Kryeministri Berisha takon marinsin amerikan
Kryeministri Sali Berisha u takua me Sekretarin e Marinës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës Ray Mabus, të cilit i shprehu mirënjohjen ndaj qeverisë amerikane për ndihmën e çmuar në reformimin e plotë dhe modernizimin e ushtrisë shqiptare, si dhe për rolin themelor të SHBA për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Kryeministri e siguroi zotin Mabus për angazhimin deri në fund të Shqipërisë përkrah SHBA në kuadër të koalicionit të udhëhequr prej saj në Afganistan. Ai nënvizoi se Shqipëria do të vazhdojë kontributin e saj edhe pas vitit 2014, vit kur siguria do të kalojë në duart e autoriteteve afgane, çka u vlerësua nga sekretari i Marinës së SHBA-së. Sipas tij kontributi i Shqipërisë në Afganistan është shumë i madh dhe në nivel shumë të lartë në raport me popullisinë e saj, ndërsa shprehu dhe ngushëllimet për humbjen e Kapiten Fetih Voglit. Zoti Mabus u shpreh se bashkëpunimi midis dy vendeve në fushën ushtarake është i shkëlqyer, përfshirë në rishikimin e strategjisë së mbrojtjes, modernizimin e kapaciteteve të ushtrisë shqiptare, trajnimin e ushtarakëve shqiptarë, de-militarizimin e municioneve të mbetura etj.