Kryeministri Berisha takon grupin e përfaqësuesve të Lidhjes Parlamentare Japoni-Shqipëri
Kryeministri Berisha pati sot një mëngjes pune me një grup të madh përfaqësuesish të lidhjes parlamentare Japoni-Shqipëri, të kryesuar nga Kryetari ETO Seishiro, ish ministër i mbrojtjes dhe sekretarja e përgjithshme zonja Hoike Juriko, ish ministre mjedisit.
Në këtë takim ishin të pranishëm gjithashtu zoti Hosoda, ministër i shtetit dhe sekretar i përgjithshëm i Partisë Liberal-Demokrate në fuqi, senatori Okada, zonja Akiko Janamaka, zëvendësministre e jashtme, zoti Ceichiro Murakami, ish ministër i shtetit, zonja Majumi Morijama, ish ministre e Drejtësisë, zonja Nidori Masushita, ish zv ministre e transportit, etj
Në fjalën e tij, Kryetari i Lidhjes Seishiro shprehu në emër të parlamentarëve japonezë, kënaqësinë e veçantë dhe nderin që presin, në një vizitë historike, kryeministrin shqiptar Berisha. Zoti Seishiro e vlerësoi vizitën e kryeministrit Berisha shumë të suksesshme dhe një mundësi e madhe për promovimin dhe forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve. Zoti Seishiro i premtoi kryeministrit Berisha se grupi i parlamentarëve do të bëjë cështe e mundur për të bërë të njohura potencialet e Shqipërisë për investime si dhe të ndikoje tek qeveria japoneze për vazhdimin e ndihmave ndaj shqipërisë.
Duke falënderuar parlamentarët për mikpritjen, Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë e tij për vizitën e zhvilluar në Japoni, si dhe për takimin tepër të frytshëm me Kryeministrin e vendit Fukuda. Kryeministri shqiptar u drejtua me një falënderim për qeverinë japoneze për ndihmën bujare dhe të çmuar që ajo ka dhënë përgjatë 15 viteve në Shqipëri, ne fusha te tilla si, energjia, infrastruktura, arsimi, asistenca teknike, etj, si dhe për kredinë e butë prej rreth 12 miliard jen që qeveria japoneze i ka akorduar Shqipërisë.
Kryeministri Berisha shprehu angazhimin për forcimin e lidhjeve me Japoninë në të ardhmen dhe zgjerimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat, duke inkurajuar investitorët japonezë për të investuar në Shqipëri.
Kryeministri Berisha bëri një prezantim të hollësishëm për parlamentarët japonezë të zhvillimeve më të fundit në Shqipëri, duke u ndalur veçanërisht në progresin e ekonomisë shqiptare, e cila shënon tashmë një rritje vjetore prej 6 % , si dhe në masat e vazhdueshme që po ndërmerr qeveria shqiptare për krijimin e një mjedisi atraktiv për investuesit e huaj.
Kryeministri Berisha theksoi se ai dhe qeveria shqiptare do të punojnë për forcimin e lidhjeve me Japoninë, duke inkurajuar investitorët japonezë për investime në Shqipëri.
Kryeministri Berisha u shpreh se nga takimet që ai zhvilloi në Japoni, mesazhi më i rëndësishëm që u përcoll ishe ai i miqësisë mes dy vendeve, i cili do të forcohet në të ardhmen, nëpërmjet mbështetjes që Japonia do të ofrojë për Shqipërinë, si dhe rritjes së interesit të investitorëve japonezë për të investuar në Shqipëri.