VENDIM PËR DHËNIE FONDI FINANCIAR SHTESË KOMUNAVE QUKËS E QENDËR LIBRAZHD, TË QARKUT TË ELBASANIT, PËR T’U SHPËRNDARË NË NDIHMË TË FAMILJEVE TË KËTYRE KOMUNAVE, PËR SHKAK TË DËMTIMIT TË BANESAVE TË TYRE NGA FATKEQËSI TË NDRYSHME
V E N D I M
PëR
DHëNIE FONDI FINANCIAR SHTESë KOMUNAVE QUKëS E QENDëR LIBRAZHD, Të QARKUT Të ELBASANIT, PëR T’U SHPëRNDARë Në NDIHMë Të FAMILJEVE Të KëTYRE KOMUNAVE, PëR SHKAK Të DëMTIMIT Të BANESAVE Të TYRE NGA FATKEQëSI Të NDRYSHME
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të nenit 13, të ligjit nr.10190, datë 26.11.2009, “Për buxhetin e vitit 2010”, dhe të nenit 5, të ligjit nr.8756, datë 26.3.2001, “Për emergjencat civile”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I :
1. Komunave Qukës e Qendër Librazhd, të qarkut të Elbasanit, në buxhetin e miratuar për vitin 2010, t’u jepet fond financiar shtesë, për t’u shpërndarë në ndihmë të familjeve të këtyre komunave, për shkak të dëmtimit të banesave të tyre nga fatkeqësi të ndryshme, si më poshtë vijon:
a) Komunës Qukës, 10 900 000 (dhjetë milionë e nëntëqind mijë) lekë.
b) Komunës Qendër Librazhd, 7 700 000 (shtatë milionë e shtatëqind mijë) lekë.
2. Fondet e përcaktuara në shkronjat “a” dhe “b”, të pikës 1, të këtij vendimi, t’u shpërndahen familjeve sipas listës me emrat e kryefamiljarëve, të hartuar për secilën komunë, bashkëlidhur këtij vendimi.
3. Fondi i përgjithshëm, 18 600 000 (tetëmbëdhjetë milionë e gjashtëqind mijë) lekë, të përballohet nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave.
4. Ngarkohen ministri i Financave, ministri i Brendshëm, prefekti i qarkut të Elbasanit, këshilli i Qarkut të Elbasanit dhe komunat Qukës e Qendër Librazhd për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
07/07/2010