E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Ftoj opozitën të marrë rolin e saj dhe të ndajmë së bashku axhendën e integrimit dhe të lëvizjes së lirë të qytetarëve

-          Në axhendën tonë kanë pasur dhe do të kenë përparësi të gjitha reformat që lidhen me integrimin dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve. Jam sot këtu për të ftuar opozitën të marrë rolin e saj. Oferta e bërë prej nesh është jashtëzakonisht serioze, e ndershme, dinjitoze.
-          Ministri i Financave dhe Ministri i Brendshëm të thërrasin në një tryezë të rrumbullakët shoqatat e bashkive dhe komunave të vendit, le të ulen me këta përfaqësues dhe t’u japin garanci të plotë se çdo zvogëlim, çdo qindarkë e munguar për shkak të politikës së të taksave të ulëta të qeverisë, do t’u kompensohet  nga buxheti i shtetit.
Kryeministri Berisha mori pjesë sot në mbledhjen e përjavshme të grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Në  fjalën e tij në këtë mbledhje, Kryeministri u shpreh:  
“Shpreh kënaqësinë time të madhe që sesioni i parë i kësaj legjislature pret festën e Evropës, të kombit shqiptar, me një veprimtari intensive, feston 8 dhjetorin, pas një kontributi shumë të madh në axhendën evropiane të kësaj mazhorance. Qeveria, parlamenti, institucionet kanë një dhe vetëm një axhendë, atë të heqjes së vizave dhe të integrimit në Bashkimin Evropian.
Fundjava kishte zhvillime të mëdha. Në fundjavë, përfaqësues të të gjitha agjencive dhe dikastereve të vendit u mblodhën në Durrës dhe nisën punën, përgatitjet, instruktazhin, me ndihmën e qeverisë mike kroate dhe Kryenegociatorin e tyre në procesin e Statusit, të cilin dua ta falënderoj përzemërsisht për mbështetjen. Në këtë takim, përfaqësuesit shqiptarë morën udhëzime dhe zhvilluan një trajnim shumë të frytshëm lidhur me pyetësorin, për të cilin pritet që Komisioni Evropian ta përgatisë gjatë javëve që vijnë. Kjo përgatitje do të vazhdojë. Siç kemi deklaruar, ne do të angazhojmë, do të mobilizojmë të gjitha burimet njerëzore, financiare, si qeveri, si parlament,të gjitha agjencitë, në mënyrë që të jemi në lartësitë e këtij procesi.
Përfaqësuesi i Komisionit Evropian dhe Drejtori për Rajonin, në mbledhjen e Komitetit Ndërministror të Integrimit, ku ai asistoi, dha udhëzime shumë të rëndësishme, këshilla dhe sugjerime shumë të dobishme, të cilat do të merren parasysh gjatë të gjithë procesit. Ky do të jetë një proces që do të marrë një kohë të caktuar, jo aq të shkurtër sa ne do të donim, por rëndësi ka që ai të jetë i vërtetë, të jetë solid, të jetë bindës dhe të jepen përgjigjet më të mira.
Po gjatë kësaj fundjave, në Tiranë ishte për vizitë Zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, një mik i çmuar dhe i shquar i Shqipërisë dhe shqiptarëve, Antonio Tajani. Në takimin që pata me të dhe në drekën miqësore me të, Zëvendëspresidenti i KE-së, vuri theksin në vazhdimin me vendosmërinë më të madhe të luftës kundër korrupsionit. Unë e njoha Zëvendëspresidentin e KE-së edhe me masa të tjerat rrepta që kjo mazhorancë ka marrë në luftën kundër korrupsionit; me shkurtimin me 30 për qind të shpenzimeve operative të të gjithë institucioneve shtetërore të këtij vendi, me vendosjen e standardit të ri për veturat, të cilat penalizonin taksapaguesit shqiptarë me 19 mijë dollarë për çdo shofer në vit, me vendosjen e parimit “heshtja është miratim”, me prokurimet elektronike 100 për qind dhe me të gjitha masat e tjera që po merren dhe do të vazhdojnë të merren në luftën kundër korrupsionit, luftë kjo e cila do të fitohet nga kjo mazhorancë. Në qoftë se në mandatin e parë mazhoranca fitoi betejën, ne do të fitojmë luftën kundër korrupsionit e krimit. Por, Zëvendëspresidenti vuri theksin, në mënyrë të veçantë tel ligji Antimafie dhe lufta kundër mafies. Unë e informova Zëvendëspresidentin për sukseset spektakolare në luftën kundër krimit të organizuar dhe bandave (të cilat edhe ai i njihte mirë), por edhe faktorët që e kanë frenuar dhe që kanë qenë politik deri diku, pra e njoha me suksesin luftës kundër mafies dhe që tani do të jetë një luftë e përditshme, me zero tolerancë, do të jetë një luftë e cila do të fitohet, do të jetë një luftë pa asnjë lloj nuance politike. E informova se ligji që sapo miratuam do të shoqërohet me një seri vendimesh dhe udhëzimesh të tjera nënligjore, për ta bërë atë të zbatueshëm plotësisht në çdo fushë. Qeveria është e gatshme të përdorë dekretet, një e drejtë që Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë ia njeh Këshillit të Ministrave, për rastet e ndërhyrjeve të shpejta. Mafia nuk ka të ardhme.
