Kryeministri Berisha udhëtoi sot drejt Stambollit për të marrë pjesë në Samitin e Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi (BSEC)
Kryeministri i Shqipërisë Prof. Dr. Sali Berisha udhëtoi sot drejt Stambollit për të marrë pjesë në Samitin e Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi. Kryeministri Berisha pritet të takohet edhe me kryeministrin e Turqisë Recep Tayyip Erdogan.
Organizata e Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi shënon 15- vjetorin e themelimit dhe në këtë takim do të marrin pjesë drejtuesit e shteteve dhe qeverive anëtare të kësaj nisme. Kryeministri Berisha vlerësoi profilin ekonomiko-politik të Organizatës dhe inkurajoi përshtatjen e kësaj nisme me ndryshimet botërore në fushën e mjedisit, tregtisë, transportit, turizmit dhe energjitikës. Z. Berisha rikonfirmoi dedikimin e Shqiperisë për përfshirjen në iniciativa të përbashkëta dhe nxiti edhe vendet e tjera anëtare të rrisin rolin e Organizatës si një partner aktiv dhe i besueshëm në çështjet ndërkombëtare dhe rajonale.
Organizata e Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi (BSEC) u krijua në vitin 1992, me qëllim sigurimin e bazës për bashkëpunim ekonomik në rajon. Kjo organizatë u themelua me idenë e forcimit të bashkëpunimit ekonomik në vendet e Detit të Zi, përmirësimin e stabilitetit në rajon duke ndihmuar shtetet anëtare të krijojnë struktura ekonomike të qëndrueshme. Korniza e saj institucionale u krijua me motivin e integrimit të rajonit në ekonominë botërore.