Kryeministri Berisha takon Nënsekretarin e Shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Finlandës, z. Lyra
Kryeministri Berisha priti, sot pasdite, në takim Nënsekretarin e Shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Finlandës, z. Markus Lyra.
Të dy personalitetet vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve dhe u shprehën për forcimin e këtyre marrëdhënieve edhe në të ardhmen, në të gjitha fushat. Zoti Lyra vlerësoi hapat e mëdha dhe progresin e dukshëm që ka bërë Shqipëria në përmbushjen e reformave për integrimin euroatlantik të saj. Ai theksoi se ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në BE dhe se integrimit euroatlantik i Shqipërisë është në rrugën e duhur.
Kryeministri Berisha e njohu Nënsekretarin e Shtetit në MPJ-në finlandeze me reformat e jashtëzakonshme të realizuara nga qeveria shqiptare, duke u ndalur veçanërisht në reformat ekonomike dhe fiskale në vend. Kryeministri tha se qeveria ka ndërmarrë nisma shumë të suksesshme për krijimin e një klime pozitive për investimet, të cilat kanë bërë të mundur thithjen e investitorëve të huaj dhe ndryshimin pozitiv të imazhit të Shqipërisë në botë. Kryeministri përmendi politikën e taksave të ulëta, shmangien e burokracive të panevojshme për sipërmarrësit duke vënë në funksionim prokurimet elektronike, taksat on-line, nismën “Shqipëria një euro”, “one stop shop” për regjistrimin e bizneseve, reduktimin e licencave, etj.
Kryeministri Berisha u shpreh se investitorët finlandez janë të mirëpritur në Shqipëri dhe do të gjejnë mbështetjen e plotë të qeverisë për krijimin e të gjitha lehtësive të nevojshme për suksesin e biznesit të tyre në Shqipëri.
Në takim, Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen e tij dhe të popullit shqiptar për rolin e shkëlqyer dhe kontributin e madh të Presidentit Ahtisaari, si kryenegociator i çështjes së pavarësisë së Kosovës, si dhe për Çmimin “Nobel”, të marrë prej tij së fundi.
Kryeministri Berisha dhe Nënsekretari i Shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Finlandës Lyra diskutuan edhe për zhvillimet në rajon.
28/10/2008