Agjencitë e zbatimit të ligjit po punojnë dhe janë në veprim të plotë. Në rast se nevojiten ndryshime ligjore, ato do të bëhen. Mund t’ju them se  Zëvendëspresidenti i KE-së, për shkak të disa eksperiencave me ndonjë vend tjetër, i cili është bërë anëtar në BE dhe kanë dalë probleme të mëdha, më deklaroi se kjo përbën një çështje shumë të rëndësishme në rrugën e integrimit tonë në Bashkimin Evropian.
 Në axhendën e parlamentit dhe të qeverisë kanë pasur dhe do të kenë përparësi të gjitha reformat që lidhen me integrimin dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve. Jam sot këtu për të ftuar opozitën të marrë rolin e saj. Oferta e bërë prej nesh është jashtëzakonisht serioze, e ndershme, dinjitoze. Janë ligjet, reformat në parlament dhe jo thasët e plehut për qytetarët shqiptarë, ato që përfaqësojnë, grishin dhe ftojnë opozitën shqiptare. Thasët e plehut përfaqësojnë mafien, mafien dhe vetëm mafien. Besoj se këtë e ka të qartë çdo qytetar i këtij vendi. Ndaj, duke dashur vendosmërisht, të ndajmë axhendën e integrimit dhe të lëvizjes së lirë, bashkërisht me opozitën, edhe njëherë e ftoj atë që të marrë funksionet e veta.
Të nderuar deputetë! Ne po kalojmë një nga situatat më të vështira ekonomike e sociale të Evropës e të botës. Sërish dua të theksoj se për Shqipërinë, përgjigja më e mirë ndaj krizës ishin dhe janë reformat dhe, në qoftë se ne, një vend i vogël, arritëm t’i rezistojmë krizës globale, e arritëm këtë para së gjithash dhe mbi të gjitha, për shkak të reformave që ne ndërmorëm. Reformat do të vazhdojnë. Në qoftë se ne ulim taksat, këtë nuk e bëjmë absolutisht për të ndëshkuar një person që është i PS-së apo një person që është i PD-së.  Absolutisht jo. Nuk bëhet kjo për asnjë lloj forme diskriminimi, por bëhet për të mbrojtur gjeneratorin kryesor të punësimit, kjo bëhet për të fuqizuar gjeneratorin e punësimit në këtë vend, kjo bëhet me besimin tonë më të thellë se paratë në kontot e biznesmenëve dhe investitorëve privatë, janë  më të vlefshme për vendin sesa në kontot publike, sepse janë ata që punësojnë, që prodhojnë, që janë  promotorë të zhvillimit të vendit.
Ne do të bëjmë çdo përpjekje për të ulur taksat.  Të ngjall keqardhje një protestë e atyre që kanë pasur nga kjo qeveri 3-4 herë financime më të mëdha se sa më parë, të ngjall keqardhje kur sheh partnerë që protestojnë për atë që s’ka asgjë të përbashkët me interesat e qytetarëve të tyre, por vetëm në funksion të aleancës. Megjithatë, zoti Bode u bëri atyre një transparencë shumë të shkëlqyer. Ai, me fakte, paraqiti  rritjen e madhe të financimit për qeverisjet vendore. Lëvizja që ne bëjmë në kuadrin fiskal, ka dy qëllime; së pari, mbrojtjen dhe zbatimin e politikës së taksës së ulët. Nuk duhet të ndodhë siç ndodhi në Tiranë që vetëm tabela e dyqanit filloi të kushtojë pothuajse sa gjysma e taksës së biznesit të vogël dhe taksa e gjelbërimit u bë 4-fishi i asaj që kishte qenë 2 vjet më parë,  ose nëse këto para shkuan për të paguar mijëra militantë, me të cilit unë nuk kam asgjë, por thjesht u them se nuk mund të paguhen në këtë mënyrë, pasi institucionet shtetërore nuk janë ndërmarrje punësimi. Në filozofinë tonë, sa më e vogël administrata, aq më shumë rriten shanset e punësimit në sektorin privat, aq më shumë zvogëlohet abuziviteti mbi sektorin privat.
