Bob Hand: Edi Rama të mos sillet si prokuror dhe të mos paragjykojë hetimin
Reagimi amerikan - Flet këshilltari politik i Komisionit amerikan të Helsinkit si dhe njohësi 20 vjeçar i çështjeve ballkanike e posaçërisht i atyre shqiptare
Një prej ekspertëve të politikave të Ballkanit, që i ka ndjekur nga afër zhvillimet në Shqipëri, Bob Hand, këshilltar në Komisionin amerikan të Helsinkit, flet për hetimin e ngjarjes së 21 janarit, duke e cilësuar këtë një proces të rëndësishëm, por po aq të rëndësishëm vlerëson edhe paanshmërinë e hetimeve të organit të akuzës. Sipas tij, hetimet e 21 janarit duhet të çohen deri në fund. Këshilltari Bob Hand kritikon retorikën e përdorur nga lidershipi i opozitës Edi Rama, i cili me sulmet ndaj Prokurorisë, po tenton të devijojë hetimet. Për Hand, Rama duhet të heqë dorë nga roli i prokurorit, pasi ai ka përgjegjësi për 21 janarin. “Përsa u përket komenteve të Edi Ramës, ai nuk është prokurori i çështjes. Ai ka të drejtë të shprehë pikëpamjen e tij por mendoj se ai duhet gjithashtu të kuptojë se të jesh në opozitë do të thotë të kesh edhe disa përgjegjësi. Ai është ende një udhëheqës politik, drejton një krah të caktuar në politikën shqiptare që ka përfaqësim në popullatën e vendit. Bashkë me këtë vjen edhe nevoja për një sjellje të përgjegjshme. Jam i kënaqur që ai e mirëpriti vendimin e prokurorisë. Do të shpresoja që veprimet e tij të njohin edhe shkallën në të cilën qeveria po bashkëpunon me këtë hetim, sepse në fakt personat në fjalë u shkarkuan nga detyra që kishin dhe u vunë nën “arrest shtëpie”. Nëse ka diçka konkrete që ai dëshiron të kritikojë, për shembull që hetimi nuk është aq i thellë sa duhet, kjo i takon atij ta bëjë. Por ai nuk duhet të angazhohet në retorikë e të bëjë akuza që mund të çojnë në përfundimin se, nëse hetimet nuk shkojnë në drejtimin që dëshiron ai, atëherë diçka është gabim. Kjo, mendoj se çon në fund të fundit në përjetësimin e gjendjes së tensionuar që është krijuar përsa i përket procesit gjyqësor në Shqipëri”- u shpreh Hand. Këshilltari në Komisionin amerikan të Helsinkit, Bob Hand i është referuar dhe kursit të reformave të Shqipërisë, duke inkurajuar klasën politike që të avancojë me miratimin e ligjeve. Bob Hand shton gjithashtu se në 100 Vjetorin e Pavarësisë, duhet të faktohet si përvjetori i arritjeve të mëdha të Shqipërisë.