Kryeministri Berisha viziton qytetin e Elbasanit, me rastin e Ditës së Verës

Kryeministri Berisha vizitoi sot qytetin e Elbasanit, me rastin e Ditën e Verës, festë tradicionale kombëtare e simbolizmit të ardhjes së pranverës. Fillimisht, Kryeministri vizitoi panairin e Ditës së Verës, një aktivitet i përvitshëm në këtë ditë, duke u ndalur në të gjitha stendat ku kompani dhe firma të ndryshme nga Qarku i Elbasanit kanë ekspozuar produktet e tyre.
Në stendën e Qarkut të Elbasanit, Kryeministri Berisha u njoh nga ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve z. Ardian Turku me planit urbanistik të këtij qyteti.
Më pas, Kryeministri Berisha bëri një shëtitje në shëtitoren kryesore të qytetit, ku u takua me qytetarë të shumtë dhe i uroi atyre Ditën e Verës, një festë tradicionale që qyteti i Elbasanit ia ka dhuruar tashmë gjithë Shqipërisë.
Në këtë vizitë, Kryeministri shoqërohej dhe nga ministri i Jashtëm z. Lulzim Basha, ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve z. Ardian Turku, drejtues të pushtetit vendor, etj.
Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh;
“Së pari dëshiroj të përshëndes të gjithë biznesmenët e qytetit të Elbasanit, por edhe të rretheve dhe qarqeve të tjera që sot ekspozojnë prodhimet e tyre në këtë panair, i cili gjithnjë e më shumë po bëhet panair i një rëndësie kombëtare.
Përshëndes të gjithë qytetarët e Elbasanit dhe i uroj atyre gëzuar Ditën e Verës. Siguroj biznesmenët e Elbasanit dhe mbarë Shqipërisë, se qeveria do të mbështesë fuqishëm përpjekjet e tyre për suksesin e bizneseve të tyre, se qeveria do të vazhdojë krijimin e lehtësirave të tjera për biznesin dhe se do marrë çdo masë në mënyrë që kriza e rëndë ekonomike botërore të ketë pasojë sa më të vogla në ekonominë shqiptare.
Zoti ministër dhe kryetar i Qarkut,
Dëshiroj t’ju përgëzoj për punën e shkëlqyer që keni bërë në hartimin e planit urbanistik për zhvillimin e Qarkut tuaj, dëshmi kjo e përkushtimit, e konceptit të drejtë, e vendosmërisë për të zhvilluar dhe shfrytëzuar të gjithë burimet e mundshme të këtij qarku të pasur për zhvillimin e tij. Qeveria është dhe do të mbetet e përqendruar në Elbasan.
Qeveria ka punuar dhe do të punojë për parkun industrial të qytetit. Ne inaugurojmë sot impiantin e pastrimit të ajrit në furrnaltën e shkritores, një kusht i domosdoshëm për ndërtimin e parkut dhe një kusht i domosdoshëm për pastërtinë e këtij qyteti shumë të rëndësishëm për vendin.
Ju paraqisni këtu një plan zhvillimi për kodrën e Krastës. Unë dua t’ju garantoj se kjo qeveri do t’ju mbështesë dhe do të fillojë menjëherë ndërtimin në rrugën, e cila duhet të jetë një shëtitore e bukur, me ndriçim dhe me të gjitha aspektet e një shëtitoreje moderne për të gjithë qytetarët e Elbasanit.
Ne do të planifikojmë dhe një herë ndërtimin e kampusit të Universitetit që ju keni përzgjedhur. Qeveria do të bëjë të gjitha përpjekjet që brenda këtij viti të përcaktojë rrugën tjetër të lidhjes së Elbasanit dhe Tiranën. Janë disa projekte dhe kompani private që kanë dëshmuar interes për ndërtimin e kësaj rruge dhe ne i mbështesim këto projekte. Dua t’i jap fjalën qytetarëve të Elbasanit se rruga do të ndërtohet më fonde private apo të buxhetit. Rruga do të ndërtohet dhe Elbasanit do të ketë rrugën tjetër, të sheshtë dhe fushore, me të cilën do të komunikojë me Tiranën. Kjo rrugë është jashtëzakonisht e rëndësishme, jo vetëm për Elbasanin, por shumë e rëndësishme për të gjithë Shqipërinë juglindore, për Korçën, Pogradecin, Librazhdin, Gramshin, Peqinin, etj.
Pra, ky vit do të jetë një vit shumë i rëndësishëm për këtë qytet, vit në të cilin nis zbatimi i projekteve të mëdha për qytetin. Një vit në të cilin projektet do të nisin të shndërrohen në realitet.
Zoti ministër dhe kryetar i Qarkut,
Studimet urbanistike janë një kusht vendimtar si për zhvillimin e qendrave urbanistike, ashtu dhe për luftën pa kompromis kundër korrupsionit. Ata që bllokojnë studimet urbanistike, ata vetëm dëshmojnë se territorin e qytetit të tyre, siç është rasti i Tiranës, e duan për ta mjelë dhe për vjelë. Ndaj, dua t’u bëj thirrje sot për ditë feste kryetarit të Bashkisë së Tiranës, si dhe të kryetarëve të gjitha qyteteve të mëdha, por në mënyrë të veçantë atij të Tiranës sepse ai përfunduar dhe e ka ndryrë në sirtar, të dorëzojë planin urbanistik sepse nuk është pronë as e EDIL-it dhe as e Edvinit, por është pronë dhe pasuri e qytetarëve të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë.
Është një herë, gëzuar këtë ditë të bardhë, siç është vetë Elbasani, dhe këtë festë që Elbasani, duhet ta pranojmë, ua dhuroji të gjithë Shqiptarëve”.
14/03/2009