Kancelari Gusenbauer i shpreh Kryeministrit Berisha përkrahjen e plotë të Austrisë për reformat dhe integrimin e Shqipërisë në BE
Kancelari austriak i shprehu Kryeministrit Berisha urimet për zgjedhjen e presidentit të republikës në mënyrë kushtetuese.
Zoti Berisha dhe zoti Gusenbauer vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve në të gjitha fushat, si dhe u shprehën për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh. Kancelari Gusenbauer i shprehu Kryeministrit Berisha vlerësimet për situatën shumë pozitive dhe zhvillimin e Shqipërisë. Ai shprehu përkrahjen e plotë të Austrisë për reformat në vend dhe procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Austria, u shpreh zoti Gusenbauer, do të vazhdojë të japë mbështetjen për integrimin e rajonit dhe të Shqipërisë në strukturat europiane.
Kryeministri Berisha bëri një prezantim të reformave dhe nismave të qeverisë për forcimin shtetit ligjor, zhvillimin ekonomik të vendit, në mënyrë të veçantë për nxitjen e investimeve të huaja. Duke vlerësuar këto zhvillime, Kancelari Gusenbauer i shprehu Kryeministrit Berisha interesin e investitorëve austriakë në sektorin e energjisë, minierave dhe turizmit në Shqipëri.
Gjatë takimit të kryeministrave të vendeve të Europës Juglindore, Kryeministri Berisha u takua edhe me homologët e tij të rajonit, me të cilët ndau të njëjtin vullnet për forcimin e bashkëpunimit dypalësh dhe atë rajonal.