Kryeministri Berisha uron besimtarët e krishterë me rastin e Krishtlindjeve

- Më rastin e Krishtlindjeve, Kryeministri Berisha vizitoi Kishën Ortodokse dhe Katedralen e qytetit të Shkodrës
Me rastin e festës së Krishtlindjeve, Kryeministri Sali Berisha i shoqëruar nga bashkëshortja e tij znj. Liri Berisha, vizitoi sot Kishën Ortodokse në qytetin e Shkodrës.
Në mesazhin e tij, Kryeministri Berisha u përcolli besimtarëve ortodoks urimet më të përzemërta në këtë ditë të bekuar të lindjes së shpresës dhe adhurimit. “Të gjithë besimtarëve ortodoks të Shkodrës dhe mbarë Shqipërisë, besimtarëve të krishterë dhe të gjithë besimtarëve të zotit, i uroj gëzuar këtë ditë të madhe, këtë ditë të shenjtë, ditë e cila ndryshoi njeriun dhe botën, e mbushi atë me shpresë, me besim, me të ardhme”, u shpreh Kryeministri.
Më tej, Kryeministri Berisha uroi që “Krishtlindjet e tjera t’i bëjmë edhe më mirë, të na gjejnë edhe me afër projekteve tona familjare, kombëtare dhe të ecim më shpejtë e më të sigurt drejt Evropës”.
***
- Kryeministri Berisha shprehet se shqiptarët i festojnë këto Krishtlindje si qytetarë të një vendi anëtar të NATO-s dhe shumë pranë lëvizjes së lirë në mbarë Evropën
Po sot, Kryeministri Sali Berisha, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij znj. Liri Berisha, vizitoi Katedralen e qytetit të Shkodrës.
Duke uruar besimtarët katolikë të Shkodrës dhe mbarë Shqipërisë, Kryeministri Berisha u shpreh se “Lindja e Krishtit ka shënuar një ndryshim të madh për njeriun dhe njerëzimin. Kjo është një ditë frymëzimi për besimin te Zoti dhe tek e ardhmja. Kjo është një ditë shprese dhe mirëkuptimi për mbarë shqiptarët”.
Më tej, Kryeministri Berisha theksoi se shqiptarët i festojnë këto Krishtlindje si qytetarë të një vendi anëtar të NATO-s dhe shumë pranë lëvizjes së lirë në mbarë Evropën. “Le të urojmë së bashku që Krishtlindjet e tjera të na gjejnë më afër ëndrrave, më afër dëshirave dhe më afër projekteve tona. Këto Krishtlindje ne i festojmë pasi Shqipëria është anëtarësuar në NATO dhe flamuri i saj, më i vjetër flamur shtetëror i Evropës, qëndron sot mes flamujve të kombeve më të zhvilluara të Evropës dhe botës. Sot, ne jemi më afër se kurrë lëvizjes së lirë të qytetarëve shqiptarë në mbarë Evropën dhe më afër progresit të ndejshëm, të thellë, për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, u shpreh Kryeministri.
Në mesazhin e tij, Kryeministri Berisha uroi që “Krishtlindjet e tjera ti festojmë me një besim më të madh te Zoti, te vetja dhe te Shqipëria, si dhe të lëvizim të lirë në mbarë Evropën si qytetarë të një vendi të lirë. Gëzuar! “
Në këto vizita Kryeministri Berisha shoqërohej edhe nga Kryetarja e Kuvendit znj. Jozefina Topalli. 25/12/2009