E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takon presidentin amerikan Barack Obama

21-05-2012 / Gazeta 55

Kreu i qeverisë shqiptare është takuar në çelje të samitit të NATO-s me presidentin e SHBA-ve, Barack Obama. Partneriteti strategjik i dy vendeve, i konfirmuar më herët nga sekretarja Hillari Klinton, pritet të pasurohet me një bashkëpunim më të ngushtë në fushën e eksportimit të sigurisë, jo vetëm në rajonin e Ballkanit. Gjatë çeljes së samitit, kryeministri Berisha ka pasur një takim të përzemërt edhe me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Rasmusen
Në Çikago mbahet heshtje për të rënët në Afganistan dhe diskutohet strategjia e “Smart Defence”
 
Kryeministri Sali Berisha ndodhet në Çikago të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku po merr pjesë në punimet e samitit të 25-të të NATO-s, i cili çeli punimet dje në nivel të kryetarëve të shteteve dhe qeverive.
Kreu i qeverisë shqiptare ndoqi sesionin e hapjes së mbledhjes së Këshillit të Atlantikut të Veriut, në ditën e parë të punimeve, e cila u përshëndet nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen.
Gjatë këtij sesioni u përkujtuan ushtarakët e NATO-s dhe u mbajt një minutë heshtje për të rënë në krye të detyrës gjatë operacioneve të Aleancës.
Kryeministri Berisha, gjatё pritjes zyrtare të kryetarëve tё shteteve dhe qeverive, nё McCormick Place, nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Anders Fogh Rasmussen, zhvilloi një takim të shkurtër me Presidentin e SHBA-sё, Barack Obama.
Shqipëria është kontribuuese e operacioneve të NATO-s në Afganistan dhe Irak. Nga ana e tij, presidenti Obama ka shprehur vlerësimin e tij, për angazhimin e Shqipërisë në luftën kundër terrorizmit dhe garantimit të paqes në botë.
Në sesionet në vijim kryeministri Berisha bashkë me liderët e tjerë të vendeve anëtare të Aleancës do të marrë pjesë në punimet e takimeve dedikuar Afganistanit dhe zhvillimit dhe forcimit të kapaciteteve të Aleancës. Lidhur me problematikën në fjalë, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, theksoi për CNN se është optimist se komuniteti ndërkombëtar do të vazhdojë të financojë forcat afgane të sigurisë.
Anders Fog Rasmusen tha se mbështetja për forcat afgane është më pak e shtrenjtë sesa vendosja e trupave të NATO-s atje. Rasmusen theksoi se është në interes të komunitetit ndërkombëtar, si dhe përgjegjësi e tij, që forcat afgane të marrin përgjegjësinë e plotë për sigurinë pas vitit 2014, në mënyrë që të mos krijohen vendstrehime për terroristët.
Në sesionet e Samitit marrin pjesë edhe Sekretari i Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-Moon, Presidenti i Këshillit të BE-së, Herman Van Rompuy, Presidenti i Komisionit të BE-së, Jose Manuel Barroso etj. Ndërkaq, në përbërje të delegacionit shqiptar të kryesuar nga kreu i qeverisë, janë Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami si dhe zyrtarë të tjerë të lartë. Samiti i 25-të i NATO-s, do të fokusohet në tre çështje thelbësore të Aleancës: Angazhimin e saj në Afganistan në kuadër të ISAF-it, “Paketën e Mbrojtjes” dhe Partneritetet.
Ky është një ndër samitet më të mëdha në historinë e Aleancës, duke qenë se së bashku me aleatët, organizatat ndërkombëtare dhe vendet partnere të ftuara, numri i vendeve pjesëmarrëse arrin në 60. Përveç të tjerash, organizimi i këtij Samiti në SHBA-të, është një mënyrë për të përcjellë mesazhin simbolik të rëndësisë që ka lidhja trans-atlantike e SHBA-ve me Evropën, dhe veçanërisht me NATO-n. Gjatë punimeve të këtij samiti është parashikuar edhe një takim i Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare, me katër vendet që aspirojnë të anëtarësohen në NATO (Bosnje Hercegovina, Gjeorgjia, Mali i Zi dhe Maqedonia).
Kronika - Një vështrim për të ardhmen e NATO-s nga brigjet e lumit Miçigan, SHBA. “Kemi ardhur në Çikago për një samit thelbësor  në një moment vendimtar për sigurinë e SHBA-ve dhe Europës”, kështu u shpreh sekretari i përgjithshëm i NATO, Anders Fogh Rasmussen pak minuta para hapjes zyrtare të punimeve të Aleancës. “Do të diskutojmë për zhvillimet e pritshme në Afganistan, sesi do të ndërtojmë sigurinë në një kohë të kursimit dhe si do të forcojmë bashkëpunimin me partnerët”, theksoi Rasmussen.
