Kryeministri Berisha uron mësuesit në ditën e 7 Marsit: Misioni juaj fisnik lartëson çdo ditë e më shumë mendjet dhe zemrat e shqiptarëve drejt horizonteve më të larta të dijes e të progresit.

- Do të bëjmë gjithçka që Shqipëria të vendoset në shinat më të sigurta të dijes. Arsimi është dhe mbetet lokomotiva e zhvillimit të saj.
Nën kujdesin e veçantë të kryeministrit Berisha u zhvillua sot një ceremoni festive në nderim 7 Marsit, ditës së mësuesit, e cila mblodhi në Pallatin e Kongreseve, mësues, pedagogë, nxënës, studentë e prindër. Kryeministri Berisha, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij zonja Liri Berisha mori pjesë në këtë event, gjatë të cilit u takua dhe u përshëndet me shumë të pranishëm, si dhe dëgjoi mësues, prindër e nxënës të shkollave të ndryshme që uruan dhe sollën përvojat nga institucionet ku shërbenin, institucione të cilat çdo ditë e më tepër po fitojnë standarde të reja dhe më bashkëkohore.
Kryeministri kujtoi me mirënjohje dhe nderim, si dhe përcolli një urim nga zemra për të gjithë mësuesit, që lanë gjurmët e para në formimin dhe edukimin e tij dhe nëpërmjet tyre të gjithë mësuesve të Shqipërisë, që me misionin e tyre fisnik lartësojnë çdo ditë e më shumë mendjet dhe zemrat e shqiptarëve, drejt horizonteve të larta të dijes dhe progresit.
Kryeministri premtoi se në 4 vitet që vijnë mësuesi do të jetë sërish në piedestal, do të jetë shtylla kryesore e programit të qeverisë së ardhshme. “Jam sot edhe njëherë për tu zotuar para jush, se investimi i parë dhe më kryesor do të jetë për mësuesit, për nxënësit, për studentët, për shkollat dhe universitet. Do të bëjmë gjithçka që në klasat tuaj, në shkollat tuaja të dispononi teknologjitë më të avancuar që ekzistojnë sot. Do të bëjmë gjithçka që në arsimin tonë parauniversitar të ecim në nivelet më të larta të arsimit botëror, do të bëjmë gjithçka që Shqipëria të vendoset në shinat më të sigurta të dijes. Arsimi është dhe mbetet lokomotiva e zhvillimit të saj.” u shpreh ai.
Në përfundim, kryeministri Berisha dhe të pranishmit ndoqën programin artistik të përgatitur nga nxënësit e shkollës së mesme të Baletit në Tiranë.
Përshëndetja e kryeministrit Berisha drejtuar mësuesve me rastin e 7 Marsit.
“Së pari, unë me një xhest personal dua të përulem me nderimin më të madh para të gjithë atyre zonja dhe zotërinjve, të cilët nga klasa e parë e deri me sot, më mësuan, edukuan dhe ndikuan aq shumë në formimin tim, të fëmijëve të mi, të nipërve dhe mbesave të mia. Por një nderim të madh dhe të veçantë për të gjithë ju, mësueset dhe mësuesit e vendit në këtë sallë, për mësuesit dhe mësueset e gjithë Shqipërisë, pedagogë, edukatorë, asistentë, ju, të cilët me misionin tuaj fisnik lartësoni çdo ditë e më shumë mendjet dhe zemrat e shqiptarëve drejt horizonteve gjithnjë e më të mëdha, e më të larta të dijes e të progresit.
Sot, ne kremtojmë një ditë, e cila është një festë e madhe, është një ditë gëzimi për mendjet, zemrat tona , të fëmijëve tanë. Sot ne kremtojmë ditën e mësuesit, i cili është në krye të përpjekjeve të shoqërisë shqiptare, në krye të përpjekjeve të fëmijëve tanë, të shqiptarëve në tërësi, për një ndryshim gjithnjë e më të madh. Historia e zhvillimit ka faktuar se gjallëria, forca, e një kombi dhe një shoqërie paracaktohet para së gjithash dhe mbi të gjitha nga aftësia e tyre për të ndryshuar.
