E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha bashkëbisedon me akademikë dhe pedagogë të shkencave bujqësore mbi perspektivën e zhvillimit rural dhe të bujqësisë në vend

Kryeministri Berisha bashkëbisedoi sot me akademikë e pedagogë të shkencave bujqësore, si dhe specialistë të fushës së bujqësisë, ushqimit dhe blegtorisë.

Në tryezën e rrumbullakët me pjesëmarrjen e përfaqësuesve shkencorë dhe pedagogjikë të Universitetit Bujqësor të Tiranës, Universitetit të Korçës, përfaqësuesve të qendrave të Transferimit të teknologjive bujqësore në rrethe etj., Kryeministri dialogoi mbi problematika të zhvillimit bujqësor dhe rural të vendit, si dhe paraqiti vizionin dhe objektivat e këtij zhvillimi në të ardhmen.

Kryeministri i falënderoi ata për bashkëpunimin e ofruar ndaj qeverisë, në konceptimin, hartimin dhe realizmin e mjaft programeve të mëdha kombëtare që qeveria ka realizuar në këto 8 vite, si dhe vlerësoi rolin e mendimit dhe kërkimit  shkencor, në realizimin e projektit madhor për zhvillim rural dhe bujqësi moderne.

Akademikët parashtruan një sërë sugjerimesh dhe ngritën disa çështje që kanë të bëjnë me përmirësimin dhe ngritjen në një nivel të ri të arsimimit në fushën e bujqësisë, me mbështetjen më të madhe te studentëve që zgjedhin për të studiuar në këtë fushë, me fuqizimin e rolit të kërkimit shkencor, me nxitjen më të madhe dhe promovimin e prodhimeve bujqësore vendase, etj.

Duke iu përgjigjur secilës problematike në veçanti, Kryeministri siguroi se qeveria është e interesuar të konsolidojë një bashkëpunim konstant me elitën akademike në fushën e bujqësisë dhe se projekti madhor për zhvillimin rural të vendit  ka nevojë jetike për mendimin e tyre shkencor.

Në fjalën e mbajtur në nisje të këtij bashkëbisedimi, kryeministri Berisha u shpreh:

“Së pari dëshiroj tu përshëndes shumë përzemërsisht, tu falënderoj me mirënjohje për kontributin tuaj për bashkëpunimin që ne kemi dhe tu siguroj se në projektin tonë për një zhvillim rural dhe bujqësi moderne, në projektin tonë për një  përpjekje të madhe, natyrisht jo afatshkurtër, e cila synon në dhjetëfishimin e prodhimit bujqësor dhe të fushës në tërësi në Shqipëri, ne llogarisim si kusht Sine qua non, udhëheqjen tuaj të këtij procesi me studimet, me kërkimet shkencore, llogarisim, besojmë dhe mendojmë se ju do të jeni arkitektët më të mirë të këtij projekti ambicioz, por plotësisht të mundshëm për tu realizuar, siç kanë faktuar vende të tjera dhe jashtëzakonisht të rëndësishëm për një Shqipëri, vend i zhvilluar.

Gjatë këtyre viteve përqendrimi ynë total ka qenë në ndërtimin e një infrastrukture, nen moton “tu japim fshatrave infrastrukturën e lagjeve të qyteteve”. Me këtë moto kemi investuar në Shqipërinë rurale, mbi 60 % të të gjitha investimeve tona. Kemi ndërtuar mbi 8 mijë km rrugë, mbi 1 mijë shkolla, qindra qendra shëndetësore, ujësjellës kanalizime dhe prapë është një inventar i tërë për tu realizuar, por po shkon drejt finalizimit. E rëndësishme është që ky mandat i ardhshëm në 2-3 vitet e para, finalizon infrastrukturën rrugore dhe gjatë këtij mandati ne jemi ambiciozë për të nisur një infrastrukturë ujitje, ndër më modernet që ekziston.

Ne do të bëjmë gjithçka për përmirësime të mëdha dhe cilësore, për ti garantuar zonave rurale të Shqipërisë të njëjtat parametra energjie elektrike njësoj si zonat urbane, pra do të bëjmë gjithçka për të lehtësuar veprimtarinë  e tyre. Së bashku me ju kemi projektuar programe kombëtare shumë të rëndësishme, siç është programi i ullirit dhe ai po lëshon shtat çdo ditë  e më fuqishëm. Unë udhëtoj shpesh dhe mahnitem me plantacionet e pafundme dhe të reja që kanë veshur kodrat  e vendit në zonën ku ato mund të mbillen Kemi ndërmarrë  projektin tjetër të arrorëve. E vërteta është që ky projekt ka patur një interes të madhe dhe në rritje.

Këto ishin dy projekte kryesore, fillimisht punuam me vreshtat e mollët dhe vazhdojmë edhe me to. Pra koncepti ynë është koncepti i krijimit të pyjeve me drurë frutorë në vend, dhe ky koncept po ecën dhe zhvillohet dhe ky koncept nuk është vetëm në Shqipëri, ai po lëshon shtat dhe zhvillohet edhe ne shumë vende të tjera të botës.

I një rëndësie të jashtëzakonshme për ne është dhe një hap i madh cilësor në përmirësimet rracore. Aty qëndron dhe roli juaj më kryesor. Çfarë duhet të bëjmë ne që të mbarështrojmë rracat më të mira, fidanët më të mira, farat më të mira. Pa kërkimin tuaj shkencor, kjo është e pamundur të realizohet, por përqendrimi në këtë fushë është jetik për projektin tonë ambicioz.

