Mbrojtja e dëshmitarëve, P/ligji nxit procedimin e krimeve të rënda

Nxitja e procedimeve të krimeve të rënda, duke mundësuar një nivel të lartë mbrojtjeje për dëshmitarët dhe bashkëpunëtorët që janë në rrezik për shkak të pjesëmarrjes në një gjykim penal, është qëllimi i projektligjit të posaçëm të propozuar nga Ministria e Drejtësisë. Drafti, i konsultuar dhe me ekspertë të misioneve të huaja si PAMECA, OSBE etj, rregullon masat e posaçme, të përkohshme dhe të jashtëzakonshme, mënyrën dhe procedurat e mbrojtjes së dëshmitarëve dhe të bashkëpunëtorëve të drejtësisë, si dhe organizimin, funksionimin, kompetencat dhe marrëdhëniet ndërmjet organeve të ngarkuara për propozimin, vlerësimin, miratimin dhe zbatimin e programit të mbrojtjes. P/ligji, që tashmë pritet të shqyrtohet nga Komisioni parlamentar i Ligjeve, parashikon që organi përgjegjës për përgatitjen, ndjekjen dhe zbatimin e programit të mbrojtjes është Drejtoria e Mbrojtjes së Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë, si strukturë e posaçme qendrore e Policisë së Shtetit, pranë Departamentit për Hetimin e Krimeve, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, e cila e shtrin veprimtarinë e vet në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Komisioni për vlerësimin e programit të mbrojtjes së dëshmitarëve dhe të bashkëpunëtorëve të drejtësisë kryesohet nga zëvendësministri i Brendshëm dhe në përbërje ka një gjyqtar-zëvendëskryetar, drejtorin e drejtorisë-anëtar, një prokuror-anëtar, një oficer të Policisë Gjyqësore nga Policia e Shtetit-anëtar. Risia kryesore e p/ligjit është zgjerimi i rrethit të krimeve, për të cilat lejohet mbrojtja e dëshmitarëve, nisur dhe nga aktet ndërkombëtare, si konventa penale kundër korrupsionit.
...