E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takon drejtuesit e Qendrës Spitalore italiane “Bambin Gesu”

Kryeministri Berisha priti sot një përfaqësi të Qendrës Spitalore prestigjoze italiane “Bambin Gesu’”, të kryesuar nga Presidenti i saj, Dr. Giuseppe Profiti.

Në këtë takim, ku merrte pjesë dhe Ministrja e Shëndetësisë, zonja Anila Godo, Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen e thellë për ndihmën që kjo qendër spitalore ka dhënë nëpër vite për kurimin dhe trajtimin mjekësor të shumë fëmijëve shqiptarë, bazuar në një traditë tashmë të konsoliduar bashkëpunimi, si dhe për mbështetjen që ekipi mjekësor i kësaj qendre ka dhënë dhe vazhdon të japë në përgatitjen dhe trajnimin e mjekëve shqiptarë.

Presidenti i Qendrës Spitalore italiane, “Bambin Gesu’”, Dr. Giuseppe Profiti përcolli përshëndetjet e ngrohta të autoriteteve më të larta ekleziastike të Vatikanit, të cilat mbështesin Qendrën Spitalore si dhe falënderoi Kryeministrin Berisha për mbështetjen ndaj projekteve të tyre, duke theksuar se bashkëpunimi me Shqipërinë do të vazhdojë për të ndihmuar në kurimin e fëmijëve por edhe për të përkrahur zhvillimin dhe modernizimin e spitaleve tona, në mënyrë që më pas këta fëmijë të mund të kurohen plotësisht në Shqipëri.

Kryeministri Berisha u shpreh se Shqipëria është në një moment të reformimit rrënjësor të sistemit shëndetësor, i cili ka trashëguar mjaft probleme serioze dhe është një fushë mjaft e vështirë, por qeveria shqiptare mbështet plotësisht përpjekjet e Ministrisë së Shëndetësisë për të modernizuar dhe zhvilluar sistemin tonë shëndetësor.

Presidenti i Qendrës Spitalore italiane, “Bambin Gesu’”, Dr. Giuseppe Profiti u shpreh se admironte forcën, largpamësinë dhe vullnetin personal të Kryeministrit Berisha dhe të qeverisë së tij për të ndryshuar rrënjësisht gjërat dhe se Qendra Spitalore “Bambin Gesu’” do të ishte pranë mjekësisë shqiptare me asistencë, trajnim, kurim dhe teknologji të lartë në fushën e mjekësisë.


28/10/2008

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›