Kryeministri Berisha takon kryetarët e komunave dhe bashkive të qarkut të Beratit
9/09/2007
Gjatë vizitës së tij në qytetin e Beratit, Kryeministri Berisha zhvilloi një takim me kryetarët e bashkive dhe komunave të këtij qarku. Të pranishëm në takim ishin edhe deputetët e Beratit.
Kryeministri i garantoi përfaqësuesit e qeverisjes vendore se qeveria është e angazhuar në një proçes të thellë decentralizimi, duke e konsideruar këtë si rrugën e vetme dhe një nga më kryesoret për zgjerimin e standarteve të demokracisë në Shqipëri.
Kryeministri siguroi drejtuesit e njësive të qeverisjes vendore të qarkut të Beratit mbështetjen e plotë të qeverisë në financimin e projekteve infrastrukturore.
Gjatë fjalës së tij Kryeministri theksoi se qeveria do të trefishojë grantin për qeverisjen vendore, duke shprehur bindjen se qeveritarët vendorë janë investitorët më të mirë. Kryeministri gjithashtu premtoi rritjen e investimeve për bashkinë e Beratit dhe përfundimin e unazës së qytetit.
Kryeministri u ndal gjithashtu edhe në reformën e pronësisë për të cilën kërkoi bashkëpunimin e drejtuesve të qeverisjes vendore.
Në vijim të fjalës së tij Kryeministri inkurajoi qeveritarët vendorë të qarkut të Beratit të shfrytëzojnë ligjin e konçesioneve për rritjen e investimeve në territoret e administruara prej tyre.
Kryeministri theksoi se qeveria do të japë të gjithë ndihmën e nevojshme në mënyrë që Berati të përfshihet në listën e pasurisë së trashëgimnisë botërore.
Në fjalën e tij në këtë takim Kryeministri u shpreh:
“Bashkëpunimi mes qeverisë qendrore dhe asaj vendore është një kusht përcaktues për t`u ofruar qytetarëve shqiptarë ato shërbime që ata meritojnë. Unë kam kënaqësinë t`ju informoj ju dhe të gjithë qeveritarët vendorë se javën e ardhshme qeveria vendos për decentralizimin e ujësjellësave të vendit. Nuk do të jetë thjeshtë decentralizimi i ndërmarrjeve të ujësjellësave, por ato do të kenë mbështetjen e nevojshme që mund të garantohet furnizimi me ujë i qytetarëve të Beratit dhe Shqipërisë. Nuk ka më lënduese se sa kur sheh qytete dhe fashtra të vendit të notojnë në ujëra dhe besoj se ky proçes do të garantojë një furnizim shumë më të mirë me ujë të qytetarëve shqiptarë. Qeveria do të mbajë në fokus tashmë nëpërmjet jush furnizimin me ujë të qytetarëve. Ju me të drejtë ngritët çështjen e pronave që duhet t`u kalojnë qeverive vendore.
Mua më keqkuptuan kur po flisja për Agjencinë e Inventarizimit dhe Transferimit të Pronave dhe këtë ia faturuan Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave . Unë e kisha fjalën për Agjencinë e Transferimit të pronave dhe nëse ajo do të vazhdonte me ato ritme ne do të vendosnim shkrirjen e saj, por sipas informacioneve të fundit që kam nga Ministria e Brendshme janë shumë inkurajuese. Unë i vlerësoj punonjësit e kësaj agjencie, por nuk mund të pranoj zvarritjen e procesit sepse pronat publike në bashki dhe komuna në rast se nuk administrohen prej tyre, ato janë jetime, pa mbështetje dhe pa zhvillim dhe shkojnë në degradim.
Ju garantoj se do të bëhen projekte maksimale për kalimin e pronave publike në bashkitë dhe komunat e vendit. Qeveria ka të gjitha mundësitë ligjore që në bashkpunim me qeveritë vendore.
Qeveria do të mbajë në të gjithë territoret e vendit parqet kombëtare dhe për këtë duhet të ketë një bashkëpunim të ngushtë me pushtetin vendor.
Ju ngritët problemin e pronave të ushtrisë. Është një problem serioz për vendin . Ne kishim një ushtri me 60 mijë efektivë, e cila kaloi në një ushtri me 15 mijë, në një ushtri profesionistësh, të vogël dhe të kualifikuar. Ne do ta ndihmojmë atë, kemi dyfishuar buxhetin për këtë dhe do ta pajisim me të gjitha mjetet e nevojshme për të përballuar me eficencë detyrat në kohë paqeje dhe jo paqeje.
Ne kemi kontaktuar një kompani amerikane të aftë të na ndihmojë në kompletimin e një ushtrie profesionale për të arritur të gjitha standartet.
