E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fjala e Kryeministrit Berisha në mbledhjen e Këshillit të Ministrave

“Mbledhja e sotme ka një rend dite të ngjeshur dhe do të marrë në shqyrtim projektligje dhe vendime shumë të rëndësishme, siç është ai për ngritjen e “one stop shop” për licencat dhe lejet.

Por, para se të  ndalem dhe të komentoj këtë projektligj, që bën një reformë jashtëzakonisht të rëndësishme për sistemin e lejeve dhe licencave në Shqipëri, dua të sjell në vëmendjen e Ministrit të Drejtësisë një problem madhor që ekziston padrejtësisht për mijëra dhe mijëra pronarë shqiptarë, kryesisht në qytete, por edhe në fshatra, kryesisht banorë të përhershëm dhe jo të ardhur. Ky problem është çështja e oborreve në përdorim.

Është fakt se në zyrat e regjistrimit të pasurive janë mijëra e mijëra familje shqiptare, të cilat kanë ndërtuar shtëpitë mbi trojet, pronën e tyre, kanë edhe oborrin tërësisht të tyre, por ato vazhdojnë të njihen si oborre ose troje në përdorim, ndërkohë kur ato janë tërësisht pronë e të zotëve të shtëpisë.  Kjo praktikë buron nga kushtetuta famëkeqe e vitit ’76, në të cilën prona private u eliminua në të gjithë territorin dhe u quajt pronë shtetërore, ndërkohë që këtyre familjeve prona iu  quajt në përdorim.  Mirëpo, kjo gjë i vështirëson të gjitha transaksionet që këto familje duan të bëjnë, i mban ata të pasigurt në pronën  e tyre, duke shpallur si pronar atë që nuk është i tillë, shtetin. 

Ka edhe të tjerë që nuk kanë ndërtuar mbi pronën e tyre, por prej 30-40 vitesh  kanë blerë një copë truall dhe kanë ndërtuar shtëpi aty.

Zoti ministër i Drejtësisë, kërkoj të sillet sa më shpejt në qeveri i tërë kuadri ligjor që i jep përgjigje të menjëhershme, jo burokratike dhe të plotë, çështjes së oborreve në përdorim. Sikundër, duhet të bisedoni me Ministrinë e Financave për të zgjidhur të gjitha problemet.  Ashtu siç ne kemi përmirësuar shumë gjëra, edhe në këtë rast duhet të gjejmë rrugën për të qenë të drejtë me këta pronarë ,që padrejtësisht figurojnë në zyrat e këtij vendi sikur nuk janë pronarë. Mbi bazën e kësaj klauzole, ata faktikisht nuk kanë të drejtë të shesin, të blejnë, apo të kryejnë veprime të tjera mbi truallin e tyre.  

Zgjidhja e këtij problemi përbën një çlirim të madh për tregun, fuqizon më tej tregun e tokës, duke pasur parasysh që ato janë të gjitha territore të çmimeve dhe vlerave më të larta. Të tilla janë pothuajse të gjitha familjet tiranase, por jo vetëm ato, por edhe familje të tjera të cilat kanë ardhur, kanë blerë truall dhe kanë ndërtuar dhe që  më pas çdo gjë e tyre u shpall shtetërore. Të tilla janë familjet shkodrane, të Durrësit, të Vlorës. Por ka edhe një numër jo të vogël familjesh edhe në fshatra, të cilët kanë ndërtuar në tokat e tyre, por ajo nuk mund të quhej e tyre, sepse në stuhinë e zhdukjes së të gjitha pluraliteteve, komunizmi, pas pluralizmit politikë, egërsitë ekstreme ia rezervoi pluralizmit të pronës. Ndaj duhet të ngrihet një grup pune, në mënyrë që kësaj çështjeje t’i jepet përgjigje sa më e shpejtë dhe e vendosur.

Shfrytëzoj rastin  t’ju bëj thirrje të gjithë kryetarëve të bashkive të vendit, që në territorin e bashkive të tyre të veçojnë toka, në mënyrë që ne të mund t’ua ofrojmë ato pronarëve për kompensim. Çdo bashki e ka këtë mundësi, nga Kukësi deri në Gjirokastër. Ky do të jetë një shërbim shumë i madh që ne i bëjmë stabilitetit dhe zgjidhjes së problemit të pronësisë.

Natyrisht, disa grupe pune po punojnë për të diversifikuar ndërhyrjet që mund he duhet të bëjmë ne në zgjidhjen e këtij problemi. Ne do të ndërhyjmë në  këtë drejtim. Shqipëria nuk është më Shqipëria e 15 viteve më parë, kur ka pasur mundësi tmerrësisht të kufizuara. Ne gjetëm një mal falsifikimesh, por sërish po shkohet drejt kthjellimit  në këtë aspekt. Ndaj, në drejtim të zgjidhjes së çështjeve të pronarëve do të ketë një veprim shumë të fuqishëm nga ne.

