Qeveria miraton dy projektligje të rëndësishme për ratifikimin e konventave lidhur me të drejtat e fëmijëve

Kryeministri Berisha u ndal në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, në dy projektligje të rëndësishme, në projektligjin për ratifikimin e Konventës së Këshillit të Evropës “Për ushtrimin e të drejtave të fëmijëve”, si dhe projektligjin “Për ratifikimin e konventës së KE të statusit juridik të fëmijëve të lindur jashtë martesës”.
Kryeministri u shpreh se me këto dy konventa, kuadri ynë ligjor merr standardet më të mira dhe më të merituara në qëndrimin ndaj fëmijëve.
Duke theksuar rëndësinë e jashtëzakonshme të konventave, kryeministri u shpreh se tashmë del si detyrim, shqyrtimi i ligjeve të tjera që lidhen me këtë fushë, duke plotësuar me përparësi, nëse është e nevojshme, mungesat në këtë drejtim.
Gjithashtu kryeministri u ndal edhe në projektligjin për ratifikimin e protokollit të tretë shtesë të konventës evropiane “Për ekstradimin”, i propozuar nga zëvendëskryeministri dhe ministri i punëve të jashtme.
Lidhur me këtë projektligj kryeministri u shpreh se qeveria mbetet e angazhuar të firmosë çdo marrëveshje në mënyrë që të vendoset mbi bazat më të forta ligjore bashkëpunimi me vendet partnere, për ekstradimet dhe çdo lloj problematike që krijohet nga qytetarët shqiptarë ne vende të tjera.
Lidhur me këto projektligje, Kryeministri u shpreh:
“Sot, në rendin e ditës janë një seri vendimesh të rëndësishme, por ajo që dua të veçoj këtu, si më të rëndësishëm, projektligjin për ratifikimin e Konventës së Këshillit të Evropës “Për ushtrimin e të drejtave të fëmijëve”, si dhe projektligjin për ratifikimin e konventës së KE “Per statusin juridik të fëmijëve të lindur jashtë martese”.
Mendoj se më këto dy konventa, kuadri ynë ligjor në qëndrimin ndaj fëmijëve merr standardet më të mira dhe më të merituara. Konventa e parë ka të bëjë me të drejtat e fëmijëve në proceset gjyqësore. Detyrimi e përfilljes e përparësimit të interesit më të lartë të fëmijës, në të gjitha këto procese në mënyrë që tu jepet garancia më e madhe e mundshme dhe mbrojtja më e mirë. E dyta ka të bëjë me fëmijët që lindin jashtë martese. Me detyrimin ligjor të njohjes së nënës, detyrimin vullnetar dhe ligjor të njohjes së babait, por edhe të rrethit familjar. Nuk mundtë ketë fëmijë që vjen në jetë dhe të jetë i braktisur. Kjo konvente detyron vendet anëtare të përcaktojnë statusin ligjor për mbrojtjen e këtyre fëmijëve, detyron vendet anëtare që këta fëmijë të gëzojnë të drejtat njësoj si fëmijët e tjerë, duke imponuar me ligj përkujdesjen e plotë ndaj tyre, të nënës , të babait dhe të rrethit familjar.
Unë mendoj se këto dy konventa janë jashtëzakonisht të rëndësishme, por nga ana tjetër, tek kjo e dyta del si detyrim shqyrtimi i ligjeve të tjera, zoti Ksera sepse në çdo rrethanë, në rast se ka nevojë për vendime qeverie për përkujdesjen, ose ka boshllëqe ne do ti plotësojmë me përparësi ato, pasi mbrojtja dhe kujdesi duhet të jenë të plotë, në përputhje me këtë konventë evropiane që përbën një dokument me standardet më të mira për mbrojtjen e këtyre fëmijëve.
Ka një projektligj tjetër shumë të rëndësishëm që ka të bëjë me ratifikimin e protokollit të tretë shtesë të konventës evropiane për ekstradimin , i propozuar edhe ky si dy të parat nga zëvendëskryeministri dhe ministri i punëve të jashtme.
Qeveria mbetet e angazhuar të firmosim çdo marrëveshje në mënyrë që të vendosim mbi bazat më të forta ligjore bashkëpunimin me vendet partnere, për ripranimet ekstradimet dhe çdo lloj problematike që krijohet nga qytetarët shqiptarë në vende të tjera.
Ky protokoll bën të mundur thjeshtimin maksimal të procedurave , çka është e domosdoshme.”
16/03/2011