Kryeministri Berisha uron besimtarët katolikë me rastin e Krishtlindjeve
Me rastin festës së Krishtlindjeve, Kryeministri Sali Berisha i shoqëruar nga bashkëshortja e tij znj. Liri Berisha, vizitoi sot Katedralen e Shën Palit në Tiranë, ku u prit nga Arqipeshkvi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Imzot Rrok Mirdita.
Kryeministri u përcolli besimtarëve katolikë dhe besimtarëve shqiptarë në tërësi urimet më të përzemërta në këtë ditë të bekuar të lindjes së shpresës dhe adhurimit.
“Është rasti për t`u përcjellë besimtarëve katolikë dhe besimtarëve të krishterë, besimtarëve shqiptarë në tërësi urimet më të përzemërta për këtë ditë të bekuar, për këtë ditë që lindi Krishti, simboli i përjetësisë, shpresës dhe adhurimit, i motivimit të njeriut, i përkushtimit për të mirën, për të ardhmen”, u shpreh Kryeministri Berisha.
Besimet fetare, vijoi Kryeministri, janë gurrat e mëdha që ushqejnë shpirtin e këtij kombi. “Kombi ka qenë fatlum që ushqehet nga këto besime dhe ka dëshmuar para vetes dhe botës dimensionin madhështor të shpirtit të tij që shprehet me tolerancën e shkëlqyer fetare”, vlerësoi Kryeministri.
Më tej Kryeministri tha se këto Krishtlindje na gjejnë ne më mirë se të gjitha Krishtlindjet e tjera, na gjejnë më të lirë, më të denjë, më me shumë shpresë, na gjejnë më të sigurtë në të ardhmen tonë, na gjejnë me Kosovën e pavarur, na gjejnë afër realizimit të ëndërrave tona për integrim.
“Edhe njëherë gëzuar të gjithë shqiptarëve këtë ditë të bekuar, këtë ditë të madhe”! u shpreh Kryeministri.
25/12/2008