Krahas kësaj ne duhet të qëmtojmë për çdo potencial të pashfrytëzuar, Unë po ju jap një shembull, komuna e Zall-Dardhës është një nga komunat më të izoluara të vendit sot, me pak tokë dhe si kjo zonë mes Peshkopisë, Mirditës, Kukësit,  është një zonë tjetër e cila po hapet ka qenë mes Librazhdit dhe Peshkopisë, një zonë tjetër e cila po kështu nuk ka infrastrukturë është mes Gramshit, Korçës, Përmetit, por këto janë zona të cilat ne i kemi identifikuar dhe do të ecim drejt infrastrukturës së tyre. Pra si solla si shembull Zall Dardhën, në të cilën  sherebela është e cilësisë më të lartë, ndaj dhe ne të përpiqemi me studime të veçanta që të bëjmë që kjo tokë të prodhojë kudo, të zhdukim konceptin “tokë pa fryte”. Një tokë plot diell dhe ujë, nuk mund të jetë  pa fryte, le ta kthejmë tokë me fruta. Këtë tokë e kthejnë njerëzit e lirë me punën e tyre, ne duhet ti ndihmojmë ata, duke i mbështetur dhe orientuar. Këtë e them se në konceptin e mëparshëm ne kishim tokë bujqësore, më pak se çdo komb tjetër në Evropë, 1800 m2 për frymë, ndërkohë që potencialin e kemi shumë më të madh. Nuk themi që tu qepemi kodrave dhe maleve, por fermerët i mbështesim të organizohen, të investojnë për jetën e tyre më të mirë. E vërteta është që kjo po ndodh sot. Në rast se ju rastis të udhëtoni në kodrat e Mallakastrës, ne kodrat e Beratit, të Dumresë, ju do të shihni se shpatet e tyre nuk janë më pa fryte, janë të veshura, të qëndisura me ullishte, të pafund, ndaj dhe është jashtëzakonisht i rëndësishëm roli juaj kërkimor shkencor, mbështetja  e qeverisë për ju. Është  shumë e rëndësishme që ju mbi bazën e njohurive shkencore, studimeve, të përcaktoni të gjitha modalitete e ndërhyrjeve. Ne jemi  të gatshëm të përshtatim politikat më nxitëse në këtë fushë. Ne kemi sektorë të tjerë të injoruar. Le të marrim peshkimin. Unë dje vizitova një fabrikë të përpunimit të peshkut dhe nga e merrnin do të pyesni ju, deri nga Argjentina, në një kohë kur ujërat tona, detet tona janë të mbipopulluar, por mungon një flotë e përshtatshme peshkimi, apo një industri e cila mund të punësojë mijëra e mijëra vetë. Natyrisht unë u premtova dha kam premtuar se një plan kombëtar për peshkun dhe për peshkimin do ta bëjmë. Një vend që ka ujëra të shumta, dete, liqene, rezervuarë të panumërt, ka një potencial shumë të madh në këtë fushë dhe absolutisht brenda një kohe të shkurtër ne do të fillojmë bashkë me ju të hartojmë planin kombëtar dhe të fillojmë me vendosmëri zbatimin e tij.

Por të nderuar miq, kjo fushë ka dhe një aspekt tjetër të një rëndësie jetike. Ky aspekt është punësimi, e vërteta është që sot në këto fusha vendi i punës krijohet me koston më të ulët se ne te gjitha fushat e tjera dhe kjo është shumë e rëndësishme për ne. Ne nuk ndalojmë dhe nuk do të ndalojmë kurrë trendin e urbanizmit të vendit. Por ne do të bëjmë gjithçka që të nxisim , të mbështesim punimin, prodhimin në çdo metër katror të një vendi. Ne jemi kundër braktisjes së tokave, natyrisht asnjeri nuk pengojmë, por ne do të bëjmë cështë e mundur që shqiptarët të nxjerrin maksimumin  e mundshëm nga tokat e tyre. Përqendrimi ynë në këtë fushë ka dhe një rëndësi tjetër themelore për ekonominë e vendit, për bilancin e pagesave. Faktikisht, sot bujqësia është 17 % kontributore në prodhimin e përgjithshëm të vendit, por përsëri 60 % e nevojave mbulohen nga importet. Para pak vitesh mbuloheshin 90 %, kemi zbritur në 60 % dhe ka potencial të madh të shkojmë drejt ngushtimit progresiv të këtij hendeku. Pardje vizitova në Fushë-Kruje  një pulari ndër më modernet , e cila funksiononte mbi bazën e standardeve më të larta, me të gjitha certifikatat europiane, por aktualisht ne mbulojmë vetëm me 12 % nevojat me mish pule, ndërkohë që ky standard është 30 % në vendet e zhvilluara, në një kohë që në prodhimin e vezëve jemi shumë më mirë, kemi kaluar 1 miliard dhe do të rritet më shumë.

Pra, këto të dhëna janë inkurajuese, janë frymëzuese, por këto të dhëna dëshmojnë se hapsira është e madhe për të vepruar, për të rritur prodhimin. Unë jam shumë i interesuar së bashku me ministrin të dëgjojmë mendimin tuaj, të konsolidojmë një bashkëpunim konstant. Pra i gjithë ky projekt i madh në interesin më të madh të vendit dhe të shqiptarëve ka nevojë jetike udhëheqjen shkencore tuajën.

Ju faleminderit!

-I nderuar zoti kryeministër, ju falënderoj nga ana e stafit akademik të Universitetit Bujqësor të Tiranës. Ne e kemi detyrim ligjor që të marrim pjesë në tryeza të tilla, por në rradhë të parë ne e kemi detyrim moral ndaj jush personalisht për mbështetjen e madhe që i keni bërë Universitetit Bujqësor, në lidhje me infrastrukturën, me laboratorët, me integrimin në projektet madhore kombëtare si ai i ullirit dhe arrorëve dhe prania kaq masive e akademikëve të fushës së bujqësisë, ushqimit dhe blegtorisë e tregon më së miri këtë mirënjohje ndaj jush.

Komenti im i parë ka të bëje me elitën në fushën e bujqësisë, ushqimit dhe blegtorisë. As konkurset në fakultete dhe as matura shtetërore nuk e ka zgjidhur këtë ndarje të drejtë të trurit cilësor të shqiptarëve në të gjitha fushat ekonomike dhe të shoqërisë. Të gjithë të rinjtë tentojnë në degët juridik, ekonomik, mjekësi e farmaci dhe ne jemi dëshmitarë të këtij fakti që në 20 vite në universitetin tonë, nuk është se kanë ardhur kontigjente më të mira. Unë mendoj se këtu duhet një ndërhyrje e politikave të qeverisë që ka të bëjë me fondin e ekselencës. Ka një propozim që fondi i ekselencës duhet të zbresë në nivel të gjimnazeve dhe shkollave të mesme, që do të thotë tu ofrohet kandidatëve studentë, bursa studimi jashtë shtetit në fushën e zooteknisë, veterinarisë, teknologjisë së ushqimit, agronomisë, në mënyrë që në një fazë jo të largët të furnizojmë universitetin me këta akademikë dhe qendra kërkimore, gjithashtu në nivel prefekturash të kemi veterinerë, zooteknikë apo agronomë që kanë mbaruar shkollat jashtë vendit, si në Gjermani, Austri, Itali, etj.

