Kryeministri Berisha: Inkurajojmë zgjerimin e sektorit privat në arsim dhe do të lehtësojmë barrën fiskale për të
- “Shkollimi është një nga rrugët më efikase dhe të qëndrueshme të luftës kundër varfërisë.”
Kryeministri Berisha ishte sot i pranishëm në ceremoninë e inaugurimit të kompleksit të ri arsimor të kolegjit “Turgut Özal”, një investim privat i investitorëve turq me vlerë 14 milion euro.
Kryeministri Berisha veçoi si një nga rezultatet më spektakolare të reformave në sistemin arsimor mbidyfishimin e numrit të studentëve, duke siguruar se reformat mbeten prioritet për arritjen e standardeve më të mira.
“Qeveria ka arsye të krenohet me rezultatet e reformës arsimore dhe një nga rezultatet më spektakolare është mbidyfishimi i numri të studentëve. Ne kemi gjetur 52 mijë studentë dhe këtë vit kemi mbi 110 mijë. Një përqindje në rritje e përballojnë universitetet private. Ne nuk po bëjmë gjë tjetër, veçse po përpiqemi të arrijmë standardet e vendeve të BE-së, ku ne duam të integrohemi.”
Duke e konsideruar këtë kompleks, investimin më të madh privat gjatë këtyre 20 viteve në arsim, Kryeministri Berisha tha se qeveria do të inkurajojë zgjerimin e sektorit privat në arsim dhe do ta mbështesë arsimin privat edhe nëpërmjet një trajtimi të veçantë fiskal.
“Në rast se gjatë këtyre tre viteve, me revolucionin tonë të fortë fiskal, ne ju kemi lehtësuar, pa asnjë diskriminim, barrën fiskale, më shumë se çdo vend tjetër në Europë, qeveria është e vetëdijshme se ndaj jush është e domosdoshme të adaptohet një qëndrim i diferencuar. Pas konsolidimit të kuadri fiskal, të parët që do të përfitojnë bonuse apo përjashtime do të jenë ata që do të investojnë në arsimimin e fëmijëve shqiptarë,” u shpreh Kryeministri.
Kryeministri Berisha e konsideroi anakronike dhe primitive konceptin, sipas të cilit, universitetet shihen si rezervat i të papunëve.
“Në mënyrë anakronike, - u shpreh Kryeministri - dëgjoj të shpallen universitetet si rezervat i të papunëve. Ky është një koncept primitiv. Madje kërcënohet edhe me njohjen e diplomave. Këto janë qëndrime anakronike. Universitetet janë rezervate të elitës së kombit, janë shtretërit e ngrohtë të mendimit intelektual të kombit. Unë ju jap fjalën se në formimin e elitës, në fondin ekselencës, në fondin e “Brain gain”, universitetet private do të kenë të njëjtin trajtim me ato publike.”
Kryeministri Berisha e vlerësuar shkollimin si një nga rrugët më efikase dhe të qëndrueshme të luftës kundër varfërisë.
28/10/2008