Me gjithë këto çështje, unë sërish i kam kërkuar Ministrit të Financave dhe Ministrit të Brendshëm që të thërrasin në një tryezë të rrumbullakët shoqatat e bashkive dhe komunave të vendit, pra të realizojnë një tryezë shumë të zgjeruar, ku të marrin pjesë edhe këta zotërinj të cilët nuk kishin asgjë të përbashkët me protestën e plehut, sepse plehu lidhej vetëm me një person dhe është e qartë se me kë. Këta drejtues lokalë kanë ardhur, vijnë dhe do të vijnë në zyrën time sa herë të kenë nevojë për problemet e qytetarëve. Pra, ministrat e mësipërm le të ulen me këta përfaqësues dhe t’u japin atyre garanci të plotë se çdo zvogëlim, çdo qindarkë e munguar për shkak të politikës sonë të taksave të ulëta, do t’u kompensohet nga buxheti i shtetit, madje edhe më shumë. Unë dua të theksoj këtu se ne jemi të vendosur të rrisim sa më shumë investimet për komunitetin, ne jemi të vendosur që ato investime të realizohen  sa më shpejt, sa më mirë të kontrolluara, sa më me eficencë.
Partneriteti ynë me qeveritë vendore do të vazhdojë, pavarësisht nga ngjyrat partiake. Për këtë nuk mund të ketë asnjë dyshim. Sikundër, unë u bëj thirrje zotërinjve të nderuar, të majtë dhe të djathtë dhe të çdo force politike, të mos harrojnë se jemi  votuar  për administratë të vogël, për qeveri të vogël. Kur ne erdhëm në pushtet gjetëm një administratë me 115 mijë punonjës, ndërkohë që në sajë të reformave të thella dhe të gjithanshme, sot jemi me 89 mijë punonjës. Në mënyrë absolute, kjo nuk është bërë për ndëshkim të askujt, por në interesin më të mirë të shoqërisë shqiptare dhe të  qytetarëve të shqiptar. Ndaj, edhe njëherë, zoti Bode dhe zoti Basha, ju do të organizoni një tryezë të rrumbullakët me shoqatat e bashkive e komunave. Le të jetë një mbledhje e zgjeruar. Le t’u dërgohen edhe ftesa individuale. Ata le të paraqesin dokumente të qarta, ose të ketë marrëveshje që mbi bazën e dokumenteve të qarta dhe të ligjit për politikën e deklaruar për të cilën kjo qeveri është votuar, atyre do t’u  kompensohet qindarkë për qindarkë humbja. Ne nuk mund të kemi asnjë lloj qëllim tjetër përveç investimeve të mëdha në të gjitha komunat e bashkitë e vendit.
Ky muaj është muaj festash, por është edhe muaji i punëve të mëdha. Parlamenti ka një axhendë shumë të ngjeshur. Unë do të veçoja këtu ligjet që janë, në mënyrë të veçantë për regjistrimin e përgjithshëm të njerëzve, të pasurive bujqësore e jo bujqësore , regjistrim i cili do të jetë i pari i një Shqipërie dixhitale, regjistrim që do të jetë me të dhënat më të plota, edhe me përkatësinë etnike, me mundësinë më të lartë të përdorimit. Ky është një premtim i imi për minoritetet. Përmes këtij regjistrimi, njerëzit do të kenë të drejtën të deklarojnë, në mënyrë absolute, pa asnjë lloj problemi, përkatësinë e tyre etnike, besimin fetar dhe çfarë do gjëje tjetër që do të gjykohet e nevojshme. Ne do të bëjmë një regjistrim tërësisht transparent. Ky është një ligj jashtëzakonisht i rëndësishëm, që është në duart tuaja tashmë në parlament, është ligji i dokumentit elektronik. Ne jemi zotuar, Shqipëria dixhitale do të jetë vepër monumentale e këtij katër vjeçari, do të jetë monumenti madhështor i kësaj mazhorance, me të cilën shoqëria shqiptare shkëputet dhe vendoset në një nga nivelet më të avancuara të moshës dixhitale jo në rajon, por në Evropë. çdo ditë po punohet me intensitet në këtë drejtim. Ky është ligj themelor për Shqipërinë dixhitale. Pra, festat t’i festojmë, urimin le ta bëjmë me reforma”.             07/12/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›