Sugjerim tjetër është që nëpërmjet ligjit dhe vendimeve të posaçme të këshillit të Ministrave, laboratorët e universiteteve të shpallen si laboratorë të referencës kombëtare të akredituara, në mënyrë që sa herë ka probleme të mprehta si rasti i aflatoksinës, analizat të kryhen edhe në laboratorët pranë universiteteve ku me ligj është integruar puna kërkimore. Ky model është model sundues në Evropë dhe SHBA.

Sugjerim tjetër është që nëpërmjet VKM-ve të përcaktohet që figurat profesionale të formuara në UBT dhe në universitetin e Korçës ti imponohen sektorit publik, por dhe atij privat në kuptimin e punësimit të tyre.

Kryeministri Berisha: Unë ju  falënderoj për sygjerimet dhe ju siguroj se fondi i ekselencës ekziston për ato që kanë mbaruar gjimnazet dhe hynë në universitet, por ajo që nuk ekziston dhe duhet ta plotësojmë, është renditja, pra ne japim bursa për studentët që studiojnë në 10 universitet më të mira të botës, në shkencat joteknike. Ndërsa për sa i përket degëve teknike, këto bursa i kemi shtrirë për studentët që studiojnë në 50 universitetet teknike më të mira të botës. Tani duhet të përcaktojmë numrin e universiteteve të fushës dhe ne ju sigurojmë se ne do të përpiqemi ta përparësojmë këtë sektor. Do biem dakort, pasi në shkenca teknike shkuam më gjerë se sa në shkenca të tjera, pra pranuam 50 universitet e para. Por për fakultet e shkencave bujqësore dhe biologjike do të shohim nivelin e renditjes që ti subvencionojmë. Çfarë do të bëjmë ne për ti krijuar fermerit të shkollohet në mënyrë të vazhdueshme? Një fermer serash më tha se djalin e kishte dërguar të mësonte në Itali. Nuk arritëm të rrjetëzojmë një rrjet shkollash bujqësore sa më afër. Unë kam diskutuar me ju zoti rektor këtë çështje dhe  e vlerësoj atë jashtëzakonisht të rëndësishme. Ne kemi ngritur shkolla profesionale dhe  e kanë një aspekt bujqësor, por sërish le të punojmë për të gjetur formën më të përshtatshme të këtyre shkollave, pra ne duhet ta ngremë një sistem të tillë për shkollimin.

Lidhur me kërkesën për laboratorët ne do ta bëjmë këtë, nuk ka asnjë pengesë dhe laboratorët tuaj do të certifikohen si laboratorë reference të pavarur dhe kjo është shumë e rëndësishme. Unë jam i bindur se i keni të gjitha aftësitë dhe kapacitet për të qene të tillë dhe atje ku mungojnë mjetet ne do të financojmë që ti keni.

Lidhur me kërkesën e ngritur nga dekania e fakultetit të teknologjisë ushqimore, unë kam kërkuar që të plotësohet, ka të bëjë me shumë aspekte, psh në qoftë se do të prodhosh verë, duhet të kesh specialistin e prodhimit, teknologun ose në prodhime të tjera në agrobiznes dhe fusha të tjera. Ne përcaktojmë standarde dhe këtë ne mund dhe duhet ta bëjmë.

-Në rradhë të parë dua tu përshëndes dhe tu falënderoj në emër të stafit akademik të universitetit të Korçës dhe të kolegëve që janë këtu të pranishëm. Dua tu falënderoj për ndihmesën dhe mbështetjen e vazhdueshme që na keni dhënë gjatë këtyre 8  viteve në të gjitha implementimet  e teknologjisë, jo vetëm të arsimit të lartë, por edhe të bujqësisë në rrethin e Korçës dhe në universitetin tonë të bujqësisë.

Mendoj se duhet ti kushtojmë më shumë vëmendje këtij grupi specialistësh që nxjerrim sot, më tepër për nivelin cilësor që duhet të kenë, pasi niveli i tyre cilësor nuk është ai i specialistëve të përparshëm dhe kjo është dhe përgjegjësia jonë. Unë gjej rastin tu falënderoj ju për mbështetjen që na keni dhënë për ngritjen e infrastrukturës mësimore në këtë fakultet. Jam i mendimit me atë që ju keni shprehur që shkollat bujqësore duhet të jenë më aktive dhe ne si universitete duhet te jemi më pranë tyre. Unë mendoj që këto shkolla bujqësore mund të vijnë në varësi ose në një lloj lidhje me universitetin, në mënyrë që nxënësit që vijnë nga shkollat bujqësore të jenë pjesë e strukturave për kualifikimin e tyre të vazhduar, ndoshta në shkollat 2 vjeçare pranë universiteteve bujqësore. Ndërkohë fermerët që duan të kualifikohen dhe trajnohen ti kthejmë në universitete dhe fakultet në qendra trajnimi për ta, pasi nuk mund ta bëjë drejtoria  e bujqësisë trajnimin më të mirë të tyre.

-Një kërkesë tjetër është prodhimet e fermerëve shqiptarë të kenë mundësi jo vetëm tregtimi, por edhe përpunimi të tyre prandaj ne duhet të drejtojmë këtë pjesë që na takon për ti orientuar  drejt ndërmarrjeve të përpunimit, por edhe për ti zgjeruar ato.

Gjithashtu duhet gjetur format për mbështetjen financiare dhe inkurajimin e studentëve që studiojnë për bujqësi, si p.sh. në formën e bursave të ndryshme.

Kryeministri Berisha: Ju faleminderit zoti rektor për punën e madhe që keni bërë si dhe për çështjet që parashtruat. Ju siguroj se sistemin e bursave për shkollat e mesme profesionale, ne  e vendosëm. Në qoftë se nuk është shtrirë në shkollat bujqësore , ne do ta shtrijmë atë menjëherë dhe do tu japim bursë të gjithë atyre që vijnë në shkollat profesionale, por ne mund ta shohim çështjen e bursës me përparësi edhe në universitetet për degët  e bujqësisë .

