E Diel, 1 Nëntor 2026

Fjala e Kryeministrit Berisha në ceremoninë e inaugurimit të kompleksit të ri arsimor “Turgut Özal”

 "Sot, është një ngjarje e madhe për Tiranën dhe mbarë Shqipërinë. Sot, inauguruam kompleksin më të madh arsimor, të ndërtuar në Shqipëri gjatë këtyre 20 viteve nga sektori privat. Kompleksi i ri ndërtohet nga investitorët turq, miq të Shqipërisë dhe shqiptarëve, duke çuar në mbi 830 milion euro investimet e Turqisë, të këtij vendi mik, në Shqipëri. Inaugurimi i këtij kompleksi është një rast për t’i shprehur mirënjohjen e thellë Presidentit të kolegjeve “Gülistan”, i cili erdhi në Shqipëri si dallëndyshe e parë e shkollave private, i besoi vendit tonë dhe ka sot veprimtarinë më të madhe në arsimin privat në Shqipëri. Në këtë kompleks janë investuar 14 milion euro. Projekte edhe më të mëdha, ky grup ka për universitetin Epoka, për të cilin presidenti më informoi se ka blerë të gjithë truallin për një kampus modern të këtij universiteti.

Unë dua t’ju garantoj ju dhe të gjithë investitorët privatë në arsim se qeveria që unë drejtoj vlerëson me mirënjohje të thellë investimet tuaja në këtë fushë, i konsideron ato si më të rëndësishmet ndër të gjitha fushat e tjera. Në rast se gjatë këtyre tre viteve, me revolucionin tonë të fortë fiskal, ne ju kemi lehtësuar pa asnjë diskriminim, barrën fiskale, më shumë se çdo vend tjetër në Europë, qeveria është e vetëdijshme se ndaj jush është e domosdoshme të adaptohet një qëndrim i diferencuar. Pas konsolidimit të kuadrit fiskal, të parët që do të përfitojnë bonuse apo përjashtime do të jenë ata që do të investojnë në arsimimin e fëmijëve shqiptarë.

Unë dua të garantoj qytetarët shqiptarë se do të bëjmë të gjitha përpjekjet për të mobilizuar fonde financiare maksimale për shkollimin e fëmijëve të tyre. Dhe këtu një rëndësi të madhe merr sektori privat. Më lejoni t’ju kujtoj një të dhënë. Aq  para sa qarkullojnë në një vit të gjitha qeveritë e botës, jo më qeveria shqiptare që është më modestja, sektori privat i qarkullon në një orë. Ndaj ne duhet të bashkëpunojmë ngushtë me ju, t’ju inkurajojmë, sepse prindërit e 4200 fëmijëve këtu janë taksapagues. Arsimit privat, që është shumë ngushtë i lidhur me interesin publik, i takon edhe një trajtim i veçantë fiskal, që ne do ta bëjmë.        

Reforma në arsim konsiderohet dhe duhet të konsiderohet reformë e të gjitha reformave. Asgjë nuk përcakton më shumë të ardhmen, sesa kjo reformë. Për një vend të vogël si Shqipëria, nëse ka një fushë ku ajo mund të ecë me shpejtësi dhe sukses të madh, është arsimi. Historia e zhvillimit të arsimit dëshmon se edhe vende të vogla mund të dalin në krye, për sa i përket cilësisë së edukimit. Ndaj ne do të bëjmë çdo përpjekje për të ndjekur standardet më të mira, për të gjetur rrugët më të sigurta që sistemi edukimit shqiptar të njohë progres të madh.

Universiteti Epoka i bashkëngjitet universiteteve të tjera të vendit. Më duhet të pohoj se qeveria ka arsye të krenohet me rezultatet e reformës arsimore dhe një nga rezultatet më spektakolare është mbidyfishimi i numri të studentëve. Ne kemi gjetur 52 mijë studentë dhe këtë vit kemi mbi 110 mijë. Një përqindje në rritje e përballojnë universitetet private. Ne nuk po bëjmë gjë tjetër, veçse po përpiqemi të arrijmë standardet e vendeve të BE-së, ku duam të integrohemi. Ne kemi pasur 14 studentë për 1 mijë banorë, mesatarisht ka 40 studentë për 1 mijë banorë, kemi rritur në 30 studentë për 1 mijë banorë dhe do ta çojmë në 50 studentë për 1 mijë banorë, pasi jemi komb i ri. Në këtë mënyrë, ne ecim drejt rritjes së përqindjes së popullatës me arsim të lartë.

Në mënyrë anakronike, dëgjoj të shpallen universitetet si rezervat i të papunëve. Nuk ka koncept më primitiv se ky. Madje kërcënohet me njohjen e diplomave. Këto janë qëndrime anakronike. Universitete janë rezervate të elitës së kombit, janë shtretërit e ngrohtë të mendimit intelektual të kombit. Unë ju jap fjalën se në formimin e elitës, në fondin  ekselencës, në fondin e “Brain gain”, universitetet private do të kenë të njëjtin trajtim me ato publike. Prandaj i kërkoj universitetit Epoka dhe universiteteve të tjera të rekrutojnë djemtë e vajzat më të shquara shqiptare, ftoj pedagogët e universitetit Epoka të aplikojnë për doktorata në universitetet më të mira dhe qeveria do t’i përgjigjet atyre kundrejt kontratës që ata do të bëjnë me presidentin e shkollës, njësoj siç do të bëjnë pedagogët me rektorin e universiteteve publike. Të mendosh se universitetet janë rezervate të të papunëve, do të thotë të të mungojnë konceptet më elementare të punës dhe të punësimit, të luftës kundër varfërisë. Është katërcipërisht e provuar se shanset për punësim të të arsimuarve me shkollë të lartë në çdo skaj të botës janë dy herë më të mëdha, sesa të atyre me shkollë të mesme. Gjithashtu shkollimi është i njohur si një nga rrugët më efikase dhe të qëndrueshme të luftës kundër varfërisë. Edhe në këtë kontekst, universiteti Epoka dhe universitete të tjera private, liberalizimi i universiteteve është një mekanizëm i fuqishëm për t’u shkëputur nga varfëria.

Sfida e universiteteve shqiptare është cilësia dhe ajo kërkon përqendrim të madh. Kjo është e vërtetë si për universitetet publike, ashtu edhe për to private. Sikundër edhe për çdo institucion që duhet të performojë gjithnjë e më mirë. Është tërësisht e palejueshme të paragjykosh, madje është shumë e dëmshme të nxjerrësh konkluzione mbi paragjykimin. Do të bëhet rating-u dhe këtij vlerësimi do t’i nënshtrohen të gjitha universitetet. Ndaj unë inkurajoj dhe mirëpres pjesëmarrjen e sektorit privat në arsim. Pres me padurim që qeveria ime të mund të marrë sa më shpejt vendime për të lehtësuar barrën fiskale të arsimit privat në Shqipëri, për të rritur me shpejtësi peshën e këtij sektori në shkollimin e fëmijëve shqiptarë. Ju siguroj se rruga dhe reformat në këtë drejtim do të jenë një nga shtyllat kryesore të programit të të 4 viteve që vijnë, në rast se shqiptarët mençurish zgjedhin vazhdimin e kësaj rruge.

Suksese dhe urimet më të mira.”


28/10/2008

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›