Mbrëmjen e djeshme, ora 20.30, liderët dhe ministrat e Jashtëm e të Mbrojtjes të 28 vendeve të Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe 32 vende partnere çelën diskutimet për agjendën e tërheqjes së trupave nga Afganistani, brenda 2014, dhe rinovimin  e NATO-s sipas konceptit strategjik Smart defence, ose mbrojtja e zgjuar, për të peshuar më mirë fondet për mbrojtjen të thara nga kriza e ekonomike nëpërmjet bashkëpunimeve.
Pika e parë e agjendës së liderëve (për Shqipërinë kryeministri Berisha, i shoqëruar nga ministrat Haxhinasto dhe Imami) ishte aprovimi i strategjisë së tranzicionit dhe kalendari i tërheqjes nga Afganistani, i paracaktuar nga samiti i mëparshëm i Lisbonës në 2010. Pas kompletimit të tërheqjes së trupave luftarake, brenda 2014, aleatët janë marrë vesh për të garantuar një aktivitet stërvitje dhe suport për ushtrinë dhe policinë e re afgane. Në veçanti, bëhet fjalë për skicimin e kompozimit të forcës së sigurisë afgane: nga një projekt fillestar me 353 mijë persona duhet të reduktohet në 228 mijë. Një diskutim tjetër u përqendrua në ndarjen e financimeve për këtë kontribut, që shkon 4,1 miliardë dollarë në vit. Shqipëria pjesë e koalicionit ISAF në Afganistan ka mbi 350 ushtarë paqeruajtës të angazhuar në detyra të ndryshme, duke filluar nga njësite luftarake Eagle, ndjekur nga misione të prapavijës dhe mbaruar me misionin OMLT që janë për trajnimin e aftësive të forcave të sigurisë afgane. Në Çikago, Shqipëria do të njoftojë angazhimin e saj mbështetës edhe pas 2014 me misione trajnuese për ushtrinë dhe policinë afgane, si dhe ndërtimin e 8 shkollave.  
Samiti në Qytetin e Erës duhet të miratojë Smart defense, mbrojtja e zgjuar, si konceptin e ri strategjik të Aleancës. Bëhet fjalë për të koordinuar më mirë sforcon e vendeve të veçanta dhe të përqendrohet në detyra thelbësore, duke paracaktuar prioritete, dhe mbi të gjitha, duke bashkuar kapacitet me Projekte shumëkombëshe (janë 25 projekte që do të prezantohen në Çikago). Sipas sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen: “kjo do të krijojë një kulturë të re bashkëpunimi” brenda organizatës së Atlantikut të Veriut.
Në këtë samit do të deklarohet kompletimi i fazës së parë të mbrojtjes antiraketore të përqendruar në Europën lindore, çka është motiv i ftohjes me Rusinë, e cila për këtë arsye nuk do të marrë pjesë në diskutimet e sotme mbi Afganistanin me partnerët e ISAF. Aleanca do të deklarojë operative “kapacitetin ndërmjetës”, faza fillestare e programit që mendohet të jetë operative plotësisht në 2018. Zyrtarë të administratës së SHBA-ve kanë deklaruar ditë më parë për “Uashington post”, se kanë arritur një pikëtakimi në zhvillimin e saj, ku Shtetet e Bashkuara do të fillojnë të instalojnë dhe të bëjë operative një hardware specifik, duke përfshirë sistemet e radarëve në Turqi dhe interceptorët në Poloni dhe Rumani, si pjesë e një grupi të projektuar për të mbrojtur forcat e Aleancës nga raketat balistike që mund të qëllohen nga vende të tilla si Irani.
Përveç kësaj, zyrtarët e administratës amerikane thonë se, ata do të diskutojnë politikën e NATO-s ndaj programit bërthamor të Iranit, veçanërisht pasi presidenti i ri i Francës, Francois Hollande, i cili bëri fushatë për një komunikim të vazhdueshëm me Obamën se Irani duhet të parandalohet nga të paturit e një armë bërthamore. Gjithashtu zyrtarë të administratës kanë thënë se do të donin që NATO të ndihmojë për të siguruar më shumë qasje brenda Sirisë për vëzhguesit, si pjesë e një plani për të zbutur dhunën. Plani ishte vënë përpara nga ish-sekretari i përgjithshëm i OKB-së Kofi Anan.
Për këtë arsye në Samit janë ftuar  një numër i madh i pjesëmarrësish, bëhet fjalë për 6 mijë delegatë, shenjë kjo që Aleanca atlantike po synon gjithmonë e më shumë për Partneritete strategjike përtej sferës së saj tradicionale, Europa dhe Amerika e veriut. Në Çikago pjesëmarrës janë dhe Australia, Zelanda e re, Koreja e jugut dhe Japonia.
Në Çikago po diskutohet dhe për mbrojtjen kibernetike sepse sulmet informatike janë bërë më të shpeshta dhe më të sofistikuara, prandaj synohet një nivel i ri koordinimi e konsultimesh mes shërbimeve të inteligjencës se vendeve të Aleancës. Një projekt tashmë i miratuar do të jetë Ags, sistemi i ri i kontrollit satelitor  (Alliance groud surveillance, me seli në Itali) që do të furnizojë komandave një tablo të kompletuar të situatës në zona të caktuara, nëpërmjet përdorimit të teknologjive të përparuara.  

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›