Kryeministri Berisha ka vazhduar vizitat në rrethe të vendit, ku ka ndaluar sot pasdite në Gjirokastër dhe është takuar me banorë të saj. Duke folur për arritjet e qeverisë në 16 muaj qever
Kryeministri Berisha ka vazhduar vizitat në rrethe të vendit, ku ka ndaluar sot pasdite në Gjirokastër dhe është takuar me banorë të saj. Duke folur për arritjet e qeverisë në 16 muaj qeverisje dhe projektet e ardhshme për Gjirokastrën, Kryeministri theksoi:
"Dua të përulem me shumë nderim e respekt para jush për mbështeten e shkëlqyer dhe besimin e madh që ju dëshmuat më 3 korrik tek Partia Demokratike. Duke e shndërruar Gjirokastrën, këtë monument të kulturës e historisë sonë kombëtare në mbështetje të PD-së dhe të ndryshimit të madh për Gjirokastrën e Shqipërinë.
Kam ardhur sot për t'ju dhënë fjalën e nderit se qeveria që unë kryesoj do të mbështesë Adrian Kokalarin në çdo projekt për qytetin tuaj, projektet për shkolla moderne, në të gjitha projektet për krijimin e zonës industriale dhe për punësimin tuaj, në të gjitha projektet për restaurimin e Gjirokastrës turistike, në të gjitha projektet që do të t'i afrojnë qytetarëve të saj shërbimet cilësore që ata meritojnë. Sikundër ju informoj se është në përfundim projekti për rrugën Kardhiq-Sarandë, që do t'ju shkurtojë në mënyrë të ndjeshme daljen në det.
Unë ftoj mençurinë tuaj të gjykoni e të vlerësoni qeverisjen 16 mujore që doli nga zgjedhjet e 3 korrikut dhe ta vlerësoni atë vetëm mbi një kriter, vetëm nga premtimet që ajo ka bërë e ka mbajtur. Kjo është mënyra më e thjeshtë dhe më e ndershme për të vlerësuar ata të cilëve ju jep votën.
Unë këtu tek ju jam zotuar se qëndrimi ynë ndaj krimit do të jetë toleranca zero. Besoj se në këto 16 muaj ne u faktuam shqiptarëve vendosmërinë tonë të hekurt për t'i kapur bandat e kriminelët kudo që ndodhen, në hotele luksoze në kryeqytetet evropiane apo shpellat e alpeve. Për ta nuk do të ketë paqe, por ligj dhe vetëm ligj. Toleranca zero është e do të jete qëndrimi ynë, sepse për ne jeta juaj dhe siguria e saj, e rrugëve dhe shesheve të qyteteve e komunave tuaja është objektivi ynë më madhor. Ndaj ju them se bandat e banditët nuk kanë të ardhme.
Kam ardhur këtu dhe jam zotuar para jush se do të mbroj paratë tuaja nga zyrtarët e babëzitur, kontrabandistët dhe evazioni fiskal. Vij sot me ballin hapur, sepse në luftën kundër korrupsionit ne ia dolëm të shkurtojmë shpenzimet abuzive të administratës, për telefonata të pafundme, udhëtime, dieta, pritje e përcjellje të pamotivuara, me 100 milion euro. Ne ju premtuam se do të mbrojmë paratë tuaja dhe kam kënaqësinë t'ju raportoj se viti 2006 u mbyll me kosto të prokurimeve publike 25 për qind më pak se një vit më parë.
Premtuam luftën me tolerancë zero kundër korrupsionit dhe kam kënaqësinë t'ju informoj se këtë vit kemi zhdoganuar 2 mijë ton kafe më shumë se një vit më parë, 33 mijë ton naftë, 2 mijë ton birrë dhe qindra ton mallra të tjera, që kontrabandistët i ndanin me politikanët.
Në një vit ne ia dolëm të shpëtojmë nga abuzimi, vjedhja e shpërdorimi 600 milion euro. Ju jeni njerëz që e njihni më mirë financën se të gjithë financierët e tjerë. Unë dua t'ju informoj se çfarë bëmë me këto para dhe si i përdorëm ato. 94 milion ne i përdorëm për të rritur pensionet në qytet e fshat, duke vendosur pensionin minimal 100 mijë lekë në qytet dhe 50 mijë lekë në fshat. 67 milion euro i përdorëm për të paguar rrogat e punonjësve buxhetorë, duke rritur me 23 për qind rrogat e 38 arsimtarëve. Unë i siguroj ata se gjatë këtij mandati rroga e tyre do të dyfishohet. Rritëm 25 për qind rrogat e 12 mijë infermierëve, të cilët i siguroj se rrogat e tyre do të dyfishohen gjithashtu. Rritëm me një mesatare prej 20 për qind rrogat e punonjësve buxhetorë në tërësi.
