Kryeministri Berisha: Ndryshimet ligjore në ligjin “Për urbanistikën” decentralizojnë kompetencat dhe i japin fund praktikave korruptive në trajtimin e pronarëve

Këshilli i Ministrave miratoi sot disa ndryshime në ligjin “Për urbanistikën”. Ndryshimet e reja bëjnë një qartësim e decentralizim të kompetencave të autoriteteve vendore kundrejt territorit që administrojnë.
Duke folur për ndryshimet e reja në këtë ligj, Kryeministri Berisha u shpreh se ato u mundësojnë qeverive vendore që, në kuadër të planeve rregulluese të territorit të tyre, të vendosin për çdo aspekt të tij, pa pasur detyrimin të marrin më parë leje në Këshillin e Rregullimit Kombëtar, përveç objekteve të karakterit kombëtar që mbeten në kompetencë të qeverisë qendrore. Sipas ndryshimeve të reja ligjore, krijohet këshilli teknik konsultativ, i përbërë nga specialistët më të mirë, që do të funksionojë pranë kryetarit të bashkisë për të gjitha problemet urbanistike, përveç pronësisë, që mbetet në kompetencë të Këshillit Bashkiak.
Ndërsa i cilësoi këto ndryshime epokale, Kryeministri theksoi se ato i japin përgjigje edhe një problemi të hasur rëndom më parë, “i turpshëm e korruptim”, të trajtimit në mënyrë të pabarabartë të pronarëve në zonën ku ndërtohet. “Ky ligj i jep fund kësaj praktike dhe secili pronar do të marrë shumën për metra katrorë që ka në atë territor, që i përket nga ndërtimi që bëhet në territorin e tij. Kjo është arritje madhe,” – u shpreh Kryeministri.
Lidhur me këto ndryshime në ligjin “Për urbanistikën”, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Kam kënaqësi t’ju informoj se me ndryshimet në ligjin e urbanistikës, të cilat u bënë të mundura pasi Bashkia e Tiranës në një kohë rekord hartoi e paraqiti planin rregullues të qytetit, plan që paraardhësi i saj nuk e bëri për 11 vjet, edhe pse e premtonte çdo vit, është bërë plotësisht e mundur të shkëputemi nga qëndrimet centraliste, të trashëguara absolutisht që nga koha e diktaturës komuniste. Është koha që qeveritë vendore, të cilat kanë planin rregulluese si kushtetutë të territorit që ato administrojnë, të kenë të gjitha kompetencat të pandikuara aspak nga qeveria qendrore, përveç objekteve të karakterit kombëtar, të cilat ajo është e detyruar t’i dalë zot. Por, për asgjë tjetër, qeveritë vendore nuk do të kenë më nevojë, në prani të planit rregullues, për të marrë leje në Këshillin e Rregullimit Kombëtar, siç ka qenë praktika e gjer sotme.
Me ndryshimet që bëhen sot në ligj kthjellohen edhe disa kompetenca konfuze të ligjit të mëparshëm. Kështu krijohet një këshill teknik, i përbërë nga specialistët më të mirë, që do të funksionojë pranë kryetarit të bashkisë për të gjitha problemet urbanistike, përveçse pronësisë. Çështjet e pronësisë i mbeten ashtu siç e ka Kushtetuta e ligji, parlamentit të qytetit, parlamentit të vendit. Ndërsa çështjet e lejeve, çështjet e zhvillimit të zonave, të gjitha kalojnë në sistemin e ri ku vendos këshilli teknik konsultativ, i cili jep mendim me shkrim, me kryetarin e bashkisë si autoriteti kryesor, të cilin qytetarët e kanë zgjedhur për katër vjet të jetë qytetari i parë i tyre.
Kjo reformë, të cilën do ta quaja epokale dhe për fat të keq e vonuar për shkak të mungesës së planeve rregulluese tërësore, vendos në ligj si parim të pacenueshëm, barazinë e pronarëve në trajtimin e tyre në zonën ku ndërtohet. Me këtë merr fund ajo praktikë që sot e mbyllje ditën i varfër dhe nesër në mëngjes zgjoheshe milioner, ndërsa komshiu yt, për faktin e vetëm se nuk kishte lidhje me eftimët apo shkrelët, mbetej në mjerim. Tani do të shpërblehen në mënyrë të barabartë, absolute, të gjithë pronarët që përfshihen në parcelën e ndërtimit, pavarësisht se ajo do të jetë truall, lulishte, parkim, garazh apo diçka tjetër. Vendosja e këtij parimi përbën një nga arritjet më të mëdha. Ky parim zhduk të gjitha format neveritshme të presionit e korruptimit, të cilat në jo pak raste shtriheshin edhe brenda familjes. Zyrtarë ndër më të lartit kërcënonin me “kokë” familjarët e tyre. Kjo është absolutisht e vërtetë. Tani kanë krijuar parti e thonë do të zgjidhim pronën. Pra, merr fund kjo histori e turpshme, e neveritshme, kur ndërtuese zhvilluesi gjente një kapo dhe ai me thundër u shtypte të drejtat gjithë të tjerëve. Ky ligj i jep fund kësaj praktike dhe secili pronar do të marrë shumën për metra katrorë që ka në atë territor, që i përket nga ndërtimi që bëhet në territorin e tij. Kjo është arritje madhe.”
06/03/2013