Zoti Rama, nuk e fsheh dot frikën nga 21 janari me frazat teatrale të letrës!
Panik tek zyra e kryeorganizatorit të puçit të 21 janarit. Sapo hetimi ka nisur të bëhet gjithëpërfshirës, Edi Rama s’e fsheh dot frikën se mos hetimi po i afrohet së vërtetës dhe ka nisur një letër publike, duke bërtitur më shumë se të gjithë për hetimin, njëlloj si fajtori që bërtet, nga sindroma se mos zbulohet
21 janari i një viti më parë ishte një demonstrim i dhunshëm i organizuar me vullnet të plotë politik të lidershipit opozitar, Edi Rama. Reprezalja ishte menduar të prodhonte padyshim produktin final, që mbetej rrëzimi i qeverisë me çdo kusht dhe kjo falë vënies në shërbim të “grushtit të shtetit” të disa prej institucioneve kushtetuese. Protesta u ndoq me vëmendje nga titullarët e institucioneve, të komanduar direkt nga organizatori Edvin Rama. Pra, atëherë kur flitet për zbardhje të 21 janarit nga kjo prokurori që është identifikuar si palë e tentativës për rrëzimin e pushtetit, besueshmëria e hetimeve kthehet në utopi. Ditën e parë të kësaj jave, të hënën, Kryeprokurorja e Republikës, znj.Ina Rama, iu drejtua Kuvendit me një shkresë zyrtare, ku kërkonte heqjen e imunitetit për 3 deputetë socialistë, të dyshuar si organizatorë të dhunës ndaj institucioneve, më 21 janar të 2011-ës. Kërkesa e Prokurorisë u bë në prani të ambasadorit të SHBA-së në Tiranë, z. Aleksandër Arvizu, i cili vetëm pak minuta më pas, do bënte thirrje për hetim gjithëpërfshirës, duke filluar nga organizatorët e dhunës së komanduar ndaj forcave të policisë dhe ndërtesës së Kryeministrisë dhe deri te shkaqet që çuan në vrasjen e 4 protestuesve. Pra, hetim gjithëpërfshirës dhe të paanshëm politikisht. Por, çfarë shkruan zonja Ina Rama, në kërkesën drejtuar Kuvendit, me qëllim bërjen e hetimeve për 21 janarin? Kryeprokurorja shprehet pa pikë dyshimi se nga organizatorët e dhunës duhen hetuar vetëm 3 deputetë të opozitës dhe për këtë qëllim kërkon heqjen e imunitetit. A thua se Taulant Balla, Tom Doshi dhe Besnik Barja organizuan demonstratën me kokë të tyre? Jo! Absolutisht që jo. Dhe këtë e di i madh e i vogël, të paktën të gjithë ata që panë në dritën e diellit, dhunën e 21 janarit të kaluar, e cila kishte si funksion parësor degradimin e rendit dhe sigurisë, rrëzimin e rendit demokratik dhe përshpejtimin e hapave të mëpasëm që do të çonin në rrëzimin zyrtar të qeverisë dhe bërjen de facto të Edi Ramës Kryeministër. Skenaristi i 21 janarit që zbarkoi para ndërtesës së Kryeministrisë kontingjentin kriminal, të kultivuar dhe trajnuar për muaj me radhë në kodra dhe male, si dhe të paguar me shuma që shkonin nga 200 deri në 1 000 euro, s’është pjesë e hetimeve të demonstratës së paprecedentë me kosto të mëdha si për imazhin e vendit ashtu edhe për pasojat që la pas nga dëmtimet e rënda ndaj forcave të policisë si dhe për humbjen e 4 jetëve njerëzore, moralisht duhet të mbajë përgjegjësi, edhe politikisht vlen e njëjta gjë. Vetëm institucioni i akuzës mbetet në pozita statike dhe i palëkundur nga verbëria. Por sidoqoftë frika ekziston dhe është ajo frikë që përgjatë një viti me radhë i ka marrë gjumin e natës skenaristit të dhunës ekstreme. Letra e hapur e Edi Ramës drejtuar titullares së organit të akuzës, të cilës i jepte direktivat e hetimeve se kë duhet të hetojë dhe kë jo; si duhet të procedohet me hetimet ndaj 3 deputetëve socialistë; çfarë qëndrimi duhet të mbajë Prokuroria ndaj kryetarit të opozitës; dhe si duhen komanduar hetimet ndaj pjesëtarëve të gardës, me qëllim riorganizimin e akuzave ndaj qeverisë, tregon qartazi dhe pa asnjë ekuivok varësinë politike të Ina Ramës nga lidershipi i opozitës. Është e kuptueshme se kërkesa e Prokurorisë për hetimin e 3 deputetëve është bërë me miratimin e kryesocialistit. Dhe jo vetëm me miratimin e tij, por madje është ‘këshilluesi’ i urdhrit që i kërkon Kuvendit çlirimin nga mburoja e imunitetit deputetët. Dhe këtë e ka bërë jo pa qëllim, por me vetëdije të plotë në mënyrë që të devijojë sa të mundë mekanizmin e hetimeve nga frika e madhe se përgjegjësia mund të bjerë edhe mbi të. Kjo po që do ishte fatale dhe drejtësia do ia kishte dalë të bënte vërtetë drejtësi. Sidoqoftë, asnjë prej paragrafëve me theksime moraliste apo frazave tragji-komike të letrës së hapur, që ndodhet prej pasdites së djeshme në zyrën e Ina Ramës, nuk e fshehin dot brishtësinë shpirtërore të lidershipit socialist, nga vënia në ballë të drejtësisë si autori numër 1 i “grushtit të shtetit”.