Nuk mundet ushtria në një shoqëri demokratike të ketë ndërtesat më të rëndësishme në qendër të qytetit. Këto janë tipare të shoqërive militariste. Ushtria është shumë e respektuar, drejtohet nga civilë dhe ka vendin e vet.
Jam i vendosur të punoj për kushte sa më të mira të oficerëve dhe ushtarëve tanë me rroga ushqime dhe trajtime. Ata kanë dhënë një kontribut mjaft të rëndësishëm në imazhin ndërkombëtar të vendit.
Ne do të modernizojmë kazermat, ambjentet dhe kushtet për ushtrinë.
Lidhur me Universitetin më vjen mirë që pedagogët e Durrësit dhe intelektualët e Beratit shprehin gatishmërinë për hapjen e tij . Sigurisht që qeveria do të japë të gjitha financimet e nevojshme dhe të fillojmë me disa degë fillimisht dhe të shkojmë drejt Universitetit. Ky është vendimi i Ministrisë së Arsimit me të cilin ne duhet ta marrim me seriozitet këtë çështje sapo të jenë kushtet, sikurse mund të ketë universitet edhe në Lushnje dhe në Fier.
Zoti Kryetar ju keni përmendur disa projekte, si unazën e qytetit. Ju siguroj se do të bëjmë çdo përpjekje për të rritur financimet. Ne do të trefishojmë grantin për ju sepse unë kam bindjen më të madhe se qeveritarët vendorë janë investitorët më të mirë.
Ka një kompleks faktorësh sidomos në bashki për të investuar. Është e rëndësishme që paratë e taksapaguesve të përdoren sa më mirë.
Nëse ka projekte unë e garantoj atë se në këtë do të përfshihet edhe qarku i Beratit.
Do të ndërtohen edhe rrugë të tjera sikurse është rruga Lumas-Lapardha.
Lidhur me rrjetin e ujësjellës-kanalizimeve biseduam me KFV dhe e njoha atë me vendosmërinë e bashkisë për të bashkëpunuar me të për të pranuar tarifat që ata përcaktojnë dhe u kërkova atyre të rikthehen në Berat sepse autoritetet vendore janë të gatshme të vendosin standartet që ata duan të vendosin për menaxhimin dhe shpresoj që ata të kthehen në Berat. Furnizimi me ujë do të funksionojë sepse ka një fatkeqësi të madhe, pasi janë 700 litra ujë në sekondë dhe këtu pëfundojnë vetëm 4 orë ujë. Këtu nuk qëndron problemi, përveçse në moszbatimin e ligjit. Është e domosdoshme që ata që lënë qytetin pa ujë të marrin ndëshkimin e merituar.
700 litra ujë në sekondë uji që niset nga Bogova mjafton për Beratin, fshatrat e deri në Lushnje. Për vaditjen duhet të përcaktohen masa që të mos përdoret më ujë i pijshëm. Ne do të përcaktojmë masat më të rrepta për ata që përdorin ujin e pijshëm për vaditje. Forcat e rendit dhe prefekti duhet të ndërpresin çdo abuzim pasi qyteti ka vuajtur furnizimin me ujë.
Lidhur me furnizimin me energji elektrike unë i kam kërkuar drejtorit të KESH që të shtojë dy orë. Sapo të fillojnë kufizimet në zonat turistike kjo energji do të shpërndahet në Berat dhe në qytetet e tjera. Megjithatë çështja e energjisë është bërë një çështje e mprehtë, por ju siguroj ju dhe qytetarët se qeveria po bën ç`të jetë e munduar për ta ndryshuar këtë situatë.
Do të importojë aq sa të jetë e mundur që rrjetet ndërkombëtare të lejojnë për ta sjellë në rrjetin tonë. Pas një periudhe 15 ditore gjatë së cilës janë në remont rrjetet e disa vendeve të tjera , shtohet mundësia dhe ne presim të importojmë 10 -12 milionë kilovat/orë në ditë, sikurse po bëjmë çdo përpjekje për të nxitur ndërtimin e TEC-eve. Në Vlorë ka filluar dhe brenda një kohe shumë të shkurtër qeveria vendos për një TEC së paku dy herë më të madh se ai i Vlorës, në Porto Romano, por ne do të përparësojmë ndërtimin e TEC-eve.
Ne nuk mund të dalim nga mëshira e kohës me ndonjë mekanizëm tjetër veçse të ndërtojmë TEC-e aq sa të jemi të sigurtë. Lëndimin më të madh ekonomisë ia jep mungesa e energjisë.
Po të jetë e mundur me nismën një euro në qoftë se biznesmenët janë të gatshëm për ta ndërtuar. Një TEC me turbinë diesel në Berat shkon në 18 milionë euro dhe është një mundësi për t`u shqyrtuar nga sektori privat i Beratit, sikurse ne do të punojmë si qeveri.
