Zv/presidenti i Komisionit Evropian Antonio Tajani i shpreh Kryeministrit Berisha mbështetjen e plotë për procesin e Integrimit Evropian
Zv/presidenti Tajani: Ligji antimafia shumë i rëndësishëm! Planveprimi i qeverisë kundër korupsionit shumë i rëndësishëm! Debati politik duhet të zhvillohet në parlament!
Kryeministri Berisha priti sot në takim zv/presidentin e Komisionit Evropian dhe komisionerin për transportin zotin Antonio Tajani.
Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, Kryeministri Berisha e falenderoi zv/presidentin Tajani dhe Komisionin Evropian për mbështetjen e vazhdueshme që i kanë dhënë dhe i japin Shqipërisë në rrugëtimin e saj drejt integrimit Evropian. Kryeministri Berisha vlerësoi lart kontributin e jashtëzakonshëm të Komisionit Evropian në përkrahjen e reformave të ndërmarra në vend gjatë këtyre viteve, në kuadër të procesit të integrimit, si dhe kontributin për procesin e liberalizimit të vizave dhe punën voluminoze që KE po bën në hartimin e pyetësorit, që do t’i paraqitet Shqipërisë për hapat e saj të mëtejshme për të marrë statusin e vendit kandidat.
Zv/presidenti Tajani, e falenderoi Kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë dhe miqësore dhe i shprehu atij përkrahjen dhe mbështetjen e plote të Komisionit Evropian, Bashkimit Evropian dhe të popujve të Evropës kundrejt Shqipërisë dhe popullit shqiptar në rrugën për integrimin në Bashkimin Evropian dhe të gjitha proceset e lidhura me të, siç është liberalizimi i vizave.
Në këtë kontekst zv/presidenti Tajani theksoi se planeveprimi dhe reformat e qeverisë në luftën kundër korruspsionit janë shumë të rëndësishme. Ligji “Antimafia” i sapomiratuar nga qeveria shqiptare, si dhe dhe reformat dhe përpjekjet e qeverisë në luftën kundër krimit të organizuar, krimit financiar e të çdo lloji, janë shumë të rëndësishme.
Përsa i përket bojkotit të opozitës, zv/presidenti Tajani, theksoi se debati politik duhet të zhvillohet në parlamentin shqiptar.
Gjatë takimit, Kryeministri Berisha i bëri me dije zv/presidentit Tajani reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare në luftën kundër korrupsionit, si heqja e licensave dhe lejeve që përbënin burim korrupsioni; thjeshtësimi i procedurave administrative dhe vendosja e procedurave digitale, si: 100 përqind prokurime elektronike, regjistrimi elektronik i bizneve përmes procedurës “One Stop Shop”, E-taksa, E-dogana, reduktimi i shpenzimeve abuzive administrative , futja e procedurave “heshtja është miratim” etj. Si rezultat i këtyre masave dhe i luftës me tolerancë zero ndaj korrupsionit, qeveria shqiptare arriti të rrisë të ardhurat në buxhetin e shtetit me rreth 23 përqind në vit dhe të ulë shpenzimet operative nga 3 përqind në 2 përqind të GDP-së. Vetëm nga heqja e privilegjeve të pushtetarëve, si makina e shoferë etj, shpenzimet operative të qeverisë shkurtohen me 30 përqind. Më tej, Kryeministri Berisha i bëri me dije masat e marra nga qeveria shqiptare për zhvillimin e shpejtë të vendit, si ato në fushën e financave, ku Kryeministri Berisha u ndal te taksa e sheshtë 10 përqind, ashtu dhe ndërtimi i infrastrukturave të rëndësishme në të gjithë vendin, qoftë arterie të mëdha si Rruga e Kombit, dhe rrugët që lidhin Shqipërinë me vendet e tjera të rajonit, por edhe rindërtimi dhe asfaltimi i 6 mijë kilometrave rrugë gjatë mandatit të kaluar. Ndërkohë që në katër vitet e këtij mandati, qeveria parashikon të shtrojë rreth 7 mijë kilometra rrugë. Shqipëria në moshën dixhitale është prioritet tjetër madhor i qeverisë shqiptare. Një ndër fushat më të suksesshme të punës së qeverisë gjatë kësaj periudhe ka qenë lufta ndaj krimit ordiner dhe të organizuar, çka bëri të mundur shkatërrimin e 206 organizatave të rrezikshme kriminale dhe sjelljen para drejtësisë të 1000 bosëve dhe anëtarëve të tyre. Qeveria është fokusuar tashmë në luftën kundër krimit ekonomik dhe sapo ka miratuar për këtë qëllim ligjin “Antimafia”. Zv/presidenti Tajani, ndau të njëjtin mendim me Kryeministrin Berisha se ligji “Antimafia” i miratuar nga qeveria shqiptare është shumë i rëndësishëm.
Në takim u diskutua gjithashtu edhe për bojkotin e opozitës. Zv/presidenti Tajani i theksoi Kryeministrit Berisha se debati politik duhet të zhvillohet në parlament.04/12/2009