Kryeministri Berisha takohet me Kryeministrin e Sllovenisë z. Borut Pahor
Në ditën e dytë të Samitit të Dubrovnikut, Kryeministri Berisha zhvilloi sot një takim me Kryeministrin e Sllovenisë z. Borut Pahor. Gjatë takimit, zoti Pahor shprehu dëshirën për të vizituar Shqipërinë brenda këtij viti me qëllim për të parë mundësitë e fuqizimit të marrëdhënieve shumë të mira ekzistuese midis të dy vendeve, me theks të veçantë në forcimin e bashkëpunimit ekonomik.
Kryeministri Pahor theksoi faktin se midis Sllovenisë dhe Shqipërisë nuk ekziston asnjë problem dypalësh. Ai u shpreh shumë i interesuar për investime sllovene në Shqipëri, duke vlerësuar lart pozitën gjeopolitike dhe ekonomike të saj në rajon.
Kryeministri Berisha i shprehu homologut slloven kënaqësinë për realizimin në të ardhmen të kësaj vizite dhe gatishmërinë për të mbështetur investitorët sllovene në të gjitha fushat me interes dypalësh. Kryeministri Berisha e falënderoi për mbështetjen e Sllovenisë në procesin e liberalizimit të vizave dhe integrimin evropian.
Në takim u bisedua edhe për çështje rajonale dhe rolin e të dy vendeve në rajon. Kryeministri Berisha theksoi domosdoshmërinë e ruajtjes së kufijve aktuale, si një parakusht për sigurinë, paqen dhe stabilitetin rajonal në të ardhmen, në funksion të progresit të përbashkët drejt integrimit në BE, si një objektiv i të gjithë vendeve të rajonit.
10/07/2010