Kryeministri Berisha takon presidentin e Maqedonisë, zotin George Ivanov

Kryeministri Berisha priti sot në një takim presidentin e Maqedonisë, zotin George Ivanov.
Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë që priste presidentin Ivanov, në këtë takim, i cili nga ana e tij falënderoi Kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohte dhe shprehu kënaqësinë e veçantë që ndodhej për një vizitë në Tiranë.
Në takim u vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve dhe u ripohua angazhimi i të dy vendeve për të zgjeruar dhe thelluar bashkëpunimin në të gjithë fushat, ne veçanti në fushën ekonomike, të investimeve të ndërjesjella dhe të shkëmbimeve tregtare, në dobi të interesit më të mirë të dy vendeve dhe popujve, si dhe zgjerimit dhe konsolidimit të bashkëpunimit e miqësisë në rajon.
Presidenti maqedonas Ivanov e falënderoi kryeministrin Berisha për mbështetjen që Shqipëria i jep anëtarësimit të Maqedonisë në nismën Adriatiko-Joniane. Në këtë kontekst, ndërtimi i infrastrukturave të rëndësishme që lidhin të dy vendet si: Rruga e Arbrit, linja e interkonjeksionit energjitik apo ajo hekurudhore, por edhe projekte më madhore, si korridori 8 u vlerësuan si jashtëzakonisht të rëndësishme, jo vetëm për zgjerimin e bashkëpunimit bilateral, por edhe për zgjerimin e marrëdhënieve më të ngushta të bashkëpunimit, në të gjithë rajonin.
Në takim u ripohua angazhimi i plotë i të dy vendeve për ecjen sa më shpejt përpara drejt integrimit në BE por edhe në NATO, në rastin e Maqedonisë, si dhe për mbështetjen e plotë të integrimit sa më të shpejtë euroatlantik të rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Kryeministri Berisha i bëri të ditur presidenti Ivanov se në 18 muaj, qeveria shqiptare do të përfundojë segmentin Tiranë-Elbasan, pjesë e rëndësishme e korridorit 8 që lidh Tiranën dhe Shkupin, i cili do ta shkurtojë distancën mes dy kryeqyteteve me rreth 100 km.
17/03/2011