Kryeministri Berisha viziton panairin “Formim & Punësim”: Katër vitet që vijnë punësimi do të jetë në epiqendër të reformave të qeverisë

Kryeministri Berisha vizitoi sot panairin “Formim & Punësim”, organizuar nga Ministria e Punës Çështjeve Sociale dhe Shanceve të Barabarta
Duke përshëndetur përzemërsisht organizimin e këtij panairi, Kryeministri Berisha tha se, kjo nismë e shkëlqyer ka disa vite që është konsoliduar dhe konsolidohet si një traditë e rëndësishme dhe e mirë e tregut të punës në Shqipëri, si një ngjarje, e cila ofron mundësi konkrete dhe reale punëkërkuesve, për të gjetur vende pune dhe për tu punësuar.
Kryeministri theksoi faktin se, qëllimi numër një dhe më kryesori i të gjitha reformave që ndërmerr qeveria është punësimi i qytetarëve shqiptarë.
Megjithëse kriza ekonomike botërore ka pasur ndikimet e veta duke bërë që në shumë vende të Rajonit papunësia të dyfishohet, Kryeministri Berisha tha se, ekonomia shqiptarë i rezistoi recensionit, ajo sigurisht u përballa me pasojat e kësaj krize, por në asnjë rast nuk ra në recension dhe mbeti ekonomia e vetme në Rajon, që pati jo rritje, por rënie të papunësisë.
Gjithashtu, kryeministri Berisha theksoi se, gjeneratori kryesor i punësimit është sektori privat me rritjen e tij ekonomike, ndaj dhe qeveria shqiptare për ti zgjeruar hapësirat sektorit privat, për gjenerimin çdo ditë të dhjetëra e qindra vendeve pune, vendosi pak vite më parë taksën e sheshtë.
Kryeministri Berisha ka premtuar se përsa kohë të votohet Partia Demokratike dhe qeveria e saj do të ketë vetëm ulje të vazhdueshme të taksave, tarifave dhe detyrimeve të tjera të investitorëve dhe kjo me qëllimin më kryesor, për nxitjen e madhe të rritjes ekonomike, nxitjen e madhe të punësimit të shqiptarëve.
“Ju garantoj, se katër vitet që vijnë tregu i punës do të jetë në epiqendër të reformave tona. Do të adaptojë në Shqipëri reformat më të shkëlqyera të trajnimit, të kualifikimit të tregut të punës. Reforma, të cilat kanë faktuar se për të njëjtën rritje ekonomike mund të garantosh rritje shumë më të lartë punësimi”, - u shpreh Kryeministri Berisha.
Gjatë fjalës së tij kryeministri tha:
Zoti ministër Ksera
Të nderuar organizatorë dhe drejtues të panairit të punësimit dhe formimit të vitit 2013
Të dashur sipërmarrës dhe sipërmarrëse, të pranishëm në këtë panair
Qytetarë dhe qytetare, që jeni sot këtu në kërkim të vendeve të punës
Ju përshëndes përzemërsisht për këtë nisëm të shkëlqyer, e cila ka disa vite që është konsoliduar dhe konsolidohet si një traditë e rëndësishme dhe e mirë e tregut të punës në Shqipëri, si një ngjarje, e cila ofron mundësi konkrete dhe reale punëkërkuesve, për të gjetur vende pune dhe për tu punësuar.
Me këtë rast me lejoni edhe njëherë të theksoj se, qëllimi numër një dhe më kryesori i të gjitha reformave që ndërmerr qeveria është punësimi i qytetarëve shqiptarë. Si kushti më themelor, që gratë dhe burrat, të rinjtë dhe të rejat e këtij vendi të ndërtojnë jetën e tyre, begatinë e tyre, të ardhmen e tyre, të ndërtojnë suksesin e tyre, me mundin, djersën dhe gjeninë krijuese, të ndërtojnë dobinë e tyre. Puna është një bekim i vërtetë i Zotit për njeriun. Ndaj dhe ne jemi të vendosur të bëjmë gjithçka, që çdo shqiptar të gëzojë këtë bekim.
Zonja dhe zotërinj
Këto katër vite kanë qenë vitet më të vështira për ekonominë e vendeve të zhvilluara. Papunësia në të gjitha vendet për rreth ka njohur dyfishim dhe më shumë se dyfishim. Ekonomia shqiptare i rezistoi recensionit, ajo sigurisht u përball me pasojat e kësaj krize, por në asnjë rast nuk ra në recension dhe mbeti ekonomia e vetme në Rajon që pati jo rritje, por rënie të papunësisë. Por a jemi ne të kënaqur me këtë? Jo absolutisht. Ne synojmë në katër vitet që vijnë një nxitje të re, të fuqishme, të madhe, të punësimit. Në shoqëritë e lira zhvillimi fakton se punësuesi gjeneratori kryesor i punësimit është sektori privat me rritjen e tij ekonomike. Ndaj dhe ne për ti bërë të mundur dhe për ti zgjeruar hapësirat sektorit privat, për gjenerimin çdo ditë të dhjetëra e qindra vendeve pune, vendosëm pak vite më parë taksën e sheshtë. Taksë e cila është faktuar se për çdo dollarë që i mbetet fitim sipërmarrësit, më shumë se gjysma e tij i kalon direkt punëtorit, i kalon me rroga, i kalon me mjedis pune më të mirë, i kalon me vende të reja pune.
