E Diel, 1 Nëntor 2026

Raportet ndërkombëtare tregojnë se imazhi i Shqipërisë po ndryshon me shpejtësi

Në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Kryeministri Berisha solli në vëmendje vlerësimet pozitive të institucioneve dhe raporteve ndërkombëtare për reformat në Shqipëri, duke nënvizuar se këto raporte tregojnë se imazhi i Shqipërisë po ndryshon me shpejtësi.

“Në dhjetëditëshin e parë të muajit shtator të këtij viti, raporti “Të bësh Biznes” do të rendiste  Shqipërinë në vendin e dytë në botë për reformat në fushën e tregut dhe do të tregonte se Shqipëria la pas 169 vende për sa i përket garancisë së investimeve, 167 vende për sa i përket kreditit të ekonomisë, 164 vende për koston dhe kohën e regjistrimit të biznesit dhe se Shqipëria merr 96 pikë, nga 100 pikë të mundshme për liritë fiskale”, tha Kryeministri.

Gjithashtu, vijoi Kryeministri, edhe Transparency International do të faktonte se Shqipëria renditet në 10 vendet më të suksesshme në botë për luftën kundër korrupsionit dhe renditet e para në Ballkan për këtë luftë, duke lënë pas, krahasuar me vitin 2005, rreth 50 vende. Në rast se në vitin 2005 ajo renditej në 1 nga vendet më të korruptuara të botës, sot ajo ka lënë pas 95 vende të tilla dhe po ecën pozitivisht.

“Edhe raporti i “Freedem House” tregoi se Shqipëria ka  një përmirësim të ndjeshëm  të treguesve të lirisë dhe se është vendi i cili respekton më shumë institucionet e pavarura, ose që ka bërë më shumë për pavarësinë e tyre, në Ballkan. Ishte raporti për shtypin e lirë që tregonte se Shqipëria është spostuar nga renditja në fundin e botës për këto çështje dhe ka lënë pas mbi 100 vende”, tha Kryeministri.

Të gjitha këto, theksoi Kryeministri Berisha, janë arritje të mëdha, por, mbi të gjitha, janë inkurajim i madh për të vazhduar me vendosmëri këtë program. “Në rast se ne kemi lënë pas 95 vende në luftën kundër korrupsionit, kemi para 84 vende që duhet t’i parakalojmë. Ne kemi përcaktuar si objektiv të arrijmë 20 vendet e para. Kjo nuk arrihet për një vit, as për dy vjet, por mbetet objektiv i arritshëm, duke kapur hapa pas hapi standardet e tyre. Në këtë mënyrë, ne arritëm të vendosemi në vend të 14 dhe në vend të 12 në botë, për kreditet dhe mbrojtjen e investitorëve”, tha Kryeministri.

Por Kryeministri u ndal edhe në problematikat aktuale dhe vështirësitë që duhen kapërcyer, duke iu referuar faktit që Shqipëria renditet vendi i 176 për sa i përket problematikave në lejet e ndërtimit. “Unë jam i vetëdijshëm se ende është një rrugë e gjatë për t’u bërë, një punë e madhe gjithashtu, por që mund të bëhet”, tha ai.

Kryeministri siguroi se tashmë rruga e reformave është më e lehtë, sepse në të gjitha fushat e zhvillimit ka lëvizje, ka progres.

“Tashmë kemi një Shqipëri krejt tjetër, të ndryshuar, ndaj ne u kemi besuar reformave, u besojmë atyre dhe do të vazhdojmë me to. Reformat janë motoja jonë. Edhe reforma të tjera të mëdha po ecin para, reforma zgjedhore, etj, sepse ekziston një vullnet i hekurt për ndryshimin e vendit”, vijoi Kryeministri.