Në qoftë se hedhim një vështrim rrugës që bëmë në 20 vite liri, ne do të gjejmë se jemi një nga kombet që kemi ndryshuar më shumë në 20 vjet, në tërë historinë e Evropës dhe më gjerë. Ne kemi ndryshuar më shumë se çdo komb tjetër sepse e nisëm rrugën tonë ndër më të varfrit e planetit me 220 dollarë në vit. Sot renditemi në kombet me të ardhura të mesme, të larta, me 9 mijë dollarë të ardhura mesatare në vit. Ne kemi ndryshuar më shumë se çdo komb tjetër sepse në një hark kohor të shkurtër, nga vendi i hiperkolektivizmit total , jemi vendi i iniciativës së lirë, ndër më të zhvilluarat, vendi në të cilin prodhimi i brendshëm në 84 % vjen nga sektori privat. Ne kemi ndryshuar më shumë nga çdo komb tjetër sepse nga vendi i rrethuar me tela me gjemba dhe klone, sot lëvizim të lirë në mbarë Evropën. Ne kemi ndryshuar më shumë nga çdo komb tjetër sepse nga vendi bunker, i izolimit total, sot jemi anëtare të Aleancës së Atlantikut të Veriut. Ne kemi ndryshuar më shumë se çdo komb tjetër sepse në një hark kohor të shkurtër, në fushën e edukimit, ne kemi arritur të kemi sot, në shkollat e mesme, përqindjen më të lartë të nxënëseve që mbarojnë shkollën bazë. Ne kemi ndryshuar më shumë se çdo komb tjetër sepse në një hark kohor të shkurtër, ne ia dolëm të trefishojmë numrin e studentëve, nga 52 mijë, në 162 mijë dhe qëndrojmë pra, në krye, në përqindjen e rekrutimit në shkollat e larta. Ne qëndrojmë pra, më shumë se çdo komb tjetër sepse në një kohë kur interneti në vend kishte përdorimet më të ulëta në botë, ne lancuam programin e madh, Internet në çdo shkollë dhe pas pak vitesh ne deklarojmë se nga 490 shkolla me internet në vitin 2005, sot janë 2000 shkolla me internet, në mbarë vendin.
Sot, nga 900 kompjutera që ekzistonin në vitin 2005, në shkollat tona janë 24 mijë kompjutera. Sot, metodat dixhitale në mësimdhënie po zgjerohen dhe shtrihen gjithnjë e më shumë.
Të dashur mësues e mësuese,
Unë fola për ndryshimin, por ndryshimi më i madh i këtij kombi dhe i këtij vendi jeni ju, gratë dhe burrat fisnikë, të cilët me virtytet, me përkushtimin tuaj, mëkoni tek qytetarët e ardhshëm të vendit, tek fëmijët tanë, vlerat më të mira njerëzore. Me dijet tuaja ndriçoni çdo ditë mendjet e tyre, me virtytet tuaja i formoni ato si qytetarë të një vendi që është për tu dashur, me dijet tuaja ju hapni para tyre horizonte drejtë të cilave duhet të rendim me shpejtësi. Vetëm pak vite më parë, nga kjo sallë ne kemi deklaruar se arsimi për ne është çështja më serioze dhe se reforma e këtij sistemi ne do ta nisim me mësuesin, duke e vendosur atë në piedestalin që meriton.
Në këto vite ne jemi përpjekur të dëshmojmë vlerësimin dhe respektin më të madh për ju. Ne kemi transformuar të tërë shkallaren e rrogave, duke vendosur në përparësi mësuesin dhe mësuesen para të gjithave. Në një hark kohor të shkurtër, ne ia kemi dalë që rrogat tuaja, jo të dyfishohen, por të rriten nga 120 në 140 %. Ne kemi bërë gjithçka, të dashur mësues dhe mësues, që ju të jeni zonja dhe zotërinj, të shkollave moderne, të klasave moderne, që fëmijët tuaj të ulen në banka njëlloj si bashkëmoshatarët e tyre evropianë. Në një përpjekje të jashtëzakonshme ne kemi ndërtuar dhe rindërtuar në këto vite 1302 shkolla dhe ne jemi të vendosur të ndërtojmë dhe rindërtojmë çdo shkollë ,në të katër anët e këtij vendi.