Qeveria qendrore dhe qeveritë vendore kanë një sfidë të madhe që është reforma e pronësisë. Nëse ka një proces që merr zvarrë qeverinë qendore, qeverinë vendore dhe shtetin në tërësi është reforma e pronësisë. Kjo reformë ecën vetëm nëse përqëndrohet bashkërisht vullneti politik për zgjidhjen e saj.
Ne kemi një agjenci, asaj mund t`ia ndërrosh çdo muaj drejtorin, por secili nga ne po ta marrë përsipër drejtimin e saj nuk ka asgjë të garantuar në sukses në qoftë se ai nuk ka një mbështetje të plotë dhe totale nga këshillat, kryetarët e komunave, të bashkive, të qarqeve, nga ministrat dhe kryeministri. Është reforma më e vështirë më problematike dhe kërkon një përqëndrim total të vullnetit tonë politik për zgjidhjen e saj.
Le ta vendosim në rendin e ditës si çështjen më kryesore për ta zgjidhur. Ne kemi një mekanizëm, kemi krijuar Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, por atë duhet ta konsiderojmë si një institucion që gëzon mbështetje të plotë dhe totale.
Në rast se vullneti politik i njësive të qeverisjes vendore nuk funksionon për zgjidhjen e çështjes së pronës nuk mund ta zgjidhim, veçse të tërhiqemi zvarrë. Ta bëjmë përparësi , është plotësisht e mundur për ta zgjidhur. Pasi t`i japim përgjigje kësaj reforme mund të themi se tregu sjell paqen dhe stabilitetin që e ka.
Së dyti ne diskutuam për një shkollë moderne. Të gjithë e duam arsimin, çdo qytetar shqiptar është i vendosur në sakrificat më të mëdha për të shkolluar fëmijët e tij për t`u krijuar atyre një të ardhme më të mirë se vetja. Këto janë realitete dhe përbëjnë një bazë shumë të shëndoshë për qeverinë qëndrore dhe vendore, e cila duhet të ridimensionojë të gjithë konceptet e mbështetjes së arsimit. Qeveria qëndrore është zotuar që do rrisë në mënyrë të ndjeshme rrogat e arsimtarëve, por kjo nuk mjafton. Por, ne duhet të investojmë po kaq per kualifikimin e tyre, për shkollimin për kushtet e tyre për trasportin e fëmijëve.
Nëse doni të investoni në një sektor ku avullohet më vështirë paraja, është arsimi dhe nuk abuzohet. Duhet që qeveria vendore sikurse qeveria qendrore e ka shpallë objektiv dyfishimin e buxhetit edhe drejtuesit e qeverisë vendore duhet ta nxjerrin zë të parë. Unë kuptoj që nevojat e qytetit dhe të komunave janë të shumta, por absolutisht investimi më i madh është investimi tek mendja e këtyre fëmijëve.
Duhet të ndërtojmë sistemin e stimujve . Po të studioni bursat që jepen janë qesharake. Kanë qenë 900 i kemi urdhëruar ti bëjnë 1200. Berati, Vlora, Shkodra Tirana dhe mbarë Shqipëria është 10 herë më e fuqishme se kaq. Potenciali ynë është më i madh ndaj ne nuk duhet të kursejmë fondet për arsimin. Arsimi duhet të jetë kriteri kryesor për mësuesit nuk mund t`u japim rroga atyre që nuk kanë arsimin përkatës.
Ne duhet të masim punën tonë me një tregues. Sa investitorë të huaj dhe vendas inkurajohen për të filluar biznesin. Ky është emëruesi i përbashkët i të gjitha përpjekjeve. Prandaj u bëj thirrje të bëni çdo përpjekje për çdo lehtësi të mundshme në këtë qytet dhe në këtë rreth për investitorët. Të shfrytëzoni ligjin e partnetitetit publik privat, i cili nëse shfrytëzohet mund të shndërrohet në një levë të vërtetë Arkimedi. Ajo që ndodh sot me hidrocentralet është një fenomen më pozitiv që mund të imagjinohej. Normalisht procedura do të ishte që ne të bëjmë projektet dhe të bëhet garë e fuqishme në projekte. Në këtë burim ujor të vendit ka shumë kompani të huaja që bëjnë së pari garën e projekteve. Sot ka projekte për lumin e Currajve nga kompanitë më të mëdha në Europë.
Ky ligj ka brenda mundësinë e shfrytëzimit të nismës 1 euro. Ligji u jep mundësi dhe njeh si autoritet kontraktues të gjitha institucionet për veprimtarinë ekonomike që kanë në varësi. Ligji ju barazon ju me çdo ministri. Siç funksionon me hidrocentralet do të funksionojë edhe me sektorët e tjerë.
Garantoj se qeveria do të japë të gjitha fondet e nevojshme pasi Berati të futet në pasurinë e trashëgimnisë botërore.