-Për mendimin tim strategjia e zhvillimit rural dhe bujqësor fillon nga  zhvillimi bujqësor dhe kryesorja janë shkollat e mesme bujqësore. Sot ka një boshllëk shumë të madh midis shkollës së mesme bujqësore dhe universitetit. Personalisht mendoj se duhet të ngremë ekipe, duhet të ngremë një bord në rang kombëtar me drejtoritë arsimore të rretheve, me ekipe task forcë. Për këtë duhet dhe një mbështetje financiare  e caktuar. Përsa i përket përgatitjes së specialistëve të rinj, kjo nuk mjafton me kaq. Ajo që në kemi bërë në universitet është masteri profesional. Përveç masterit shkencor, masteri profesional në të gjitha pikat është një  alternativë e kohës sipas kërkesave të tregut të punës. Një problematikë tjetër është shkolla  e doktoraturës, për të cilën kemi një traditë shumë të mirë, por lidhja  e saj me kompanitë, me biznesin është shumë  e pakët. Shumë pak na drejtohen përfaqësuesit e biznesit për ti ndihmuar mbi baza shkencore, prandaj duhet të bëjmë më shumë në këtë aspekt. Ju përmendët projektin e madh të ullirit. Ne me Entin e farave dhe ministrinë e Bujqësisë përfundojmë në fund të këtij muaji certifikimin e fidanëve të ullirit në serën tonë të universitetit. Dhe këto fidanë duhet ti përfitojnë me subvencion fermerët tanë. Duhet ti mëshojmë më shumë prodhimit të materialit tonë autokton vendas.

Përsa i përket bujqësisë organike, në buxhetin e ardhshëm duhet të jetë më shumë se 5 %.

Kryeministri Berisha: Ju falënderoj ju për ndërhyrjen që bëtë. Çështja e shkollimit është një çështje shumë e madhe dhe një çështje që mund ta zgjidhim në qoftë se vendosim format e përshtatshme dhe unë pres shumë kontributin e universiteteve tona, në mënyrë që ti japim një përgjigje. Me këtë ritëm shkollimi në shkollat e mesme, nga viti 2020, Shqipëria ka të njëjtin nivel shkollimi në shkollë të mesme me vendet  e zhvilluar, që do të thotë se duhet të bëjmë më shumë për të shtrirë arsimin e mesëm në fushën e bujqësisë në zonat rurale si dhe kualifikim të vazhdueshëm. Kemi disa fillesa por ne duhet të bëjmë gjithçka për shkollimin  e fermerëve. Shkolla  është vendimtare dhe shumë e rëndësishme në suksesin e tyre. Përsa i përket kolegjit të doktoraturës, unë jam shumë dakord që tua mbështesim me përparësi dhe këtë e kemi në dorë. Edhe agjencinë e kërkimeve shkencore e orientojmë dhe mesa di unë ka treguar një preferencë në projektet e kësaj fushe, por edhe më shumë fonde mund të japim. Është shumë e rëndësishme që siç bëmë me ullirin të arrijmë të bëjmë edhe me kërpudhën, sic bëmë me arrorët të bëjmë edhe me bimët medicinale, me peshkimin dhe me të gjitha.

Për sa përket mbrojtjes së tokës jam shumë dakort me ju, do të bëjmë gjithçka që ajo të mbrohet dhe të sistemohet. Programi për bujqësinë parashikon më së shumti projektin pqër vaditjen dhe kullimin. Ne llogarisim që në këto 4 vite , investimet më të mëdha ti bëjmë në vaditje. Kemi përllogaritur një fond fillestar prej 60 milion euro. Do të fillojmë projektin pilot të vaditjes me presion në Lushnje dhe do ta shtrijmë më pas kudo.

Zoti Kryeministër do të doja të ndaloja tek arsimi profesional. Ndërmjet grupit të studentëve të universitetit tonë në bujqësi e blegtori dhe të gjithë nxënësve të shkollave të mesme profesionale, në ligjin për Arsimin e Lartë janë të pasqyruara edhe diplomat dyvjeçare profesionale. Në këtë kuadër, ne kemi hapur edhe në Lushnje dhe në Gjirokastër diploma dyvjeçare, duke i gjetur pak a shumë rajonet e Shqipërisë që janë të interesuara. Në këtë mënyrë përgatiten specialistë që janë edhe menaxherë të fermave të tyre, por mund të punojnë edhe në ferma të tjera. Mendoj se kjo risi duhet të përhapet më shumë, pasi përveç atyre që e mbyllim me një shkollë profesionale apo vijnë në universitetet tona, kemi edhe një kategori tjetër të ndërmjetshme me diplomë dyvjeçare, me të cilin mund të udhëheqë shumë mirë biznesin e vet, por mund të ndihmojë edhe zhvillime të tjera. Por kjo kërkon edhe një mbështetje nga qeveria, në kuptimin që këta njerëz që dalin me diplomë dyvjeçare të kenë edhe ata vendin e tyre, ta ndjejnë se ky arsim profesional që kanë marrë është i vlefshëm. Së dyti, në këto vite Fakulteti i Mjekësisë Veterinare ka pasur bashkëpunim shumë të mirë me Ministrinë e Bujqësisë, kemi qenë pjesë e ligjeve dhe nismave që ka marrë ministria. Por mendoj që ky bashkëpunim të ecë përpara, kryesisht në fushën e trajnimeve. Po ashtu duhet të forcojmë sektorin e shërbimit veterinar. Ky fuqizim duhet të jetë edhe sasior, d.m.th gjetja e mundësisë për kthimin e inspektorëve veterinarë, edhe cilësor.

Kryeministri Berisha: Jam dakord me ju. Shërbimi veterinar është i domosdoshëm, pasi ka një shtim të numrit të krerëve dhe ka një interes të madhe për to. Shërbimi veterinar duhet t’i përgjigjet në rrafshin cilësor e në të gjitha aspektet, nevojave të mëdha në rritje të sektorit.

Unë jam plotësisht dakord që një bashkërendim shumë i mirë duhet të ekzistojë midis universiteteve dhe qendrave të transferimit të teknologjisë në varësi të Ministrisë së Bujqësisë apo institucionit të kontrollit të sigurisë ushqimore. Mund të bëhet një ndarje pune e shkëlqyer, por asgjë nuk mund ta zëvendësojë rolin e institucioneve akademike në këtë fushë.

