E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha, folës nderi në drekën me senatorë, kongresmenë, liderë shtetesh dhe personalitete botërore

Dje në mesditë, Kryeministri Berisha mori pjese dhe përshëndeti si i ftuar nderi, në drekën e organizuar nga komiteti organizator i Mëngjesit të Lutjeve, me pjesëmarrjen e 1200 të ftuarve, kongesmenë, senatorë, zyrtarë të lartë të administratës amerikane, zyrtarë të lartë të shteteve të ndryshme, figura ndërkombëtare të shkencës e kulturës, etj..

Kjo drekë, si një aktivitet që i paraprin Mëngjesit të Lutjeve, shërben si një mënyrë për njohjen dhe bashkëpunimin e figurave të larta dhe drejtuesve të shteteve dhe administratës.

Me këtë rast Kryeministri Berisha ishte i ftuar në panelin e nderit të kësaj dreke madhështore, duke mbajtur me këtë rast një fjalë përshëndetëse për të pranishmit.

Në frymën e kësaj dreke tepër miqësore, Kryeministri Berisha u ndal tek vlerat e kombeve, paqja dhe bashkëpunimi, pajtimi dhe e ardhmja.

“Së pari, për mua është një rast i madh t’i drejtoj përpara kësaj audience të nderuar, mirënjohjen time më të thellë komitetit organizator, për ftesën që më kanë bërë për të marrë pjesë në këtë  aktivitet vërtet madhështor. Është gjithashtu një nder i madh për mua t’ju shpreh mirënjohjen time më të thellë të gjithë juve, anëtarë të Kongresit amerikan, administratës amerikane, si dhe përfaqësues të vendeve të ndryshme që keni mbështetur kaq shumë vendin tim, gjatë rrugës e përpjekjeve të tij për të ndërtuar një shoqëri të lirë”, tha në fillim të përshëndetjes së tij, Kryeministri Berisha.

Duke u ndalur tek historia e dhimbshme e kombit shqiptar, Kryeministri Berisha shtoi se “si një nga kombet me të vjetra në kontinent, ai është ballafaquar me shumë, shumë vështirësi. Historia e tij ka qenë historia e mbijetesës. Ka vuajtur shume pushtime, diktatura të tmerrshme. Sapo fituam lirinë, ne filluan të lëvizim në drejtimin të hapësirës së lirisë. Ishte ndihma dhe mbështetja juaj që theu kufijtë dhe e ktheu vendin tim në drejtimin që ai ka tashmë drejt demokracisë”.

Më tej, Kryeministri Berisha u shpreh se kombet tona karakterizohen nga diversiteti etnik, por kjo ka shërbyer për të nxitur më tej tolerancën dhe pajtimin si vlera universale.

Duke vazhduar më tej në përshëndetjen e tij, Kryeministri Berisha i njohu shkurtimisht pjesëmarrësit me vuajtjet e kombit shqiptar nën pushtimet më të egra dhe më të gjata, si dhe nën një nga diktaturat më të tmerrshme në kontinent. “Kur u zgjodha President i vendit në fillim të viteve ’90, - tha z. Berisha - paga ishte vetëm 16 dollarë në muaj. Vetëm pak vite më parë, në 1990, Shqipëria ishte vendi i katërt më i varfëri në planet.” “Por, - tha Kryeministri Berisha në mbyllje - falë lirisë, përkushtimit dhe vullnetit, ne tani jemi një Shqipëri krejtësisht ndryshe”.

Më pas moderatori i takimit, vlerësoi thellësisht fjalën e Kryeministrit Berisha, e cila u shoqërua nga duartrokitje dhe vlerësime të të pranishmëve.


05/02/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›