Kryeministri Berisha tha se jehona e këtyre reformave është jashtëzakonisht pozitive dhe ka marrë përmasa botërore, duke iu referuar edhe vizitës së Zëvendëskryeministrit, z. Genc  Pollo, në Kanada dhe vlerësimet e marra nga Kryeministri kanadez për këto reforma.

* * *

Fjala e plotë e Kryeministrit Berisha në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike

“Kryefjala e zhvillimeve të kësaj jave është firmosja në Shtëpinë e Bardhë, nga Presidenti Xhorxh W. Bush, e Protokollit të Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Dua të theksoj edhe njëherë se, pas njohjes së pavarësisë së Shqipërisë nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara, kjo është firma më e rëndësishme, është ngjarja më kulmore në historinë e marrëveshjeve dypalëshe. Kjo firmë ndryshon historinë e shqiptarëve, që, ashtu siç tha dhe Presidenti amerikan, u jep garanci të plota dhe totale lirive së shqiptarëve. Në rast se ndokush do të cenojë këto liri, Presidenti Bush theksoi se ai do të përballet me kombet anëtare të NATO-s, ku vend lider i kësaj Aleance janë Shtetet e Bashkuara.

Firmosja nga Presidenti Bush i ligjit të Senatit amerikan, ishte një besim shumë i madh te Shqipëria dhe shqiptarët. Ishte gjithashtu një vlerësim i jashtëzakonshëm i përpjekjeve të shqiptarëve për të ndërtuar, nga një  regjim monist ekstrem, një shoqëri të lirë e demokratike, shtetin ligjor dhe ekonominë e tregut. Kjo firmë ishte një votëbesim i madh për reformat e kësaj qeverie, të cilat, sipas zëdhënësit të Presidentit Bush,,  kanë sjellë ndryshime të  mëdha, impresionuese, që kanë bërë të mundur këtë akt madhor dhe historik, në marrëdhëniet mes dy vendeve, por edhe realizimin e njërit prej dy projekteve kryesore të kombit tonë, anëtarësimi i Shqipërisë në NATO.

Kjo firmosje është akti i besimit të madh, i vlerësimit të madh, por, është edhe akti i përgjegjësisë së madhe për ne, që në tërë veprimtarinë tonë duhet të bëjmë çdo përpjekje për të konsoliduar  në Shqipëri standarde, norma, kritere dhe praktika të denja për një vend anëtar.

Duke i shprehur mirënjohjen më të thellë Presidentit amerikan, i cili me këtë firmë përmbushi, në një kohë rekord, dy premtimet dhe mesazhet e mëdha që ai përcolli gjatë vizitës së tij në Shqipëri: Kosova e pavarur dhe Shqipëria në NATO, dua ta garantoj atë se ne do të ndërmarrim të gjitha reformat për konsolidimin më tej të demokracisë, të shtetit ligjor dhe të ekonomisë së tregut.

Ne jemi para një procesi zgjedhor dhe, në detyrimin tonë më madhor, është të bëjmë të gjitha përpjekjet për t’i dhënë vendit zgjedhjet më të mira, më dinjitoze që ka njohur ndonjëherë.

Ka një debat lidhur me pavarësinë e institucioneve në Shqipëri. Edhe njëherë, dua të theksoj se qeveria ime dhe unë jemi tërësisht dhe thellësisht të angazhuar për pavarësinë e institucioneve, jemi ne që kemi çelur siparin e rëndësisë së madhe të institucioneve të pavarura për vendin. Ne jemi më të interesuar se kushdo tjetër për pavarësinë e këtyre institucioneve, por për një pavarësi reale, të vërtetë të tyre.

Sikundër, jemi ne të votbesuarit e shqiptarëve, që kemi detyrimin madhor të procedojmë me reformat, ashtu siç po bëjmë ndërkohë.