Në rendin e ditës së mbledhjes së sotme ka një seri projektligjesh dhe vendimesh, por më i rëndësishmi mendoj se është projektligji për licencat, autorizimet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë. Me këtë projektligj, pas regjistrimit elektronik të biznesit  në një sportel të vetëm, ne ia dalim që brenda muajve të parë të vitit që vjen të instalojmë në Shqipëri “one stop shop” për një pjesë të madhe  të licencave dhe lejeve, pasi kemi  zhdukur ndërkohë 2/3 e tyre. Avantazhet janë shumë të mëdha, pasi ka prej tyre që nga afati kohor 30-60 ditë që duheshin më parë, do të bëhen brenda 1 deri 3 ditëve. Kjo është një ndërhyrje shumë e dobishme për klimën e biznesit.

Natyrisht, jo të gjitha lejet e licencat mund të përfshihen në “one stop shop”, pasi disa prej tyre i nënshtrohen një procesi gare të pashmangshme, siç janë  hidrocentralet, por edhe të tjera. Pra, një numër i kufizuar i tyre,për shkak të procedurave që  mbartin në vetvete, mbeten si atribut i ministrive. Megjithatë,  gjykoj se ky vendim është i rëndësie të jashtëzakonshme për ne,për ekonominë dhe zhvillimi e vendit. Ne do të bëjmë çdo gjë për suksesin e kësaj praktike. Nuk është aq e thjesht sa praktika e parë, pra ajo për regjistrimin e biznesit, por është plotësisht e mundshme.

Një tjetër projektligj i rendit të ditës është ai për krijimin e Agjencisë së Zhvillimit të Shoqërisë Civile. Ky ligj synon të krijojë një agjenci për shpërndarjen e fondeve. Ne jemi të vendosur që çdo vit të përcaktojmë fonde për shoqërinë civile. Por shpërndarja e fondeve ka karakter delikat. Kjo shpërndarje nuk duhet të cenojë kurrsesi autonominë e plotë dhe të vërtetë të organizatave të shoqërisë civile. Po ju tregoj atë që ndodhi me sindikatat. Bëra dekretet për dhënien e pronave bashkimeve  profesionale, pro ato harruan dhe sindikalizmi u mor me biznesin. Ky nuk ishte kurrsesi  qëllimi im.  Ata nesër mund të reagojnë ashpër ndaj meje, por unë do i them të vërteta siç i perceptoj. Por nuk mund të ndodhë me shoqërinë civile.

Mendoj se ne duhet të shprehemi që këto fonde të kenë si orientim kryesor monitorimin  e shtetit, të administratës, të sektorit publik, për sa i përket korrupsionit. Përparësi do të kenë organizatat që monitorojnë. Kjo tregon nëse qeveria është e gatshme të japë fonde për organizata që në pamje të parë punojnë kundër saj,  them në pamje të parë sepse në fakt ato punojnë për interesin e vendit dhe interesi i qeverisë nuk mund të jetë ndryshe. Mendoj se qeveria jonë është dhe do të jetë e gatshme për këtë gjë.  Sot, në luftën kundër korrupsionit, shoqëria civile po bëhet faktor kryesor, jo mediat, por shoqëria civile po bëhen faktor kryesor, sepse mediat kanë fatkeqësinë që kapen diku, në mënyra të ndryshme. Nuk e kam fjalën për gazetarët, por për pronarët. Ndërsa shoqëria civile është faktuar tashmë si e tillë.

 Ky ligj vjen si rezultat i punës së një grupi, i cili ka shëtitur disa vende. Jo të gjitha vendet e financojnë shoqërinë civile, por ka disa prej tyre qe bëjnë këtë gjë. Këto financime nuk jepen me kushtëzim nga financimet e tjera që marrin këto organizata. Pra, ne nuk u ndërhyjmë atyre, por ne vetëm dëshmojnë se në kuptimin e financave, ato janë aksionerë të këtij vendi dhe marrin një fond të caktuar nga buxheti i shtetit.

Duhet të synojmë që t’u japim përparësi atyre organizatave që përballen direkt me qeverinë, me administratën, për sa i përket korrupsionit. Është jashtëzakonisht e rëndësishme mbështetja e këtyre organizatave, rrjetëzimi i tyre. Kjo është mënyra më e sigurt për të shpenzuar 1 dhe për të fituar 5, në luftën kundër korrupsionit.

Dëshiroj gjithashtu që, meqenëse sonte është nata e Krishtlindjeve, në emër të qeverisë të uroj të gjithë të krishterët për këtë ditë të lindjes së Krishtit, të shpresës, të jetës, të përjetësisë, sepse është një ditë e madhe për të gjithë besimtarët. Ndaj shpreh urimin tim më të përzemërt për të gjithë shqiptarët,por edhe për ju”.                                                


24/12/2008

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›