Nga këto para, 220 milion euro ua kthyem biznesmenëve. Ju premtuam biznesmenëve të Gjirokastrës dhe të Shqipërisë se do të përgjysmonim taksën për biznesin e vogël dhe e realizuam këtë që në javën e parë të qeverisjes. Ulëm tatimin mbi fitimin 15 për qind, taksat mbi të ardhurat personale 33 për qind, çmimin për energjinë 33-45 për qind.
Këtë vit, prokuruam rrugë, ura, autostrada më shumë se në 50 vitet e marra së bashku. Filluam punimet në korridorin Durrës-Morinë, nisin punimet në autostradën Fier-Vlorë. Kjo qeveri do të sjellë rrugën më të shkurtër për Gjirokastrën drejt Tiranës.
Ne vijmë këtu me fjalën të mbajtur. Ju premtuam se do të rrisnim turizmin dhe vitin e kaluar janë rritur 32 për qind të ardhurat nga turizmi.
Ne ju premtuam se do të firmosnim Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit dhe e së bashku me ju nënshkruam më 12 qershor, në Bruksel, kontratën historike me Bashkimin Evropian.
Ju premtuam se do afrohemi me NATO-n dhe morëm nga Samiti i Rigës mesazhin e madh, sipas të cilit Shqipëria do të konsiderohet si vend kandidat për anëtarësim në NATO.
Ju premtuam se do të hapim dyert e universiteteve tona për të gjithë të rinjtë shqiptarë që mbarojnë shkollë e mesme dhe ne e dyfishuam numrin studentëve dhe po shkojmë drejt dyfishimit të investimeve për arsimin dhe shëndetësinë.
Të nderuar qytetarë,
Ky është vetëm një stacion. Ne do të vazhdojmë të mbrojmë paratë tuaj e të mbajmë premtimet. Ju ftoj që në lartësinë e mençurisë suaj të votoni për Adrian Kokalarin, burrin që ka fytyrën e shpirtin tuaj, traditën, dashurinë e respektin tuaj.
Duke përfunduat ju sjell përshëndetjet më të zjarrta nga Tirana dhe mesazhin e fitores së madhe në Tiranë, Gjirokastër e mbarë Shqipërinë."
- Po sot në mesditë, Kryeministri Berisha u ndal në Patos, ku u takua me banorë të këtij qyteti. Kryeministri theksoi se qeveria do të mbështesë çdo përpjekje dhe projekt për zhvillimin e Patosit, për asfaltimin e rrugëve dhe rrugicave, modernizimin e shkollave, gjallërimin e jetës kulturore dhe për një rrjet të shërbimeve sociale të standardeve.
"Rrugët dhe rrugicat e këtij qyteti dhe rrugët e fshatrave të Patosit do të asfaltohen e do të mundësojnë një qarkullim të lirë të mallrave, siç ju e meritoni," u shpreh Kryeministri, duke siguruar se ndryshimi rrënjësor i Patosit, furnizimi me ujë, shërbime cilësore, shkolla moderne dhe shfrytëzimi i burimeve nëntokësore e mbitokësore të kësaj zone do të jenë në vëmendje të qeverisë.
"Unë vij këtu me premtime të mbajtura, - theksoi Kryeministri, - sepse ne i kemi mbajtur premtimet e 3 korrikut. Ne u zotuam para jush se do të shtypim krimin kudo që ndodhet. Sot Patosi dhe Shqipëria janë më të sigurta se kurrë. Organizatat e bandat kriminale dhe anëtarët e tyre janë arrestuar e vendosur para ligjit. Ne ju premtuam luftë me tolerancë zero kundër korrupsionit dhe e nxorëm qeverinë jashtë konfliktit të interesit. Tani nuk ka më ministra e qeveritarë me monopole private siç kishte më parë. Ne u zotuam se do ta nisnim nga zyra e Kryeministrit dhe kam kënaqësi t'ju informoj se Këshilli i Ministrave ka shpenzuar, në vitin 2006, 50 për qind më pak se në vitin 2005 a 2004. Po kështu administrata në tërësi. Duke kursyer në këtë mënyrë nga taksat tuaja rreth 100 milion euro."
Duke u ndalur në projektet e veprave të mëdha publike, Kryeministri u shpreh se me paratë, e shpëtuara nga abuziviteti i qeveritarëve, evazioni fiskal dhe kontrabanda, qeveria ka prokuruar vepra të mëdha publike. "Gjatë dy muajve të fundit të vitit të kaluar dhe tre muajve të parë të këtij viti, - theksoi më tej Kryeministri, - kanë nisur e do të nisin autostrada me 4 korsi, superstrada, rrugë, ura, tunele, porte, më shumë se në 50 vitet së bashku, në rrjetin rrugor të vendit. Është prokuruar dhe kanë nisur punimet në të gjithë aksin Durrës-Kukës-Morinë, është prokuruar e nisin punimet javën e ardhshme në autostradën Fier-Vlorë me 4 korsi, sikurse autostrada Lushnje-Fier po i afrohet Fierit, në mesin e vitit do të nisë autostrada Shkodër-Hani i Hotit dhe projekti 6 mijë kilometra rrugë rurale e dytësore në qytete."