E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Berisha vizitoi sot paradite zyrat e Agjencisë së Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave Informale (ALUIZNI). Kryeministri u takua me drejtues e punonjës të saj dhe u inte

Kryeministri Berisha vizitoi sot paradite zyrat e Agjencisë së Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave Informale (ALUIZNI). Kryeministri u takua me drejtues e punonjës të saj dhe u interesua pë ecurinë e procesit të legalizimit.

Drejtori i Agjencisë, zoti Shaban Memia bëri një paraqitje të shkurtër të punës së kësaj Agjencie për kontrollin e dokumentacionit të aplikimit për legalizimin e ndërtimeve informale, dixhitalizimin e të dhënave dhe ecurinë e procesit në tërësi. Zoti Memia prezantoi gjithashtu projektin pilot për legalizimin e ndërtimeve pa leje në zonën informale të Fushë Mëzezit.

Kryeministri vlerësoi ecurinë e procesit të legalizimit, duke e konsideruar një ndër reformat që ka ecur më shpejt. Reformë, e cila do të konkretizohet ditën e hënë me dorëzimin e lejeve të para të legalizimit. Në këtë kontekst, Kryeministri vlerësoi ALUIZNI-in si një ndër institucionet më funksionale në vend. Në komentet e tij, Kryeministri theksoi:

"Ju përgëzoj se realisht kjo reformë është një reformë thelbësore për rendin aktual shoqëror të Shqipërisë. Reforma e pronësisë është reforma e rendit shoqëror. Në njësi kohe të shkurtër ky proces ka ecur më shpejt se çdo reformë tjetër. Shkaku kryesor i kësaj ecurie janë parimet e drejta që u vendosën në themel të saj, parime të konfirmuara në botë si më të përshtatshmet në këtë drejtim. Këto parime bënë të mundur që të gjithë zotëruesit e këtyre pasurive të paluajtshme t'i pranojnë ato me kënaqësi dhe të sjellin brenda një kohe rekord dokumentet e tyre për aplikim. Në mënyrë të pamohueshme këtu është mundi, djersa e përkushtimi juaj, sepse ju ia dolët të ngrini një institucion që nuk ekzistonte dhe ta shndërroni atë në një ndër institucionet më funksionale të vendit.

Në qoftë do të mund t'i ndanim detyrat, mendoj se qytetarët e bënë detyrën e tyre. Tani detyra është krejtësisht e jona. Ndaj, zoti drejtor, duhet të përcaktojmë rrugët dhe mënyrat sesi me të njëjtën shpejtësi si reaguan qytetarët, po me atë shpejtësi të reagojmë ne.

Gjithashtu nuk mund të mos shpreh vlerësimin maksimal për dixhitalizimin e procesit. Ju jo vetëm keni krijuar një arkiv të plotë të këtij procesi, por po e sillni atë në moshën dixhitale, çka është pa diskutim forma më e përshtatshme, më transparente, më e rëndësishme e bashëkohore e tij.

Dua të theksoj dy momente, të cilat janë të një rëndësie të veçantë. Ligji, media kanë krijuar koncept të gabuar sikur informaliteti është vetëm përkatësi e periferisë. Nuk është ashtu. Informaliteti është një proces që shtrihet sa në periferi, aq në qendër të Tiranës. E theksoj këtë moment se është shumë i rëndësishëm për t'u kuptuar sepse deri tani janë të llogaritura afërsisht 7.2 milion metër katror ndërtime, që shtrihen në zona formale në brendësi të qyteteve dhe vijës së verdhe, janë pallate e shtesa. Vetëm në Tiranë janë mbi 20 mijë familje, të cilat jetojnë prej vitesh në apartamente apo disponojnë dyqane e lokale të blera, por asnjë të hipotekuar, sepse bashkia nuk u jepte lejet e shfrytëzimit, pa i vjelë për të fundit herë ndërtuesit. Kjo ka bërë që Tirana të ketë mbi 20 mijë apartamente e lokale brenda vijës së verdhë të pa legalizuara. Ndërkohë që është hipotekuar jashtë çdo kondicioni ligjor, në truall të dhënë me qera dhe që shtrihet në rrugë, pallati i Edvin Ramës, por që i është varur në qafë Dash Pezës, pasi nuk mund të besojmë kurrë që pallati të jetë i drejtorit të tij sepse është e pakonceptueshme. Pallati është hipotekuar edhe pse ka zënë rrugën dhe është pa leje, edhe pse është në tokë që nuk mund të hipotekohet kurrë dhe 20 mijë të tjerë janë në pritje.

