E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takon ambasadorin e Zvicrës në Shqipëri, zotin Alexander Twitter, me rastin e marrjes së detyrës

Kryeministri Berisha priti në takim, ambasadorin e Zvicrës në Shqipëri, zotin Alexander Twitter, me rastin e marrjes së detyrës.

Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, Kryeministri Berisha i shprehu Ambasadorit Twitter mirënjohjen e tij dhe të qeverisë shqiptare, për mbështetjen e vazhdueshme dhe ndihmën e çmuar, që Zvicra i ka ofruar Shqipërisë gjatë kësaj periudhe, në shumë fusha. Në këtë kontekst u vlerësua veçanërisht kontributi i zyrës së Bashkëpunimit  Zviceran për Zhvillim në realizimin me sukses të një sërë projekteve të rëndësishme në Shqipëri.

Ambasadori Twitter, ndërsa e falenderoi përzemërsisht Kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë i përcolli atij përshëndetjet e autoriteteve më të larta të vendit te tij dhe urimet më të mira për jubileun historik që  Shqipëria festoi gjatë nëntorit që shkoi, 100 vjetorin e pavarësisë.  Ambasadori Twitter u shpreh se ndihet veçanërisht i lumtur që merrte këtë detyrë në Shqipëri dhe i pohoi Kryeministrit Berisha gatishmërinë e plotë të tij, për të punuar për ti konsoliduar edhe më tej marrëdhëniet e shkëlqyera midis të dy vendeve e qeverive, si dhe për të zgjeruar e thelluar bashkëpunimin e frytshëm në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë për  të dy vendet e popujt miq.

Në takim u diskutua mbi interesin gjithnjë e në rritje i investitorëve zviceranë për të përfituar nga potencialet e mëdha që ekzistojnë në Shqipëri dhe klima e favorshme për biznes e investime që qeveria shqiptare ka krijuar në vend, duke investuar në fusha të ndryshme për të shënuar histori të suksesi  për  ta dhe për Shqipërinë.  Sikundër u vlerësua rritja e ndjeshme në vitet e fundit e preferencës së turistëve zviceranë e atyre europianë për të vizituar Shqipërinë, si një nga pikat më atraktive për turizëm në Europë e më gjerë.

Sektorë si  i energjisë hidrike e te rinovueshme, sistemit bankar, turizmit, infrastrukturave etj. u konsideruan si fusha reale për zgjerimin e bashkëpunimit në të ardhmen.


16/01/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›