E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takon Zëvendëspresidentin e SHBA, z. Joe Biden

- Zëvendëspresidenti amerikan, z. Joe Biden, u shpreh se ndihej shumë i nderuar të ishte mik i Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe pranoi me kënaqësi ftesën e bërë nga Kryeministri Berisha për të vizituar Shqipërinë

Sot në Washington D.C, Kryeministri Berisha, i shoqëruar nga Kryetari i Partisë Republikane, deputeti Fatmir Mediu, takoi Zëvendëspresidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zotin Joe Biden.

Në fillim të takimit, zoti Berisha i shprehu z. Joe Biden mirënjohjen e thellë, kënaqësinë e veçantë dhe nderin e madh për mundësinë që iu dha për të takuar Zëvendëspresidentin amerikan, një mik të vyer të Shqipërisë dhe shqiptarëve.  

Nga ana e tij, Zëvendëspresidenti amerikan Joe Biden u shpreh me ndjenja të përzemërta për këtë takim dhe tha se ndihej i nderuar që ishte mik i Shqipërisë dhe i shqiptarëve. Administrata e re amerikane, u shpreh Zëvendëspresidenti amerikan, do të mbështesë plotësisht Shqipërinë në përpjekjet e saj për ndërtimin dhe forcimin e një shoqërie demokratike dhe në rrugën e reformave integruese.

Kryeministri Berisha, duke vlerësuar lart rolin dhe aktivitetin e zëvendëspresidentit amerikan, z. Joe Biden, e ftoi atë për një vizitë në Shqipëri, duke u shprehur se kjo vizitë do të ishte një kënaqësi shumë e madhe për Shqipërinë dhe shqiptarët, ftesë e cila u pranua me kënaqësi nga Zëvendëspresidenti amerikan Joe Biden.


05/02/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›