Sot, zoti Franko Fratini, Ministër i Punëve të Jashtme të Italisë, mik i shquar i Shqipërisë dhe shqiptarëve, zhvilloi një vizitë zyrtare në Shqipëri. Unë pata me të një diskutim të thelluar për të gjitha marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve tona. Por ajo që unë dua të veçoj nga ky takim, ishte kënaqësia që unë pata kur i faktova mikut tim Fratini, promotor kryesor i liberalizimit të vizave në Europë, përpjekjet e qeverisë sime për të përmbushur të gjitha kërkesat për lëvizjen e lirë të qytetarëve, gjë të cilën ai e vlerësoi shumë. Z. Fratini u deklaroi mediave se Kryeministri ka mbajtur premtimet e tij para Europës. Unë ju siguroj se ne do të vazhdojmë të mbajmë çdo premtim, sepse ky është interesi jetik i qytetarëve shqiptar.

Me zotin Fratini diskutuam gjithashtu për një sërë problemesh të mëdha si, Korridori 8, për të cilin zoti Fratini më siguroi se do të jetë promotor kryesor i ndërtimit të tij. Diskutuam për programin e ri të kooperimit dypalësh që qeveria Berluskoni ka vendosur t’ia ofrojë sërish Shqipërisë. Krahas fushës së infrastrukturës, unë mendoj se në këtë kooperim duhet të përfshihet si përparësi dhe fusha e bujqësisë. Ne duhet t’i  përgatisim fermerët tanë për një konkurrencë të ndershme në një Europë shumë të zhvilluar. Zoti Fratini e mirëpriti kërkesën time.

Siç e shihni edhe vet, imazhi i Shqipërisë po ndryshon me shpejtësi. Në dhjetëditëshin e parë të muajit shtator të këtij viti, raporti “Të bësh Biznes” do të shpallte se Shqipëria arrin të kapë vendin e dytë në botë për reformat në fushën e tregut, se Shqipëria la pas 169 vende për sa i përket garancisë së investimeve, 167 vende për sa i përket kreditit të ekonomisë, 164 vende për koston dhe kohën e regjistrimit të biznesit. Gjithashtu, Shqipëria merr 96 pikë, nga 100 pikë të mundshme për liritë fiskale.

Po ashtu, më vonë, Transparency International do të faktonte se Shqipëria renditet në 10 vendet më të suksesshme në botë për luftën kundër korrupsionit dhe renditet e para në Ballkan për këtë luftë, duke lënë pas, krahasuar me vitin 2005, rreth 50 vende. Në rast se në vitin 2005 ajo renditej në një nga vendet më të korruptuara të botës, sot ajo ka lënë pas 95 vende të tilla dhe po ecën pozitivisht.

Raporti i “Freedem House” tregoi se Shqipëria ka një përmirësim të ndjeshëm të treguesve të lirisë, duke nënvizuar se Shqipëria është vendi i cili respekton më shumë institucionet e pavarura, ose që ka bërë më shumë për pavarësinë e tyre, në Ballkan. Ishte raporti për shtypin e lirë që tregonte se Shqipëria është spostuar nga renditja në fundin e botës për këto çështje dhe ka lënë pas mbi 100 vende.

Të gjitha këto janë arritje të mëdha, por mbi të gjitha, janë inkurajim i madh për të vazhduar me vendosmëri këtë program, sepse në rast se ne kemi lënë pas 95 vende në luftën kundër korrupsionit, kemi para 84 vende që duhet t’i parakalojmë. Ne kemi përcaktuar si objektiv të arrijmë 20 vendet e para. Kjo nuk arrihet për një vit, as për dy vjet, por mbetet objektiv i arritshëm, duke kapur hapa pas hapi standardet e tyre. Në këtë mënyrë, ne arritëm të vendosemi  në vend të 14 dhe në vend  të 12 në botë për kreditet dhe mbrojtjen e investitorëve.

