Media japoneze përcjell me interes të veçantë vizitën dhe takimet e Kryeministrit Berisha në Tokio
Vizita e Kryeministrit Berisha është përcjellë me interes të veçantë nga shtypi japonez. Media elektronike japoneze ka pasqyruar në edicionet e saj të ditës vizitën e Kryeministrit Berisha dhe takimin e tij me Kryeministrin Fukuda.
Sot, gazetat më të mëdha japoneze, në titujt e tyre, shprehen se vizita e Kryeministrit Berisha, e para e një kryeministri shqiptar në Japoni, ishte një vizitë historike që i shërben zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Gazetat ndalen në veçanti në mbështetjen e qeverisë japoneze dhe premtimin për dhënien e kredisë për 12 miliard jen për sistemin e kanalizimeve dhe përpunimit të ujërave të zeza në Tiranë.
Në intervistat që zhvilloi me disa nga të përditshmet japoneze Asahi Shimbun, Yomiuri Shimbun, Hokkoku Shimbun, Kryeministri u ndal në potencialet që ofron Shqipëria për tërheqjen e investimeve, reformat e qeverisë shqiptare për shndërrimin e vendit në një nga vendet më atraktive për investimet e huaja, mbështetjen e madhe të Kryeministrit Fukuda dhe qeverisë japonezë për Shqipërinë, si dhe në çështjen e Kosovës.