E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryetarja e Kuvendit takon ekspertët e OSBE/ODIHR, Jessie Pilgrim dhe Richard Lappin

26-01-2012 / Gazeta 55

Topalli: 53 rekomandimet e ODIHR, baza e reformës zgjedhore

Dy ekspertët e OSBE/ODIHR, Jessie Pilgrim dhe Richard Lappin, të cilët po zhvillojnë një vizitë në Shqipëri, për t’i dhënë asistencë teknike Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore, u pritën dje në një takim nga Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Duke falenderuar përfaqësuesit e ODIHR-it për kontributin dhe mbështetjen dhënë Shqipërisë për reformën elektorale, Topalli vlerësoi përfundimet e Raportit e ODIHR, që i cilësoi zgjedhjet e fundit “kompetitive dhe transparente”. “Këto zgjedhje tha Kryetarja e Kuvendit, ishin më transparentet dhe u zhvilluan me një sistem demokratik zgjedhor të propozuar nga  PS e të miratuar me konsensus të plotë nga socialistët e demokratët në Parlament. Po ashtu, opinioni i përbashkët i ODIHR-it dhe  Komisionit të Venecias përbën një dokument ligjor profesional i cili shërben si plan pune në zbatimin e 53 rekomandimeve për zgjedhjet, të cilat janë çështje standardi dhe jo çështje partiake”- u shpreh kryetarja e Kuvendit. Eksperti i ODIHR-it, z. Jessie Pilgrim, një njohës i mirë i çështjeve zgjedhore dhe i proceseve elektorale në vendin tonë tha se “Shqipëria ka një progres shumë evident përsa i përket kuadrit ligjor dhe rritjes së standardeve zgjedhore”. Ekspertët e ODIHR thanë se “jemi maksimalisht të gatshëm për të asistuar në reformën zgjedhore në mënyrë që ajo të përfundojë në kohën e duhur”. Ata shprehën bindjen në cilësinë e lartë të ekspertizës shqiptare. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli dhe ekspertët e ODIHR-it u shprehën optimistë për një reformë zgjedhore cilësore, e cila do të jetë materializim i rekomandimeve të OSBE/ ODIHR-it, e do të miratohet brenda afatit të duhur kohor.
Partitë e vogla, takim me ekspertët e ODIHR/Partitë e vogla jo-parlamentare kanë shprehur qëndrimin e tyre, në lidhje me rishikimin e ligjit elektoral, gjatë takimit me ekspertët që OSBE/ODIHR, që ndodhen në vendin tonë. Krerët e këtyre forcave politike kanë kërkuar nga ekspertët e ODIHR, që të influencojnë tek komisioni i reformës zgjedhore, në mënyrë që të merren parasysh kërkesat e tyre. Ekspertët e Zyrës për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR), ka mbërritur në vendin tonë, me ftesë të Kuvendit, për të diskutuar mbi reformën zgjedhore dhe për të ofruar asistencën për reformën zgjedhore.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›