsisht në këtë konferencë, që shënon përmbylljen me sukses të kryesisë shqiptare të Këshillit të Ministrave të Këshillit të Europës.
Ky eveniment zhvillohet në një vit të veçantë, në të cilin Shqiptarët dhe Shqipëria festojnë 100 vjetorin e pavarësisë së vendit. Historia e kombit shqiptar, këto 100 vite, është ndër më të dhimbshmet, por dua t’ju garantoj se është një histori suksesi, pavarësisht nga kaluari, nëpër të cilin kombi ynë kaloi. Ky komb, që 100 vjet më parë ndodhej para alternativës “To be or not to be”, që në një kongres të madh ishte dënuar për të mos qenë dhe një luftë rajonale shpërtheu për të ekzekutuar vendimet e këtij kongresi, sot është anëtar i NATO-s, sot, kryeson institucion më të vjetër demokratik të Europës, Këshillin e Europës dhe ata, që 100 vjet më parë ishin pjesë e disa vendimeve tejet fatkeqe për shqiptarët, sot janë miqtë më të shkëlqyer të vendit e kombit tim. Ata kanë dhënë një kontribut thelbësor që shqiptarët të jenë të lirë kudo që ndodhen, kanë dhënë një kontribut të madh në ndërtimin e vlerave të demokracisë, të bazuar në vlerat e tregut, në integrimin e Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut, Këshillin e Europës dhe mbështesin përpjekjet e saj për integrimin në Bashkimin Europian. Ndaj, në këtë 100 vjetor, ne nderojmë miqtë tanë dhe shprehim mirënjohjen tonë ndaj tyre.
Zonja e zotërinj,
Një falenderim të veçantë shpreh për Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Europës Jagland, kryetarin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës Migno, zyrtarët e tjerë të këtij institucioni, për ndihmën e tyre të çmuar që i dhanë Shqipërisë, në përmbushjen me nder të detyrës së kryesimit në këtë 6 mujor, të këtij institucioni të nderuar e shumë të rëndësishëm. Demokracia ndër më të rejat në Europë e mori këtë kryesim nga demokracia më e vjetër e kontinentit, Britania e Madhe dhe unë dua t’i shpreh falenderimin qeverisë së Madhërisë së Saj, për ndihmën e mbështetjen që na dha, në përmbushjen e detyrimeve tona.
Si kryesi e radhës, ne përcaktuam si objektiva të punës sonë konsolidimin e mëtejshëm institucional të Këshillit të Europës, rritjen e eficencës së veprimtarisë së Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, reformës në përforcimin e demokracisë në nivel lokal e rajonal, si dhe bashkëpunimin me vendet e Afrikës Veriore dhe Mesdheut.
Ne zgjodhëm si moto të kryesisë sonë “Të bashkuar në diversitet”. Ne shqiptarët jemi karakterizuar në histori nga dallime të brendshme, në besimet fetare, në dialekte dhe kemi trashëguar një infrastrukturë pothuaj izoluese. Të gjitha këto nuk na kanë penguar të qëndrojmë sëbashku dhe të punojmë sëbashku për të ardhmen që meritojmë.
Një nga trashëgimitë tona më të shkëlqyera është toleranca fetare. Të dashur miq, ajo që ndonjëherë mund të përbëjë një shqetësim jo zyrtar, për shqiptarët dhe Shqipërinë përbën një krenari të vërtetë, më të madhe, kombëtare. Ne jemi vend multireligjoz dhe kjo na ka dhënë mundësinë t’i faktojmë para së gjithash, vetes sonë, respektin e palëkundur ndaj besimit të njëri-tjetrit, tolerancën e shkëlqyer fetare. Kjo është një trashëgimi shumë pozitive, të cilën shqiptarët e kanë pasur dhe ruajtur edhe në kohëra shumë të vështira.
Njëqind vite, pavarësisht nga të gjitha format e regjimit, shteti shqiptar ka qenë dhe mbetet një shtet laik. Në këtë kontekst, mesazhi për miqtë, për të gjithë ata që kanë një vlerësim për tolerancën e respektin ndërfetar, është se laicizmi i shtetit përbën një kusht themelor, në mënyrë që besimet të mund të jetojnë në paqe dhe harmoni. E vërteta është se ky qëndrim, në Shqipëri nuk është vetëm ndërfetar, por ai ka pasur edhe shprehje të qarta ndëretnike. Në rast se i rikthehemi viteve të Luftës së Dytë Botërore, numri i hebrenjve në Shqipëri, në fund të luftës, krahasuar me fillimin e saj, ishte dhjetë herë më i madh. Qytetarët shqiptarë, por e vërteta është se edhe zyrtarët shqiptarë të atyre viteve, nuk pranuan t’i dorëzojnë pushtuesit, qoftë një qytetar të vetëm hebre. Mbreti i Shqipërisë, pas nisjes së holokaustit në vitin 1933, urdhëroi konsullatat shqiptare të japin pasaporta dhe të lejojnë kalimin e lirë të hebrenjve në territorin shqiptar.
