E Diel, 1 Nëntor 2026

Lustracioni i deputetëve, BE në bisedime me Qeverinë shqiptare

Autori i Lajmit: red.
Bashkimi Evropian është në pritje të rezultateve që do të zhvillojë me Qeverinë shqiptare, për sa i përket ligjit të dosjeve. Ky koment është bërë nga zëdhënësja e komisionerit për zgjerimin e BE-së, Olli Rehn, Kristina Nagi. “BE do të shprehë qëndrimin e tij ndaj ligjit të ri të lustracionit pas bisedimeve që do të zhvillojë së shpejti me qeverinë e Tiranës. BE është i prirur t i shohë këto bisedime në një dritë pozitive. Pa ditur rezultatin e këtyre bisedimeve nuk mund të flitet, nëse shqetësimet e BE për ligjin e lustracionit do të ndikojnë në ecurinë e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë”, - tha ajo. Në raportin e Komisionit Evropian për progresin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, ku përfshihet edhe Shqipëria, të titulluar “2009 - viti i Ballkanit Perëndimor” nuk përjashtohet përshpejtimi i ritmeve të afrimit të tyre drejt BE, nëse plotësohen disa kushte të cilësuara në këtë raport “të domosdoshme”. Në krye të tyre qëndron plotësimi i kriterit politik për integrimin në BE, ku një pikë themelore është funksionimi i dialogut politik në gjithë spektrin politik. Për BE ligji i ri i lustracionit, i sapohyrë në fuqi, përbën një argument të freskët për moszbatimin e këtij kriteri. Ligji në fjalë është miratuar vetëm me votën e mazhorancës së djathtë dhe palët dështuan të ndërtonin një konsensus të gjerë politik për këtë ligj, të kërkuar nga BE dhe faktori ndërkombëtar. Opozita i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për ta rrëzuar ligjin e lustracionit. Në një situatë te tillë zëdhënësja e komisionerit për zgjerim, Olli Rehn, i deklaroi DV-së se “funksionimi i dialogut politik është i një rëndësie të dorës së parë për BE”. Vetëm pak muaj më parë në raportin e progresit për Shqipërinë për 2008-ën, Komisioni Evropian i tërhiqte vëmendjen spektrit politik të Tiranës për domosdoshmërinë e konsolidimit të kulturës së dialogut, për të lejuar sistemin politik të funksionojë në mënyrë efikase”, - tha ajo. Në bisedimet e pritshme mes BE dhe qeverisë së Tiranës për ligjin e lustracionit, një nga çështjet që do të bëhet objekt diskutimesh është edhe ajo e cenimit që, me këtë ligj, i bëhet pavarësisë së sistemit gjyqësor nga politika. “Për BE është shumë i rëndësishëm një gjyqësor i pavarur politikisht”, - tha Kristina Nogi.
Ky lajm është publikuar: 31/01/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›