Kryeministri Berisha viziton familjen e të ndjerit Artan Zeka
Kryeministri Berisha vizitoi sot familjarët e të ndjerit Artan Zeka, i cili humbi jetën ditën e djeshme si pasojë e një vepre kriminale. Gjatë vizitës Kryeministri Berisha shprehu ngushëllimet dhe tronditjen e tij për humbjen e djalit, prindit dhe njeriut te dashur.
Kryeministri Berisha u shpreh: “Na ka tronditur thellë në shpirt sepse humbëm një djalë të mrekullueshëm, një prind të mrekullueshëm, një njeri jashtëzakonisht të përkushtuar, të dashur, të respektuar. E humbëm jo nga aksident, e humbëm nga një dorë që qëlloi në emër të së shkuarës. Një dorë kriminale që nuk pajtohet me përpjekjet e shoqërisë shqiptare për të ardhmen.”
Kryeministri Berisha u shpreh se kjo është forma më e shëmtuar e krimit, intolerancës dhe urrejtjes totale në një proces fisnik.
Kryeministri vijoi: “Jemi te lënduar që të gjithë në atë që besojmë, në atë që përpiqemi. Pavarësisht se secila forcë politike ka projektin e vet, por atë e ka për të gjithë shqiptarët nuk e ka që të lumturoj një pjesë dhe të mjerojë një pjesë”.
Duke iu referuar aktit Kryeministri Berisha tha se personi është një fanatik, ekstremist, që do të marrë dënimin më kapital, më të merituar, pasi ai ka goditur dhe lënduar gjithë shoqërinë.
“Ne do të jemi me ju dhe me këta fëmijë sa të kemi forcën e mundshme. Kemi borxh të përjetshëm. Ai ra për vlerat mbi të cilat ne përpiqemi të ndërtojmë Shqipërinë, të ndërtojmë të ardhmen. “ - tha Kryeministri Berisha.
13/06/2009