E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha merr pjesë në Mëngjesin e Lutjeve, në Washington D.C

Sot, në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Washington D.C, u zhvillua ceremonia e Mëngjesit të Lutjeve, një takim ndërkombëtarë, me pjesëmarrjen e personaliteteve të larta nga 182 vende të botës si, senatorë, kongresmenë amerikanë, anëtarë të qeverisë amerikane, zyrtarë të lartë të administratës, liderë, politikanë të lartë dhe personalitete të ndryshme të botës, nga fusha e artit, kulturës, shkencës etj.   

Në ceremoni morën pjesë Presidenti i SHBA, z. Barack Obama, i shoqëruar nga zonja e parë Michelle Obama dhe Zëvendëspresidenti amerikan z. Joe Biden.

Kryeministrit Berisha dhe bashkëshortes së tij, u ishte rezervuar një vend nderi në tryezën ku ndodhej Sekretarja e Shtetit, znj. Hilari Klinton dhe Senatori Bill Nelson.

Në fillim të takimit, Kongresmenët Vernon J. Ehlers dhe Heath Shuler prezantuan para të pranishmëve Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, z. Sali Berisha, prani e cila u duartrokit dhe u mirëprit me përzemërsi nga pjesëmarrësit.

Një ditë më parë, para kësaj audience, Kryeministri Berisha mbajti një fjalim, i cili u vlerësua nga të pranishmit si frymëzues për vlerat e kombeve, paqen, mirëkuptimin dhe besimin njerëzor.

Në ceremoninë e Mëngjesit të Lutjeve mbajti përshëndetjen kryesore Presidenti i SHBA-ve, z.Barack Obama. Në fjalimin e tij frymëzues, që ngjalli emocion tek pjesëmarrësit, Presidenti Obama u ndal tek rëndësia e madhe që ka paqja, dialogu, vëllazëria, për bashkëpunimin e shoqërive njerëzore, kombeve dhe popujve në botë. Presidenti Obama theksoi rëndësinë e madhe të këtyre vlerave, për më tepër në kohë të tilla, kur kriza ekonomike ka prekur shumë vende të botës dhe për kapërcimin e të cilës kërkohet, durim, vullnet, bashkëpunim dhe mirëkuptim. 

Mëngjesi i Lutjeve është një takim vjetor që mbahet në Washington D.C të enjten e parë të muajit shkurt të çdo viti dhe është shndërruar tashmë në traditë të promovimit, vlerave njerëzore, paqes, dashurisë dhe miqësisë në botë.


05/02/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›