U ndala në këto momente, sepse besoj se këto dallime janë shumë të rëndësishme për t’u kapërcyer. Nuk ka dyshim se garancia më e madhe e kapërcimit të tyre është një rend i bazuar në liritë e të drejtat e njeriut, siç është sot, rendi në botën perëndimore e më gjerë. Por, pavarësisht nga kjo, një dialog e debat i gjerë për këto çështje mendoj dhe besoj se është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe i dobishëm. Asnjëherë nuk duhet të harrojmë nga historia se ideologji të caktuara, se abuzime të caktuara me besimet fetare mund të shërbejnë si bazë e dramave më të mëdha njerëzore. Ndaj, në këtë kontekst, Këshilli i Europës, Aleanca e Qytetërimeve dhe institucione të tjera kanë një mision të madh, për ta zhvilluar e çuar përpara. Diversiteti është gjithnjë në rritje. Një historian i madh Arnold Toynbee, jo krejt pa kundërshti, diku shkruan se qytetërimet vdesin, kur ato vendosin standardet. Beosj se Toynbee e ka fjalën, kur ata nuk pranojnë diversitetin.
Kryesia jonë e radhës vlerësoi angazhimin e Këshillit të Europës dhe të qeverisë britanike, për të bashkëpunuar më ngushtë me vendet e Pranverës Arabe. Si një vend me lidhje miqësore me këto vende, ne përcaktuan në axhendën tonë, një përpjekje për t’i afruar këto vende me Këshillin e Europës dhe institucionet europiane. Pranvera Arabe ishte një zhvillim madhor historik, pavarësisht nga problematika serioze e saj. Kombet e këtyre vendeve u ngritën dhe janë të vendosura të zhvillojnë sistemin demokratik, u ngritën për liritë e të drejtat njerëzore. Bregu tjetër i Mesdheut ka një shans historik, për t’i mbështetur këto vende, për t’ia lehtësuar rrugën e ndërtimit të demokracisë dhe vlerave të tregut. Vendet ish komuniste, që përjetuan një natë të gjatë totalitare, patën avantazhin e madh se ishin të rrethuara nga vende të lira demokratike, që i dhanë atyre një ndihme universale për ndërtimin e institucioneve dhe të shoqërisë së lirë. Kombet e vende të Pranverës Arabe presin me shumë të drejtë dhe duhet të presin që vendet e bregut tjetër të Mesdheut t’i ofrojnë atyre të gjithë mbështetjen e merituar që ato të ecin në rrugën e demokracisë dhe vlerave universale.
Mendoj se Këshilli i Europës ka një rol të pazëvendësueshëm në këtë bashkëpunim. Institucioni, i themeluar mbi lirinë e votës dhe lirinë e të drejtave të njeriut, ka arkivin më të shkëlqyer dhe mundësitë më të mëdha për të ndihmuar këto vende. Këshilli i Europës, me Komisionin e Venecias mund t’u japë këtyre vendeve ekspertizën më të mirë në hartimin e kushtetutave dhe ligjeve demokratike dhe kjo fatmirësisht po ndodh. Këshilli i Europës, nëpërmjet GRECO-s mund t’i ndihmojë këto vende në mënyrë thelbësore, në ndërtimin e institucioneve në luftën kundër korrupsionit. Ndërsa Moneyval i Këshillit të Europës mund t’i ndihmojë ndjeshëm, këto vende, në luftën kundër krimit ekonomik dhe pastrimit të parave. Ky institucion me të gjithë praktikën dhe ekspertizën e tij mund të shndërrohet në një partner të shkëlqyer të vendeve të Pranverës Arabe dhe vendeve të tjera.
Shqipëria dorëzon së shpejti kryesinë e saj, por, të dashur miq, ju garantoj se pavarësisht nga kjo, ne do të bëjmë gjithçka, në mënyrën më modeste, me këto vende mike, që të ndikojmë në bashkëpunimin e tyre me Këshillin e Europës. Në takimet që kemi pasur, disa nga këto vende kanë dëshmuar interes për bashkëpunimin me Shqipërinë, sepse konstatojnë se këtu besimi mysliman mazhoritar nuk përbën pengesë për zhvillimin e demokracisë, bazuar në vlerat e tregut. Unë i garantoj ata se nuk ka asnjë lloj pengese dhe se islami, kjo doktrinë e mahnitshme fetare, është plotësisht i pajtueshëm me liritë e vlerat universale. Ndaj mbetem i vendosur që vendi im të kontribuojë modestish në bashkëpunimin me këto vende mike dhe në bashkëpunimin e tyre me Këshillin e Europës.
Zonja dhe zotërinj,
Dua t’ju falenderoj për organizimin e kësaj konference në Tiranë dhe t’ju siguroj se Shqipëria mbetet e vendosur të bashkëpunojë ngushtë me Këshillin e Europës dhe ajo ka vlerësimin më të madh.
Viti i ardhshëm është vit zgjedhor në Shqipëri. Ndaj dua ta shfrytëzoj këtë tribunë, për të ftuar Këshillin e Europës, vendet anëtare të na nderojnë me dërgimin e vëzhguesve në zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe garantoj se qeveria do të bëjë gjithçka për një proces zgjedhor të lirë e të ndeshëm, të përputhshëm plotësisht me standardet ndërkombëtare. Ju faleminderit.”
09/11/2012