Por, nuk duhet të harrojmë se jemi vendi i 176-të për sa i përket problematikave në lejet e ndërtimit. Unë jam i vetëdijshëm se ende është një rrugë e gjatë për t’u bërë, një punë e madhe gjithashtu, por që mund të bëhet. Duke u ndalur në çështjet e lejeve të ndërtimeve, ato mund të jenë një nga shkaqet kryesore të informalitetit në ndërtime. U ndala vetëm në këtë element, por në çdo element ne duhet të përcaktojmë normat më të mira. Një gjë është e sigurt në këtë rrugë, se tashmë ka “dritë” në tunel, sepse në të gjitha fushat e zhvillimit ka lëvizje, progres. Kjo është e vërteta. Nëse na është dashur shumë kohë dhe mundim, për të arritur deri këtu, ju garantoj se tani rruga është shumë më e lehtë, më e sigurt.

Shqipëria tashmë ka ndryshuar. Unë vizitova para disa ditësh Lezhën. Në atë qark janë në investim e sipër rreth 1 miliardë dollar. Kjo gjë zor se mund të imagjinohej 3 vjet më parë.  Në 8 vjet, mesatarja e këtyre investimeve ka qenë 28 milionë dollar në vit.  Në këtë vizitë ne inauguruam nisjen e punimeve për ndërtimin e fabrikës së çimentos në këtë zonë, një investim ky prej 250 milionë euro, ndërkohë që 250 milionë euro të tjera janë investim i kompanisë ColaCem. Në këtë zonë do të inaugurohet parku energjetik, ndërkohë që është marrë vendimi për ngritjen e një parku industrial aty. Kjo situatë pozitive investimesh është edhe në qytete të tjera, në Shkodër, Vlorë, etj. Ju siguroj se do të bëjmë shumë më tepër.

Tashmë kemi një Shqipëri krejt tjetër, të ndryshuar, ndaj ne u kemi besuar reformave, u besojmë atyre dhe do të vazhdojmë me to. Reformat janë motoja jonë. Edhe reforma të tjera të mëdha po ecin para, reforma zgjedhore, etj, sepse ekziston një vullnet i hekurt për ndryshimin e vendit. Lajmet e mira që kemi marrë ne 2-3 muajt e fundit, nuk i kemi marrë për vite e vite të tëra, më parë.

Nga të gjitha anët na vijnë mesazhet më të mira. Në vizitën time në Gjermani, u konfirmuan marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve, ndërkohë që personalitetet e larta gjermane u shprehën se “ne e kemi ndihmuar, por do ta ndihmojmë edhe më shumë Shqipërinë”.

Gjithsesi, ky nuk është një proces i kompletuar dhe ka nevojë ende edhe për shumë reforma, ndaj ato do të vazhdojnë me vendosmëri. Jehona e këtyre reformave është jashtëzakonisht pozitive dhe ka marrë përmasa botërore.

Zëvendëskryeministri Pollo ishte për një vizitë në Kanada dhe takoi Kryeministrin kanadez, të cilin e njohu me reformat, por ai iu përgjigj se ishte i informuar për të gjitha zhvillimet dhe vlerësimet e bëra për Shqipërinë.

Këtë reforma dhe këto vlerësime ne do t’i përdorim si një stacion, nga ku do të ndërmarrim reforma të tjera.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm italian Fratini, më siguroi se në një kohë të shpejtë, Kryeministri italian Silvio Berluskoni, do të vijë për një vizitë zyrtare në Shqipëri. Kjo shënon një ngjarje tjetër kulmore në marrëdhëniet tona, një nxitje të madhe dhe inkurajim për biznesin italian për të investuar në Shqipëri, shënon gjithashtu një mbështetje të fuqishme të përpjekjeve tona për integrimin në NATO, integrimin në Bashkimin Europian.

U ndala në këtë mbledhje në këto zhvillime historike për vendin, të cilave nuk mund të mos u rikthehesh gjithmonë, për shkak të rëndësisë së jashtëzakonshme që ato kanë për të sotmen dhe të ardhmen e shqiptarëve”.


27/10/2008

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›