E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takon ministrin e mbrojtjes së Turqisë, zotin Ismet Yilmaz

Kryeministri Beriha priti sot në një takim ministrin e mbrojtjes së Turqisë, zotin Ismet Yilmaz dhe delegacionin që e shoqëronte. Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, Kryeministri Berisha e vlerësoi vizitën e ministrit turk, si një kontribut i ri, i jashtëzakonshëm, në forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera e miqësore mes dy vendeve.

Nga ana e tij, Ministri i Mbrojtjes turk  e falenderoi Kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë dhe miqësore dhe i përcolli atij përshëndetjet më të përzemërta të Kryeministrit turk Erdogan dhe të gjithë autoriteteve të larta të Turqisë mike, si dhe shfrytëzoi rastin për ta uruar Kryeministrin Berisha për 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë dhe atmosferën e jashtëzakonshme të festimeve që u mbajtën në Tiranë për këtë jubilar historik.

Në takim u vlerësua miqësia e ngushte tradicionale, lidhjet e panumërta midis dy kombeve  dhe marrëdhëniet e shkëlqyera midis të dy vendeve e qeverive të cilat reflektohen edhe ne bashkëpunimin e suksesshëm  në shumë fusha midis të dy vendeve.

Kryeministri Berisha e falenderoi me mirënjohje zotin Ismet Yilmaz për mbështetjen e pakursyer dhe ndihmën bujare e shumë të çmuar që Turqia mike i ka dhënë dhe vijon ti japë Shqipërisë si në sektorin e mbrojtjes ashtu edhe në shumë fusha të tjera.

Ministri turk Yilmaz e risiguroi Kryeministrin  Berisha se Turqia do të vijoje të jetë mbështetëse dhe bashkëpunëtore  e ngushtë  e Shqipërisë, të cilën e konsideron si një partnere, aleat strategjik në dobi të paqes, bashkëpunimit e miqësisë në Evropën Juglindore.

Në takim u  vlerësuan veçanërisht interesi i jashtëzakonshëm dhe gjithnjë në rritje i investitorëve turq për të investuar në Shqipëri, si dhe suksesi i një sërë kompanish serioze turke, të cilat janë tashmë të pranishme në tregun shqiptar, sukses ky si për vetë këto firma, ashtu edhe për Shqipërinë.Në këtë kontekst, sektorët si ai i bujqësisë, turizmit, mjedisit, sektori bankar, shkëmbimeve tregtare, por edhe ai i mbrojtjes u vlerësuan si fusha me potenciale të rëndësishme për zgjerimin dhe bashkëpunimin e mëtejshëm mes dy vendeve.

Ndër të tjera, në takim u diskutua gjithashtu edhe për zhvillimet në rajon ku u shpreh keqardhja, qe megjithëse regjimi i Asadit e ka humbur tashmë legjitimitetin e tij, për shkak të akteve të dhunës brutale, gjakderdhjes dhe akteve çfarosëse ndaj popullit të vet, komuniteti ndërkombëtar ende nuk ka treguar vendosmëri efektive për të ndalur dhunën ndaj popullsisë së pafajshme civile.


07/02/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›