Të gjithë janë të kënaqur që kanë ardhur sot në këtë takim, por unë në mënyrë  të veçantë, pasi mbuloj një sektor që në pamje duket i vogël, por jam shumë i kënaqur që nga qeveria vlerësohet i rëndësishëm. Në internet lexova se produktet bio shiten me shpejtësi dhe me oreksin e aparaturave elektronike. Ky potencial ka bërë që politikat europiane e më gjerë ta vënë në fokus. Unë jam i lumtur që mbuloj këtë fushë dhe për të cilën, kryeministri ka dhënë herës pas here mesazhe të forta për këtë. Dhe përshëndes edhe ministrin që e ka kthyer në implementim këtë gjë. Bujqësia bio është e kompletuar nga infrastruktura në vende europiane. Ne kemi një shoqatë dhe jemi para disa vendeve ballkanike, në këtë aspekt. Në vitin 2006 qeveria shqiptare ka akredituar klubin e certifikimit. Ju jap një lajm të mirë se tre javë më parë është regjistruar në klubet europiane. Ne jemi përgatitur edhe për prodhimin vendas dhe për eksport. Në vitin 2008 qeveria filloi subvencionin me 100 euro dhe vitin e kaluar shkoi 550 euro për çdo fermer të certifikuar. Nuk është shumë e madhe, por mendoj se është drejtimi i duhur dhe sinjali është i qartë. Sërish vitin e kaluar u dha një mesazh tjetër shumë i rëndësishëm. Ministria krijoi një buxhet vetëm për rritjen e performancës në edukimin e specialistëve, trajnerëve dhe fermerëve dhe ne kemi bërë një paketë serioze të moduleve të trajnimeve dhe literaturës. Bujqësia bio është potencial i madhe dhe një element mbijetese në ekonominë e tregut. Jo pa qëllim dhjetë vendet më top listë në bujqësinë bio janë vende të vogla, pasi kjo është përshtatje në ekonominë e tregut që thotë nuk eci dot me sasi, por me cilësi. Po jap edhe një lajm të mirë. Muajin e kaluar fituam dy medalje ari dhe një medalje argjendi në Itali, për vajin e ullirit, me juri krejt të ndryshme. Ne kemi kaluar testin europian të kualitetit, por nuk kemi kaluar testin e sasisë e të volumit. Pra, i përmenda këto për të thënë se kemi mundësi të bëjmë njëzet gjëra të mira. Mendoj se duhet të shtohet numri i fermave. Mua nuk më vjen mirë që në rajon nuk kemi fare produkte bio-blegtorale, që është pjesa jonë më atraktive. Së dyti, brenda dy muajsh përfundon ligji i përshtatur me atë të Komunitetit Europian dhe në network-un e Ballkanit, Shqipëria është në radhët e para. Më pëlqeu shumë iniciativa e ekselencës në burimet njerëzore dhe qeveria ka dhënë fonde shtesë. Ju lutem, të ketë para shtesë edhe për ekselencën në produktet bio.

Kryeministri Berisha: Ju falënderoj shumë për mendimet e çmuara që dhatë dhe pasionin që dëshmoni ndaj një fushe shumë të rëndësishme në rrafshin cilësor, por në tërësi, me një potencial shumë të madh. Ferma e fundit që kam vizituar ishte një serë bio dhe pronari i saj zoti Nezha me shumë krenari tha se çdo kilogram e shes jashtë, e eksportoj sipas të gjitha rregullave të produkteve bio. Si ajo serë ne mund të ndërtojmë dhe ju siguroj se do të bëjmë gjithçka për nxitjen gjithnjë e më të madhe të këtij sektori si në prodhimet bujqësore dhe ato blegtorale. Edhe në blegtori ka një potencial shumë të madh, sidomos në zonat e jugut ku është më e zhvilluar, ndaj duhet të përqendrohemi në standarde e kritere e t’i zgjerojmë ato sa më shumë. Sot për sot është i kufizuar, jam i vetëdijshëm. Por mundësitë janë të mëdha dhe nuk është se ka nevojë për shpenzime kaq të mëdha. Në fondin e skemave që financojmë, ne do të përcaktojmë subvencion për fermat bio. Sikundër e vlerësojmë shumë shoqatën. Është jashtëzakonisht i rëndësishëm funksionimi i saj dhe parandalimi i çdo spekulimi dhe garantimi i cilësisë. Dy medaljet e arta që mori prodhuesi i vajit të ullirit extra vergin Musa dhe zonja Shpresa Shkalla ishte një lajm i mirë për të gjithë Shqipërinë. Unë vetë jam i bindur se mbi tokë nuk ka si prodhimet tona, por duhet t’i marketojmë mirë.

Ju falënderoj për ftesën dhe veçanërisht Kryeministrin për mbështetjen që i ka dhënë fakultetit tonë gjatë vizitës së tij, në lidhje me problematikën që ne shtruam, e cila është në proces zgjidhjeje. Dua të ndalem në strategjinë sektoriale dhe pashë se fokusi kryesor i saj janë masat që duhet të zbatojë Shqipëria për anëtarësim në BE, përmes rritjes së shpejtë e të qëndrueshme në politikën e përbashkët bujqësore. Për realizimin e tyre, kuptohet që burimet njerëzore janë faktori më i rëndësishëm i suksesit. Unë do të thosha se janë universitetet që do të mundësojnë, siç edhe mundësojnë, përgatitjen e ekspertëve të rinj. Fakulteti ynë i Bioteknologjisë dhe Ushqimit është relativisht i ri dhe që në fillim ka punuar për përmirësimin e kurrikulës. Ne kemi edhe fokusin e kërkimit shkencor, në përputhje me strategjinë e Ministrisë së Bujqësisë. Problem mbetet punësimi i studentëve, kjo edhe për faktin se edhe operatorët e biznesit ushqimorë nuk i pranojnë sidomos specialistët e nivelit të mesëm dhe të ulët, me pretekstin e nxjerrjes së sekretit jashtë. Në këto kushte, rritja e sigurisë ushqimore që është një ndër konceptet më të rëndësishme e problematike jo vetëm në Shqipëri, por për të gjithë botën, do të ndihmonte futjen e kontrollit të skemës teknologjike që ky produkt të jetë i garantuar që në prodhim. Ndaj fakulteti ynë kërkon futjen e kritereve të licencimit për operatorët e biznesit ushqimor, me kritere të përcaktuara, sepse në vendimin aktual këto kritere nuk janë të specifikuara. Biznesi duhet gjithashtu të nxitet për të nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me universitetet, duke ofruar mjediset e prodhimit për përgatitjen profesionale të ekspertëve të rinj dhe biznesi të kërkojë zgjidhje për çështje teknike pranë dyerve të universiteteve. Njëkohësisht, ne kemi insistuar që laboratorët tanë të bëhen qendra reference dhe të vihen në dispozicion për një numër analizash të caktuara. Sidomos Fakulteti i Bioteknologjisë duhet të jetë gjithashtu pjesë e hartimit të politikave dhe strategjive.

