E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha viziton Spitalin amerikan të Tiranës, ku u realizua implanti koklear i veshit

Kryeministri Berisha, i shoqëruar nga bashkëshortja  e tij, zonja Liri Berisha  vizitoi sot Spitalin Amerikan të Tiranës, i cili në bashkëpunim me Universitetin e Vjenës dhe Qendrën Spitalore Universitare realizuan sot për herë të parë në Shqipëri dhe rajon, implantin koklear të veshit.
Ky operacion, i cili u drejtua nga mjeku austriak Prof. Dr. Wolfgang Gstottner, në bashkëpunim me mjekët ORL shqiptarë, si dhe u mundësua nga Fondacioni i Fëmijëve Shqiptarë, të drejtuar nga zonja Liri Berisha, do t'i rikthejë dëgjimin dy pacientëve, njëri prej tyre fëmijë.

Pasi vizitoi pacientët dhe u interesua për gjendjen e tyre pas operacionit, Kryeministri Berisha falenderoi ekipin spitalor dhe në veçanti mjekun vjenez Prof Dr Wolfgang Gstottner, puna e të cilëve do të ndryshojë rrënjësisht jetën e dy pacientëve që vuanin prej vitesh nga mungesa e plotë  e dëgjimit.

“Dua t'i shpreh falënderimin më të madh dhe më të sinqertë këtij spitali, si dhe Profesorit vjenez që kreu sot këtu një operacion që ndoshta për herë të parë kryhet jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon, implanti koklear i veshit, me të cilin i rikthejnë dëgjimin e humbur një mjeku të përkushtuar që sapo e vizituam dhe operacionin tjetër të një fëmije, operacion që do të ndryshojë dhe përmirësojë në mënyrë rrënjësore jetën e tyre. Ky implant, i cili është një nga të rejat  e mëdha të mjekësisë, por dhe më të vështirat e saj, u bë i mundur edhe në sajë të angazhimit të plotë të Fondacionit të Fëmijëve Shqipëtarë, i cili ka ndërmjetësuar në këtë operacion. Edhe njëherë dua të shpreh mirënjohjen më të thellë për profesorin, dua të shpreh mirënjohjen më të thellë atyre që bënë të mundur ndërhyrjet e sotme, ndërhyrje që jo vetëm i ndryshuan jetën dy pacientëve një mjeku dhe një fëmije, por edhe krijuan një rreze të fuqishme shprese për qindra e qindra të tjerë.”
 
Nga ana e tij, mjeku austriak Wolfgang Gstottner shprehu kënaqësinë që operacioni përfundoi me sukses të plotë dhe në pak javë pacientët do të jenë në gjendje të dëgjojnë përsëri.

Ndërsa zonja Liri Berisha, duke falënderuar ekipin mjekësor për përkushtimin e treguar në detyrë, u shpreh se ngjarje të tilla krijojnë optimizmin se në të ardhmen edhe Shqipëria do të jetë vendi ku kryhen operacione të tilla, të ndërlikuara, njësoj si në vendet e zhvilluara të botës.07/12/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›