E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Berisha uron Papa Françeskon I

Kryeministri Berisha i ka dërguar sot një telegram urimi Papës Françesko I me rastin e zgjedhjes në krye të Selisë së Shenjtë. Në mesazhin e urimit kryeministri Berisha shkruan:

“At i Shenjtë,

Kam kënaqësinë e veçantë që me rastin e lumtur  te zgjedhjes Suaj, me dëshirën e Zotit, Papa Franciscum I, t’ju përcjell në emrin tim, të qeverisë shqiptare, të katolikëve shqiptarë e të gjithë qytetarëve të vendit tim përshëndetjet më të përzemërta si edhe urimet më të ngrohta, për sukses të plotë në misionin e lartë e të shenjtë të përçimit të fjalës e mësimeve të Zotit në zemrat e besimtarëve katolikë e bekimin e Tij për mbarë njerëzimin.

Shqiptarët vlerësojnë lart vizionin, përkushtimin e kontributin tuaj të jashtëzakonshëm në shërbim të drejtësisë sociale dhe në ndihmë të të vobektëve e të vuajturve si një ndër shprehjet më domethënëse të dashurisë e humanizmit të krishterë, një ndër virtytet më të lartë të Kishës së Jezusit. Ndaj së bashku me qytetarët e vendit tim, ndaj bindjen e thellë së nën udhëheqjen tuaj, me përkushtimin e urtësinë hyjnore që ju karakterizon, Selia e Shenjtë do të vijojë të japë kontributin e saj të paçmuar e thelbësor në forcimin e besimit ndaj Zotit, në përhapjen e fjalës së Tij të Shenjtë për dashuri e ndihmë reciproke mes njerëzve, si edhe në promovimin e mëtejshëm të paqes, bashkëpunimit e miqësisë në botë.

Shqipëria dhe shqiptarët ruajnë lidhje tradicionale të ngushta e të shkëlqyera e me Selinë e Shenjtë e me Atin e Shenjtë ndaj edhe dëshiroj me këtë rast t’ju ripohoj dëshirën time të madhe dhe të gjithë shqiptarëve t’ju mikpresim në Shqipëri si Ati më i lartë shpirtëror i bashkatdhetarëve tanë të besimit katolik e më gjerë, por edhe si një mik i madh e i shquar i kombit shqiptar.

Me sigurimet e konsideratës e respektit më të lartë,

JUAJI,

SALI BERISHA”


14/03/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›