Kryeministri Berisha: Unë i vlerësoj shumë përpjekjet e punën e Fakultetit të Bioteknologjisë Ushqimore dhe rolin thelbësor që ai ka në të gjithë problematikën e produkteve të procesuara bujqësore, blegtorale e më gjerë. Jam plotësisht dakord që të krijohet mundësia që ky fakultet të luajë një rol gjithnjë e më të madh. Të gjitha mangësitë që ekzistojnë në vendimet e qeverisë lidhur me kriteret e standardet e licencimeve, ato mund të plotësohen pa asnjë vështirësi në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë. Sikundër jam plotësisht dakord që laboratorët, katedrat departamentet tuaja të kenë një rol shumë më të rëndësishëm në kontrollin e cilësisë së produkteve ushqimore e të sigurisë ushqimore. Kjo vetëm se rrit shkallën e sigurisë dhe të besimit tek këto produkte. Ndaj pa asnjë lloj xhelozie për mbivendosjet, ne duhet të përpiqemi të zgjerojmë fuqimisht rolin e universiteteve bujqësore dhe fakulteteve të tyre në të gjithë veprimtarinë e kësaj fushe.   

Nuk do ta konsideroja aspak inflacion, nëse do të përsërisja vlerësimin tim më të lartë për mbështetjen që ju dhe qeveria juaj i ka dhënë universitetit tonë,  bujqësisë shqiptare dhe në rastin tim, pylltarisë. Si përfaqësues i Fakultetit të Shkencave Pyjore do të jap opinion për strategjinë kombëtare. Pyjet e kullotat zënë rreth 60- përqind të territorit të vendit dhe popullsia lokale është e lidhur ngushtë me to. Falë vendimit strategjik të qeverisë për transferimin mbi 70 përqind të pyjeve e kullotave tek qeveria vendore ka rritur mundësinë e zhvillimit të fermave rurale dhe në këtë kontekst do të theksoja rëndësinë e veçantë që ka agropylltaria. Një fushë tjetër ku mund të kishte një perspektivë shumë të mirë do të ishte ekoturizmi. Meqë fakulteti ynë mbulon edhe industrinë e drurit, dua të ndalem në të, edhe pse nuk lidhet drejtpërdrejt me bujqësinë. Në vendin tonë veprojnë rreth 1900 firma që operojnë në industrinë e drurit dhe janë të punësuar rreth 50 mijë vetë. Dukë marrë parasysh se punësimi është objektivi madhor i qeverisë tuaj, mendoj se edhe industria e drurit duhet të mbështetet më shumë. Kohët e fundit janë marrë vendime për heqjen e TVSH për inputet bujqësore dhe do të propozoja për t’i dhënë mbështetje edhe kësaj industrie, të shihet nëse mund të hiqet TVSH-ja për makineritë që përdoren në industrinë e drurit. Në strategjinë kombëtare ndërsektoriale për zhvillimin rural e bujqësor një objektiv i rëndësishëm është ruajtja e ekosistemeve që do të fuqizonte shumë më tepër aktivitetit e ekoturizmit. Nëse do të ishte e mundur që mandatin e ardhshëm të shtohej investimi për pyllëzimin, duke e kombinuar edhe me programin e madh që ka qeveria për arrorët.

Kryeministri Berisha: Për vendin, ky është një sektor shumë i rëndësishëm. Jemi në fillimet e përdorimit të një potenciali shumë të madh që kemi në fushën e bimëve aromatike e mjekësore, që zakonisht janë në pyje e kullota, por edhe në fusha. Ne kemi filluar një skemë subvencioni dhe nga 100 hektarë sherebel, të subvencuar në vitin 2007, sot janë 2 mijë hektarë. E vërteta është se mund të shkojmë e duhet ta kemi objektiv të shkojmë tek 8 a 10 mijë hektarë, sepse toka ka plot. Unë e mbështes konceptin tuaj që kullotat të shfrytëzohen gjerësisht për kultivimin e mbrojtjen e bimëve aromatike e medicinale.

Ekoturizmi dhe zhvillimi i tij është shumë i rëndësishëm dhe mundësitë janë të mëdha. Ne kemi një bum të jashtëzakonshëm turistik, por këtë e kemi në zonën bregdetare. Në zonën malore, turizmit është në fazat e tij më fillestare.  Kështu, ne kemi plotësisht mundësi të ecim drejt zhvillimit të tipit ekoturistik, të mbrojmë sistemet ekologjike dhe kjo është e domosdoshme.

Lidhur me industrinë e drurit, ajo është industri rëndësishme, e cila punëson 50 mijë punëtorë. Çdo biznes i çdo natyre do ta ketë pa asnjë tarifë doganore dhe pa TVSH çdo gjë që importon për prodhim dhe që i duhet për prodhimin. Pra, heqja e taksës mbi kapitalin, çdo lloj kapitali qoftë ai, është e plotë, totale, pa përjashtim. Deri tani nuk di të ketë, por ne u bëmë vendi që nuk taton asgjë që nevojitet për nxitjen e prodhimit. Fermerët do t’i blejnë gjithashtu pa TVSH edhe ato që i blejnë në vend, për prodhimin.   

Nisur nga gjendja aktuale në të cilin ndodhet sektori i bujqësinë, i cili ka shumë zhvillim krahasuar me vitet e mëparshme, si dhe duke konsideruar prirjet e zhvillimit në strategjinë kombëtare që e kam parë me vëmendje, mund të evindetoj si sfida dhe mundësi zhvillimi. Kapërcimi i sfidave mendoj se rrit përgjegjësinë për mbështetjen e bizneseve bujqësore me politika zhvillimore. Këtu kam parasysh fermerin, i cili ka madhësi të vogël të fermës dhe e përballon i vetëm forcën e tregut. Kjo ka bërë që të ardhurat nga prodhimi, pjesën më të madhe ta marrë tregtari dhe pjesën më të vogël fermeri që bën të gjithë punën për realizimin e prodhimit. Mendoj se për të përballuar forcën e tregut, të projektohen forma integruese për kooperimin e fermerëve. Mendoj se qeveria në mandatin e ardhshëm të shikojë mundësinë e mbështetjes me politika subvencionuese, për rritjen e kooperimit midis fermerëve.

