Qeveria miraton vendimin për vlerën e pronës. Kryeministri Berisha: Harta e re bën transparencën e tregun e tokës

Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin hartën e vlerës së pronës. Kryeministri Berisha informoi se vendimi është hartuar me angazhimin e ekspertëve më të mirë europiane dhe mbi parimet e Komisionit Europian. Harta e re e vlerës së pronës bën transparencën e plotë të çmimeve të tregut, i hap rrugën kompensimit fizik përfundimtar të ish pronarëve.
Për këtë vendim, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Është punuar më shumë se gjashtë muaj me ekspertët më të mirë europianë e të vendit për hartën e vlerës së tokës, e cila, për fat të keq, në të gjitha variantet ka qenë jo në vlerat reale. Ajo njohu luhatje ekstreme. Pak vite më parë, para përcaktimit të saj, çmimet e deklaruara të tokës ishin qesharake. Mund të gjeje kontrata me çmim trembëdhjetë euro në qendër të Tiranës. Këto ishin të gjitha deklarime abuzive për të shmangur detyrimin tatimor, siç është edhe çmimi dy dollarë në shpat të Dajtit. Çmimet e mëparshme ishin qesharake. Harta që u bë, caktoi çmime që, për fat të keq, shkonin në ekstremin tjetër. Një studim i hollësishëm gjeti se çmimet ishin në raste të caktuara edhe dhjetë herë më të ulëta, sesa çmimi që caktonte harta në zona dhe se blerja reale. Atëherë, qeveria vendosi të bëjë një studim e angazhoi specialistët më të mirë të Europës, ata që kanë bërë harta jo në një, por në disa vende dhe mbi parimet e Komisionit Europian për vlerat e hartat. Kështu me vendimin që marrim sot, i cili e bën transparent tregun e tokës, dua t’i them të gjithë ish pronarëve se hapet rruga në mënyrë përfundimtare për kompensimin fizik të tyre. Natyrisht, në vlerësimet e reja janë marrë parasysh të gjithë faktorët dhe është hequr dorë nga marrëzia që supozonte se në “x” parcelë të një “x” rajoni, toka vlerësohej sikur aty do të ndërtohej një hotel me pesë yje. Ajo ishte një ëndërr nate, jo dite. Harta e re bën transparencën e plotë të çmimeve të tregut.”
06/03/2013