U ndala tek ky moment sepse është shumë e rëndësishme të qartësohen qytetarët se ligji u jep atyre të drejtën e plotë të legalizimit e ju duhet të procedoni. Tjetër është marrëdhënia ligjore me ndërtuesin, e tjetër me zotëruesin e apartamentit, të cilët e kanë blerë mbi bazën e kontratës dhe kanë paguar të gjitha detyrimet. Ata mbahen si çengel, të bllokuar vetëm nga vullnete jo të ligjshme të bashkisë së Tiranës. Në këtë kontekst, avantazhi i ndërtimeve informale në zona formale është se këtu mund të ecet me shpejtësi. Do të ishte normale që ju të bëni një klasifikim edhe të standardeve, sepse standardet që janë për ndërtimet në zonë informale nuk janë të njëjta, si procedurë burokratike, me ndërtimet në zonat formale, në zonat në qendër të qytetit. Në këtë rast, duhet të përcaktohet një marrëdhënie sa më e shpejtë me organet që zgjidhen në këto zgjedhje, në mënyrë që të mund ta kompletojë me shpejtësi këtë proces, i cili nuk ka as 1/3 e vëllimit të punës që ka procesi në një zonë informale. Ndaj duhet të qartësohen marrëdhëniet ligjore të qytetarit, që posedon këtë pronë, janë direkte me ALUIZNI-n dhe nuk ka asnjë pengesë për hipotekimin e apartamentit dhe marrëdhëniet e tjera janë me firmën e trajtohen në përputhje me ligjin, në të cilin janë vendosur, pikë për pikë, kërkesat e ndërtuesve, për të cilët është mbajtur një qëndrim miqësor. Ne kemi pranuar 4 për qind për apartament, 15 për qind apo 20 për qind për lokalet, siç i ka sjellë shoqata e ndërtuesve, ashtu i kemi paraqitur në ligj.

Tani problemi i ALUIZNI-it është personeli. Nëse qytetarët e bënë detyrën e tyre, tani fillon detyra jonë e madhe dhe ne duhet të aplikojnë sistemin part time, me kohë të pjesshme. Për këtë duhet të krijojmë grupet me kohë të pjesshme dhe të japim fondet për këto grupe. Janë të shumë gjeometrat, gjeodezët dhe teknikët, të cilët do të dëshironin, në kohën jashtë pune, të kontribuonin e të shpërblehen për kontributin e punës së tyre. Nëse kemi parasysh grupet e verifikimit e kontrollit të dokumentacionit, ata kanë një vëllim të madh pune. Prandaj duhet të krijojmë qindra të tilla, sepse një grup nuk mund të bëjë më shumë se 4-5 të tilla. Është e rëndësishme që këto grupe t'i përdorim ku të jetë e mundur dhe më e mundur për grupet me kohë të pjesshme është brenda vijës së verdhë, sepse nuk u kërkohet të ndryshojnë vend, por të angazhohen aty ku jetojnë. Kjo mund t'u interesojë edhe specialistëve, edhe neve, në mënyrë që me 7.2 milion m2 ndërtime në zona formale, brenda në qytete, po të përdorim termin konvencional të informalitetit, të bëni një shpërndarje të ngarkesës dhe procesi të ecë me shpejtësi të madhe.

Gjithashtu duhet të përgatiten e të jene gati të gjitha dosjet e zonave informate, që sapo të konstituohen këshillat e reja të komunave e bashkive të vendit kjo të jetë prioriteti i parë në mbledhjet e tyre të para, për të bërë aprovimet e për të përcaktuar se kush janë kompetencë e këshillit të qarkut e kush të KRRTRSH-së. Tani ka një volum pune për ju dhe për qeveritë vendore që do të dalin nga zgjedhjet e 18 shkurtit dhe për KRRTRSH-në. Unë kam besim se me përkushtim do ta përmbushim këtë detyrë. E ritheksoj se është e rëndësishme që qytetarët, që kanë ndërtimet e tyre brenda vijës së verdhe, të dallohen qartazi nga detyrimet ligjore. Ligji nuk ua njeh atyre, por kompanive të ndërtimit. Praktikisht ata e kanë rrugën të hapur, pasi nuk mund të bëhet shkas leja e shfrytëzimit, e cila është përdorur si çengel për t'i vjelë. Kjo do ta marrë fund me këto zgjedhje dhe procesi do të ecë më shpejtësi të madhe.

Të hënën dorëzohen tapitë e para. Hernando de Soto, idetë e të cili janë baza e kësaj platforme, e kishte shumë të drejtë kur na rekomandoi e insistoi që regjistrimi i këtyre pasurive të bëhet në zyrën e ALUIZNI-it si rruga më e sigurt për ta kompletuar me shpejtësi procesin. Pati disa xhelozi, por ato kanë kaluar. Ky arkiv do të inkorporohet i dixhitalizuar dhe manual në hipotekën qendrore të shtetit. Fakti që është një proces shumë i madh e bën të domosdoshme që regjistrimi i tyre të bëhet në zyrat e ALUIZNI-t për të thjeshtuar burokracinë."

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›