Kryeministri Berisha: Faleminderit për sugjerimin dhe jam plotësisht dakord me ju se duhet të synohet për njësi prodhimi më të mëdha. Ç’po bëjmë ne? Së pari, në projektin e granteve, mbështetja e kooperimit më të gjerë të fermerëve është një zë i veçantë. Me qeveri të ndryshme, me qeverinë spanjolle e të tjera kemi bashkëpunuat dhe janë krijuar disa kooperativa shumë të suksesshme për prodhimin dhe do të vazhdojmë në këtë drejtim. Fermerët më shtruan problemin e taksës 10 përqind për shitblerjen e tokës. Ne do ta heqim atë dhe këto ditë çojmë në parlament ligjin që transaksioni për tojën bujqësore do të jetë free, nuk do të ketë taksë. Ata u ankuan se kjo po i pengon në zgjerimin e sipërfaqeve, pasi i rëndon në blerje. Unë jua premtova dhe kam biseduar me Ministrinë e Bujqësisë. Të jemi realistë, ajo e bllokonte tregun bujqësor dhe shpresoj që edhe iniciativa e lirë të funksionojë më mirë e të çojë në krijimin e fermave më të mëdha. 

Unë do të kisha një sugjerim në lidhje me Autoritetin Kombëtar të Ushqimit, që është në zinxhirin e mbrojtjes së sigurisë ushqimore e mbrojtjen e konsumatorit, që ky autoritet mjaft i rëndësishëm të ristrukturohet dhe ky ristrukturim mendoj se duhet të përfshijë në një ombrellë të gjithë inspektimin, edhe të bashkive, minibashkive, pra, duke filluar nga qendra deri në pikat e kalimit e kontrollit të kufirit. Kjo do ta unifikonte zinxhirin e komandës, sigurinë e ushqimit dhe komunikimin dhe mundësisht të ishte një autoritet i pavarur.  

E dyta ka të bëjë me një sugjerim me mbrojtjen e shëndetit të kafshëve, ku koncepti i ri konsiston në shëndeti i njerëzve, shëndeti i kafshëve, baras me një shëndet. Qeveria mbështet financiarisht një sërë masash serioze për disa sëmundje si turbekulozi, murtaja, bruceloza etj., për të cilat bëhen vaksinime. Por gama e sëmundjeve të tjera organike, por gjithsesi dëmtuese ndaj blegtorisë, me ulje të numrit të krerëve dhe të prodhimit, mbështeten nga vetë fermeri dhe kjo ka një kosto jo të vogël. Unë do të propozoja të shihet mundësia e heqjes së TVSH-së mbi medikamentet veterinare, preparatet, dizifektantët për mbrojtjen e kafshëve. Tregu i medikamenteve shkon në 4-5 milionë euro në vit dhe ndoshta nuk do të ishte ndonjë dëm në buxhetin e shtetit. Një tjetër sugjerim do ta bëja në lidhje me sektorin e peshkut, që është i fragmentizuar në dy institucione, në Ministrinë e Bujqësisë dhe atë të Mjedisit. Do të ishte më mirë të ishin nën një linjë, pasi mendoj se do të ishte më frutdhënëse, siç ka qenë dikur. Po ashtu mendoj se duhet mbështetur edhe urdhri i mjekut veteriner, që të arrijë nivelin e urdhrit të mjekut human.   

Kryeministri Berisha: Ne e vlerësojmë shumë rolin e këtij funksioni dhe mund të studiohet një mënyrë organizimi i Inspektoratit të Sigurisë Ushqimore. Ka modele që ai varet nga parlamenti. Ne fillimisht e vendosëm nën Ministrinë e Bujqësisë, sepse ekziston edhe ky model dhe donim që  të konsolidohej gjithnjë e më shumë ky institucion. Përsa i përket centralizimit të organizimit të këtij shërbimi, ky është një problem i mundshëm, por vetëm se decentralizimi është një parim që jemi të detyruar ta respektojmë si në shërbimin shëndetësor ndaj njerëzve, ashtu edhe ndaj kafshëve, shëndeti i të cilëve është ngushtësisht i lidhur, siç theksuar edhe ju.

Jam shumë dakord në tërësi për problemin e peshkimit, i cili duhet të jenë i përqendruar në një institucion. Ju siguroj se ne kemi ndërmend të hartojmë një plan kombëtar për këtë degë të rëndësishme dhe të margjinalizuar të ekonomisë sonë. Ajo nuk ka pasur mbështetjen që meriton dhe do t’i rikthemi me të gjithë potencialin, në mënyrë që ta fuqizojmë dhe të shumëfishojmë veprimtarinë në këtë sektor. Ka mbetur një sektor gjysmë jetim, çka është e papranueshme. Unë  kam biseduar dje me Ministrinë e Financave dhe ne do të përcaktojmë një kredi të butë, shumë të madhe, për këtë sektor, sepse nëse do ta zhvillosh diçka duhet ta përparësosh dhe me të do të ripërtërijmë flotën, përpunimin e rasateve, të përpunimit të ujërave dhe të të gjithë mekanizmit të këtij sektori. Ndaj e vlerësoj sugjerimin tuaj, për ta unifikuar në një sektor.

Përsa i përket ilaçeve, qoftë ilaçet për njeriun, qoftë ato për kafshët, absolutisht TVSH-ja nuk është vendosur për të fituar qoftë një qindarkë në buxhet. Por disa nga tregtarët e tyre përdorin 100 mekanizma për të falsifikuar çmimin e vërtetë dhe mjerisht gjejnë partnerë e bashkëpunëtorë edhe në kompanitë ku i blejnë, pasi i ndajnë. Çmimi i barnave është një çmim i kontrolluar. Ka një komision për përcaktimin e çmimit të barnave dhe ai përcaktohet mbi bazën e çmimit që është blerë. Por ne kemi gjetur jo një rast, kur e kanë blerë 100 dhe në dokumente sikur e kanë blerë me 600. Atëherë u detyruam të vendosim TVSH-në si mekanizëm të fortë kontrolli. Këtu lëvizin problemet, sepse bën një kontroll tërësor me vendet e tjera dhe është shumë më i vështirë mashtrimi që bëhet me çmimin e ilaçeve. Kjo është e vetmja arsye, nuk ka asnjë lidhje me të ardhurat në buxhetin e shtetit. Ilaçet, po flas për ato të njerëzve, i merrnin më shtrenjtë se shumë vende të tjera dhe ky mekanizëm po jep normalizimin e çmimit.

