Kryeministri Berisha vlerëson rolin që luan pakica shqiptare në marrëdhëniet Shqipëri- Mali i Zi
Spektri politik shqiptar, pjesë esenciale e progresit dhe integrimit të Malit të Zi
Kryeministri Sali Berisha, gjatë vizitës së tij në Malin e Zi, u takua me kryetarin e Unionit Demokratik Shqiptar, Mehmet Zenka. Berisha vlerësoi rolin dhe progresin që shqiptarët e Malit të Zi kanë arritur gjatë kësaj periudhe si dhe rikonfirmoi angazhimin e qeverisë shqiptare në projektet e rëndësishme te bashkëpunimit ne fushën e infrastrukturës, arsimit, turizmit, etj. Kryeministri tha se këto projekte do t’i shërbejnë rritjes së bashkëpunimit, miqësisë dhe shkëmbimeve tregtare, ekonomike, turistike etj, mes te dy vendeve në tërësi, si dhe konsolidimit të mëtejshëm të lidhjeve të ngushta midis shqiptarëve në të dy vendet në shërbim të interesit më të mirë të tyre dhe forcimit të miqësisë mes vendeve tona. Deputeti Zenka, në emër të shqiptarëve të Malit të Zi, i shprehu Kryeministrit Berisha vlerësimin për kontributin e jashtëzakonshëm të tij personal dhe të qeverisë shqiptare për promovimin e interesave kombëtare të shqiptareve në Mal të Zi dhe kudo që ata jetojnë. Kryeministri Berisha zhvilloi gjithashtu një takim me drejtues të tjerë të partive shqiptare, përkatësisht, z. Mehmet Bardhi, Kryetar i Lidhjes Demokratike në Mal të Zi, z. Vasil Sinishtaj i Koalicionit Shqiptar Perspektiva dhe z. Genci Nimanbegu, Kryetar i Forca e Re Demokratike. Gjatë këtij takimi, drejtuesit e partive shqiptare e njohën kryeministrin Berisha me rolin dhe angazhimin e vazhdueshëm të forcave politike shqiptare në jetën politike të vendit, duke theksuar se përpjekjet e tyre për progresin e shqiptarëve të Malit të Zi nuk do të reshtin asnjëherë. Gjithashtu, ata e njohën Kryeministrin Berisha me disa prej problematikave të ndryshme, në lidhje me avancimin e te drejtave të komunitetit shqiptar, si në infrastrukturë apo arsim, për të cilat u shprehën se është e rëndësishme të gjendet një zgjidhje sa më e drejtë në dobi të qytetarëve shqiptarë.