E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha uron Kryeministrin e ri të Italisë z. Mario Monti

Kryeministri Berisha i ka dërguar një telegram urimi Kryeministrit të ri të Italisë z. Mario Monti, me rastin e  zgjedhjes së tij në këtë detyrë.

Në këtë telegram Kryeministri Berisha shprehet:

I nderuar Zoti Kryeministër,

Kam kënaqësinë e veçantë që, me rastin e përzgjedhjes Suaj për pozicionin e Kryetarit të Këshillit të Ministrave, t’Ju përcjell në emrin tim dhe të qeverisë shqiptare përshëndetjet më të përzemërta dhe urimet më të ngrohta e miqësore për formimin e qeverisë dhe sukses të plotë në detyrat e vështira, por jashtëzakonisht të rëndësishme përpara Jush.

Kam ndjekur me kënaqësi e admirim karrierën Tuaj profesionale dhe atë politike, ndaj ruaj bindjen e thellë se me përkushtimin, profesionalizmin, vizionin e urtësinë që Ju karakterizon do të sillni një kontribut të rëndësishëm në kapërcimin me sukses të situatës së krijuar si pasojë e kushteve jo të favorshme financiare në arenën europiane dhe në rikthimin e vendit Tuaj të madh, mik e aleat i ngushtë i Shqipërisë dhe shqiptarëve, në rrugën e zhvillimit e të modernizimit të mëtejshëm.

Gjej rastin t’Ju risiguroj se qeveria shqiptare dhe unë personalisht mbetemi të vendosur e të angazhuar për të zhvilluar edhe më tej traditën e shkëlqyer të marrëdhënieve shumë të mira ndërmjet të dyja vendeve tona, si dhe për të thelluar e zgjeruar bashkëpunimin në fushatdy- e shumëpalëshe, në veçanti në kuadër të NATO-s dhe integrimit europian, në dobi të interesit më të mirë të të dy popujve tanë miq. 

Me sigurimet e konsideratës dhe të respektit më të lartë,  

Juaji,

Sali Berisha”


16/11/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›