Shërbimi i mbrojtjes së bimëve është ndër shërbimet më të mprehta, sepse lidhet jo vetëm me mbrojtjen e prodhimeve bujqësore, por edhe me konsumatorin. Ky shërbim është edhe në një oponencë të përditshme përballë organizmave fitosanitare të BE-së. Ky shërbim është shndërruar në departament të referencës kombëtare dhe si i tillë i dilte detyra e garantimit të zonave që quhen të mbrojtura, nga patogjenët. Në këtë kuadër, ne kemi zonën e Divjakës, zonë që ka kapacitetin e prodhimit të patates edhe për eksport. Sot është bërë e mundur të eksportojmë patatet e para nga kjo zonë. Por jemi përballë një oponence të fortë nga organizmat fitosanitarë ndërkombëtare, nëse kjo zonës është free nga patogjenët apo jo. Është e mundur që e gjithë sipërfaqja në Divjakë të futet në kuadër të zonave të mbrojtura, por duhet një bashkëpunim më i ngushtë me Ministrinë e Bujqësisë, bazuar në një marrëdhënie kontraktuale, që ne të mbulojmë punën monitoruese, që prodhimi në këtë zonë të jetë i vlefshëm për t’u eksportuar. Së dyti, në kuadrin e krijimit të zonave të mbrojtura, duhet të fokusohemi edhe tek kulturat perimore. Në një të ardhme jo të largët, në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë, të krijojmë hartën e zonave të mbrojtura perimore. Gjithashtu, lidhur me fidanët e ullirit. Në Universitetin Bujqësor prodhohen fidanë, bazuar në seleksionim klonal dhe analiza e metoda të determinimit në nivele bashkëkohore, çka garanton qëndrueshmërinë e këtij fidani. Mbase krijimi i mundësinë, për të bërë të mundur lëvizjen e tyre tek fermerët do të jetë një hap pozitiv.

Kryeministri Berisha: Së pari, përgëzoj rektorin dhe ju për punën, pasi ky është një sektor jashtëzakonisht i rëndësishëm. Ju siguroj se ne jemi të gatshëm ta mbështesim fuqimisht me të gjitha laboratorët e çdo gjë për të përmbushur misionin e vet shumë thelbësor. Ministria do të përpiqet të lehtësojë dhe është detyrim ligjor të bëjmë gjithçka, për të krijuar marrëdhëniet më të ngushta midis këtij sektori dhe sektorit të prodhimit në Divjakë, por shtrirë dhe më gjerë. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që fermerët të përfitojnë nga ju, nga të gjitha katedrat e departamentet respektive të universitetit. Në lidhje me serat vendimi i ka dhënë përgjigje, por në qoftë se ka ndonjë mungesë, ne kemi një vendim si t’u jepen fermerëve.

Problemi ynë serioz është edhe zgjerimi i këtyre serave, por edhe serat për shegën e arrorët etj.. Ne po e nxisim prodhimin, por duhet të synojmë fidanët më të mirë. Po ecet për bajamen, arrat, lajthitë. Unë isha në Kodovjat të Gramshit dh kryetari i komunës më tha se një fermer kishte mbjellë 20 hektarë bajame. Shumë pozitive, por ne duhet të bëjmë gjithçka, për të garantuar fidanët e cilësisë më të mirë. Ndaj veprimtarinë e serave duhet të shohim si ta zgjerojmë. Edhe privatin e mirëpresim shumë në këtë fushë, por pse qëndrojmë edhe ne, me një mbështetje, mirë është, pasi edhe tregun e mbajmë me çmime më të arsyeshme.  

Zoti Kryeministër, ju informojmë se brenda 2-3 viteve, ne garantojmë fidanë më shumë se tani, për të gjithë Shqipërinë e Mesme.

Kryeministri Berisha: Jashtëzakonisht e rëndësishme.

Përsa i përket flotës së peshkimit, çështja e taksës së karbonit dhe qarkullimi që rëndon mbi peshkimin, do të kishte një impakt shumë të rëndësishëm në uljen e kostos së prodhimit. Një aspekt i dytë ka të bëjë me zbatimin e bazës ligjore. Janë përgatitur 4 vendime të Këshillit të Ministrave dhe ligji për akuakulturën, por kanë kaluar 8 muaj dhe nuk janë kaluar ende për miratim.

Kryeministri Berisha: Ju falenderoj për ndërhyrjen dhe e ripërsëris qëndrim tim se ne do të hartojmë së bashku një plan kombëtar të peshkimit. Jam i vetëdijshëm për dy problemet e mëdha që shtrove për flotën e peshkimit që është jashtë standardeve. Ne shumë shpejt do të përcaktojmë 20 milionë euro kredi për ringritjen e flotës së sardeleve, të açugeve e flotës tjetër. Natyrisht kredi e butë për të interesuarit, pasi ne nuk ngremë florë, por ne do ta kreditojmë atë. Është rënë dakord që të hapim një linjë të tillë.

Së dyti, jam dakord me ju që duhet riparë çështja e naftës. Na ka penguar shumë spekulimi me naftën, por përsëri edhe ne, në vlerësimin tonë, nuk kemi qenë kaq të saktë. Ne e subvencionojmë, por me prodhim dhe një anije e shekullit të shkuar, nëse e quajmë kështu, me një konsum shumë të madh nafte, në një ditë jo shumë të përshtatshme, mund të lundrojë shumë e shumë orë e të kapë shumë pak peshq. Ndaj, ne do ta shqyrtojmë  edhe këtë standard me përparësi të madhe. Të gjitha këto do të jenë elementë të rëndësishëm të planit kombëtar të peshkimit.

Më mbetet t’ju falënderoj me shumë mirënjohje për mendimet e çmuara që dhatë këtu dhe t’ju siguroj se këto mendime do të mishërohen në ligje, vendime e politika të qeverisë, duke filluar shumë shpejt gjatë këtyre muajve dhe gjatë mandatit të ardhshëm e në vazhdim. Sikundër ju siguroj se interesi ynë për një zhvillim qëndrueshëm rural e të zhvillimit të bujqësisë në të gjithë sektorët e saj mbetet një interes shumë i madh dhe përparësi madhore. Në këtë kontekst, edhe një herë shpreh bindjen se lidershipi juaj, udhëheqja juaj shkencore në të gjitha këto fusha është vendimtare për arritjen e këtij objektivi ambicioz. Ju falenderoj shumë për mendimet e çmuara që dhatë.


04/04/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›