Kryeministri Berisha takon ambasadorin e Arabisë Saudite në Tiranë, zotin Abdullah Al-Abdulkerim.
Kryeministri Berisha priti sot në takim ambasadorin e Mbretërisë së Arabisë Saudite në Tiranë zotin Abdullah Al-Abdulkerim. Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, Kryeministri Berisha e falënderoi me mirënjohje zotin Abdullah Al-Abdulkerim dhe përcolli përmes tij përshëndetjet më të përzemërta dhe mirënjohjen më të thellë ndaj Lartësisë së tij, Mbretit Abdullah bin Abdul Aziz Al Saud, Kujdestarit të dy Xhamive të Shenjta, për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ana e Arabisë Saudite. Kryeministri Berisha vlerësoi aktin e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Arabia Saudite si një kontribut shumë të madh në shërbim të paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit perëndimor dhe si një rikonfirmim të miqësisë së ngushtë midis dy kombeve.
Ambsadori i përcolli Kryeministrit Berisha një mesazh të mbretit Abdullah bin Abdul Aziz Al Saud drejtuar personalisht Kryeministrit Berisha, në përgjigje të mesazhit që Kryeministri i kishte dërguar mbretit Abdullah bin Abdul Aziz Al Saud nëpërmjet ministrit të jashtëm Basha, gjatë vizitës së tij në Riad.
Përmes mesazhit të tij, Kujdestari i dy Xhamive të Shenjta, mbreti Abdullah bin Abdul Aziz Al Saud, i përcjell Kryeministrit Berisha përshëndetjet më të përzemërta dhe i shpall angazhimin dhe interesimin e tij personal e të plotë, për të punuar bashkërisht për t’u hapur rrugën investitorëve të rëndësishëm e seriozë të Arabisë Saudite për të investuar në Shqipëri. Lartësia e Tij Mbreti Abdullah i shpreh Kryeministrit Berisha dëshirën e tij për krijmin e një bordi të përbashkët për të diskutuar mënyrat dhe mjetet për forcimin, rritjen dhe intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve, në interes të së mirës reciproke të dy popujve.
13/05/2009