Të dashur mësuese dhe mësues,
Këto 20 vite kanë qenë vitet më serioze, më të rëndësishme të jetës suaj, sepse misioni juaj në të vërtetë apo vlerat e misionit tuaj janë vlerat e të vërtetave të mëdha, të vërtetat të cilat ju keni patur mundësi t’ja u shpalosni nxënësve tuaj me vërtetësinë më të madhe. Këto vite kanë bërë të mundur që ju të mësoni fëmijët tanë me të vërtetat më të arrira të shkencave, të shkencave ekzakte, të shkencave shoqërore, por mbi të gjitha këto kanë qenë vitet, në të cilat ju keni farkëtuar me vendosmërinë më të madhe, vokacionin perëndimor të kombit shqiptar, të fëmijëve të kombit shqiptar.
Gjithçka, në procesin e integrimit të vendit kalon nga ju, nga mendja juaj, nga përkushtimi juaj. Kjo rrugë nuk është një rrugë e thjeshtë, kjo nuk është një rrugë pa pengesa. Sot jemi i vetmi vend që për tre ligje mbetemi prapa dere, mbetemi në vend numëro, por demokracia është për tu mësuar, ndaj dhe ne mbetemi të vendosur, së bashku me ju, së bashku me të gjithë shqiptarët, këto ligje ti votojmë dhe shqiptarët të marrin statusin e tyre.
Të dashur mësues dhe mësues,
Kjo pranverë që vjen është një pranverë përcaktuese, është një pranverë e madhe, është një pranverë e zgjedhjeve parlamentare. Le të bëjmë gjithçka ne, që Shqipëria të ketë zgjedhjet më të qytetëruara. Le të shpalosim në këtë fushatë, vlerat më të arrira të shoqërisë shqiptare. Unë ju garantoj ju, se gjatë viteve që vijnë, ju dhe përsëri ju, do të jeni në epiqendër, do të jeni në piedestal, do të jeni shtylla kryesore e programit të qeverisë së ardhshme. Ne kemi bindjen tonë më të thellë se ndryshimi i Shqipërisë është jetik, është vendimtar për të patur një Shqipëri të zhvilluar dhe në këtë rrugë kemi arritur jo pak, në këtë rrugë ne ulemi krenarë sepse në disa tregues, ndër më kryesorët , të lidhur me qytetarin, të lidhur me fëmijët, të lidhur me nënën, të lidhur me nxënësit, ne jemi krahas vendeve të zhvilluara, por rrugë kemi për të bërë prapë, ngjitje kemi për të bërë përpara, prandaj ne, do të vazhdojmë me ju si faktorë kryesor i ndryshimit. 4 vitet që vijnë do të jenë vitet e Shqipërisë së zhvilluar, Shqipërisë evropiane.
Shqipëria e zhvilluar, Shqipëria evropiane është ëndrra shekullore e shqiptarëve, është projekti më i bukur që shqiptarët kanë ndërtuar në tërë historinë tyre. Është potenciali më i sigurtë për ta ndërtuar atë dhe ne do ta bëjmë atë realitet vitet që vijnë.
Ndaj dhe jam sot edhe njëherë për tu zotuar para jush, se investimi i parë dhe më kryesor do të jetë për mësuesen dhe mësuesit, për nxënësin dhe nxënësen, për studentin dhe studenten, për shkollat, universitet. Do të bëjmë gjithçka që në klasat tuaja, në shkollat tuaja të dispononi teknologjinë më të avancuar që ekzistojnë sot. Do të bëjmë gjithçka që në arsimin tonë parauniversitar të ecim në nivelet më të larta të arsimit botëror, do të bëjmë gjithçka që Shqipëria të vendoset në shinat më të sigurta të dijes. Arsimi është dhe mbetet lokomotiva e zhvillimit të saj.
Gëzuar festën, ju , fëmijëve që ju mësoni, kolegëve tuaj që nuk janë në këtë sallë,
Gëzuar!
07/03/2013