Pra ishte kjo taksë që e bëri Shqipërinë një vend tërheqës dhe ne ia dolëm që në katër vite të thithim më shumë se 4. 2 miliard dollarë investime nga këta miq të huaj që unë gjeta këtu, italian, anglezë, greke dhe nga e gjithë Europa, që erdhën këtu dhe vendosën projektet e tyre, por dy herë më të mëdha ishin investimet e sektorit privat shqiptar gjatë këtyre viteve dhe mbi 2.6 miliard dollarë ishin investimet e sektorit publik.
Ne synojmë në katër vitet e ardhshme investimet private të huaja direkte të arrijnë së paku në 6 miliard dollarë dhe ne kemi garanci të plotë për këtë, sepse ne vendosëm një paketë të re fiskale, e cila hoqi çdo lloj takse dhe tarife doganore për çdo lloj makinerie apo materiali ,që do të importohet për prodhim.
Ne kemi garanci për këtë se në sektorë të tërë të industrisë, në të cilët rrogat janë nën 300 mijë lekë, ne hoqëm tatimin mbi të ardhurat personale prej 10 përqind, duke zgjeruar hapësirën investuese të investitorëve me 10 përqind, duke rritur pagat e këtij sektori me 10 përqind.
Ne vendosëm, që për çdo të ri që do të punësohet tre vite, qeveria do të marrë përsipër trajnimin dhe të gjitha taksat e tjera. Unë ju garantoj ju të dashur sipërmarrëse dhe sipërmarrës, se qeveria po studion të gjithë hapat e tjerë të rëndësishëm për të zgjeruar hapësirën e lirisë suaj ekonomike. Ata të cilët kërcënojnë sipërmarrjen tuaj me taksa të larta, ata të cilët kërcënojnë rikthimin e regjimeve të taksave të larta janë pa mend, sepse harrojnë se cili është çmimi i rritjes së taksave të larta për investitorin. Çmimi i rritjes së taksave të larta dhe kjo krizë faktoi, është shkatërrimi i qindra dhe mijërave vendeve punë, është ç ’punësimi masiv, është dekurajomi i entuziazmit të investitorëve dhe besimit të tyre tek vendi.
Ndaj të dashur investitorë dhe investitore, punonjës dhe punonjëse të sipërmarrjeve shqiptare. Ju garantoj se për sa kohë do të votoni Partinë Demokratike dhe këtë qeveri do të ketë vetëm ulje të vazhdueshme të taksave, tarifave dhe detyrimeve të tjera tuaja.
Kjo me qëllimin më kryesor, për nxitjen e madhe të rritjes ekonomike, nxitjen e madhe të punësimit të shqiptarëve. Ju garantoj, se katër vitet që vijnë tregu i punës do të jetë në epiqendër të reformave tona. Do të adaptojë në Shqipëri reformat më të shkëlqyera të trajnimit, të kualifikimit të tregut të punës. Reforma, të cilat kanë faktuar se për të njëjtën rritje ekonomike mund të garantosh rritje shumë më të lartë punësimi. Ne do të bëjmë gjithçka, që agjensitë shtetërore dhe private të punësimit të kenë mjetet më moderne të menaxhimit. Do të bëjmë gjithçka të vendosim sistemin më të mirë të kualifikimit dhe trajnimit të krahut të punës, do të bëjmë gjithçka për nxitjen e shumëllojshmërisë së kontratave, të cilat do tu bëjnë të mundur qytetarëve shqiptarë me mijëra e mijëra vende të reja punë. Pak ditë më parë tek ndiqja një tavolinë të rrumbullakët me specialist të shquar të botës universitare , por dhe të agjesive të punësimit një zonjë e nderuar nga Shkodra më nis një sms dhe më thotë: “kjo që thatë ju për mini punën është një ide e shkëlqyer. Unë kam një të sëmur në shtëpi dhe jam e përkushtuar në shërbim ndaj saj, por përsëri në shtëpi mua me mbeten edhe katër orë të lira dhe e kam ëndërr që ato katër orë ti bëj punë në një sipërmarrje”, - ndaj dhe ne do të bëjmë reforma, që tregu i punës të bëhet tregu më fleksibel i rajonit dhe të bëjmë gjithçka që shqiptarët të punësohen sa më shumë në këtë vend.
Edhe njëherë ju përgëzoj dhe ju falenderoj shumë, për këtë panair të shkëlqyer që keni organizuar dhe ju uroj suksese, ju sipërmarrësve dhe sipërmarrëseve, punë kërkuesve dhe punonjësve të sipërmarrjeve tuaja.
Faleminderit
04/04/2013