E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria miraton paketën e re fiskale që heq një seri taksash e tatimesh që synojnë rritjen e prodhimit dhe punësimit

Këshilli i Ministrave miratoi sot një paketë të re reformash fiskale, që synon nxitjen e prodhimit dhe punësimit. Paketa u prezantua në mbledhjen e qeverisë nga Kryeministri Berisha, për të cilën u shpreh se pas suksesit të politikave ekonomike dhe fiskale të qeverisë në ruajtjen e stabilitetin makroekonomik, ruajtjen e rritjes ekonomike, mbajtjen nën kontroll të borxhit e inflacionit, kjo paketë ishte një thirrje e kohës dhe përfshin heqjen e taksave mbi “çdo gjë që shërben për të rritur prodhimin dhe në funksion të tij.”

“Pasi kemi analizuar efektin e gjithanshëm të krizës globale, europiane e rajonale, ne kemi ardhur në përfundimin se në mënyrë që ekonomia shqiptare të rritet, në mënyrë që shqiptarët të punësohen në vendin e tyre, janë jetike ndërhyrjet në dy drejtime themelore. Së pari, të nxitjes së prodhimit nëpërmjet heqjes së çdo takse e tarife për gjithçka i shërben atij direkt. Së dyti, ndërhyrja jonë madhore është në drejtim të krahut të punës,” – u shpreh Kryeministri.

Reforma fiskale përfshin edhe të gjitha mjetet e peshkimit e gjithçka përdoret për  industrinë e tij; të gjitha ushqimet e kimikatet e domosdoshme që përdoren në akuakulturë, si dhe rasatet, pa dëmtuar prodhimin vendas. Kryeministri tha se industria e detit është një pasuri e madhe që do të kthehet në vlera për qytetarët, ndërsa njoftoi se së shpejti hartohet një program kombëtar i detajuar për të mbështetur dhe zhvilluar peshkimin dhe industrinë e detit.  

Kryeministri Berisha theksoi se me heqjen e TVSH-së dhe çdo lloj tarife doganore për makineritë, mjetet, imputet i jepet një nxitje e madhe prodhimit në Shqipëri. Sikundër heqja e tatimit mbi të ardhurat personale prej 10 përqind për pagat deri në 30 mijë lekë, heqja e të gjitha taksave për tre vjet, për ata që punësojnë të rinj janë reforma shumë të rëndësishme për nxitjen e punësimit.

Fjala e Kryeministrit Berisha lidhur me paketën e re të reformave.

“Kjo mbledhje do të mbetet në memorien e mureve të kësaj salle si mbledhja e vendimeve më të rëndësishme për reformat në këtë vend. Pas një debati të gjatë me grupe interesi, me specialistë më të mira të fushave, qeveria vendos sot heqjen e taksave mbi çdo gjë që shërben për të rritur prodhimin dhe në funksion të tij. Në këtë mënyrë, qeveria shqiptare shkon në postulatin e qëndrimit ideal të nxitjes së prodhimit. Ne besojmë se kjo është rruga më e fuqishme për punësimin e qytetarëve shqiptarë.

Me një paketë reformash të viteve 2006-2007 dhe suksesin e tyre, ne ia dolëm ashtu siç pohoi në fillim të janarit, Bordi i Drejtorëve të FMN-së se: Shqipëria arriti me sukses të shmangë rënien ekonomike gjatë këtyre viteve të krizës. Shqipëria, sipas Fondit, do të ishte vendi që do të përballonte pasojat e krizës së euros dhe krizës së borxheve, më mirë se të gjitha vendet e tjera. Ndërsa Zëvendës/presidenti i Bankës Botërore do të shprehej se: Shqipëria është një histori zhvillimi i suksesshëm. Drejtori për rajonin i Bankës Botërore do të thoshte se: Shqipëria është nga më të paktat vende që arriti të mbajë rritje pozitive me 3.3 përqind. Presidenti i BERZH-it u tha shqiptarëve se vitet e fundit, ekonomia shqiptare  ka funksionuar mirë dhe ka përballuar mirë pasojat e krizës financiare e ekonomike të vendeve të zhvilluara. Po kështu, Komisioni Europian ka shprehur vlerësimin e tij të madh për performancën e ekonomisë shqiptare, e cila ka ruajtur stabilitetin makroekonomik, pasi është prekur pak nga kushtet e vështira ekonomike, rajonale e globale. Në qoftë se ekonomia shqiptare arrin të ruajë rritjen ekonomike, arriti të mos bjerë në recesion, arrin të kontrollojë borxhin, të kontrollojë inflacionin, të ruajë stabilitetin makroekonomik, kjo tërësisht dhe kryekëput për shkak të suksesit të reformave që ne ndërmorëm.

Tani, koha thërret për një paketë të re reformash. Pasi kemi analizuar efektin e gjithanshëm të krizës globale, europiane e rajonale, ne kemi ardhur në përfundimin se në mënyrë që ekonomia shqiptare të rritet, në mënyrë që shqiptarët të punësohen në vendin e tyre, janë jetike ndërhyrjet në dy drejtime themelore. Së pari, të nxitjes së prodhimit nëpërmjet heqjes së çdo takse e tarife për gjithçka i shërben atij direkt. Së dyti, ndërhyrja jonë madhore është në drejtim të krahut të punës. Në përputhje me normat e standardet ndërkombëtare, krahu i punës në Shqipëri është fleksibël dhe është një ndër më të kualifikuarit e të leverdishmit, por prapë ka vend për përmirësim. Ndërhyrja që bëmë duke hequr tatimin mbi të ardhurat personale prej 10 përqind për pagat deri në 30 mijë lekë dhe duke marrë përsipër përballimin e të gjitha taksave për tre vjet për punësimin e të rinjve janë reforma shumë të rëndësishme të krahut të punës që do të kenë ndikim të madh në punësim.

Unë e di se fermerët shqiptarë, sipërmarrësit, biznesmenët kanë pritur që disa nga këto vendime të ishin në fuqi, por shtyrja e tyre ka pasur vetëm një arsye, që të pasqyrohen sa më gjerë të gjitha pikëpamjet e të reflektohen të gjithë ndjeshmëritë. Kështu që sot, ne vijmë me listën më të plotë të reformave dhe në rast se ka mbetur ndonjë gjë jashtë saj, në parim, ajo është në listë dhe vendosja në listë është vetëm çështje burokracie. Listës i shtohen edhe të gjitha mjetet e peshkimit e gjithçka përdoret për  industrinë e tij; listës i shtohen të gjitha ushqimet e kimikatet e domosdoshme që përdoren në akuakulturë; listës i shtohen rasatet, pa dëmtuar prodhimin vendas. Këtu duhet të kemi parasysh se ne kemi vendosur për gjithçka që rrit prodhimin, por duke mos dëmtuar prodhimin e brendshëm. Për shembull, përjashtimi i farës së grurit u prit shumë mirë nga fermerët e Lushnjës, sepse ka mundësi të prodhohet në vend, por edhe e prodhuar në vend do të shitet pa TVSH. Pra, çdo gjë në funksion të prodhimit. Duke e kompletuar me heqjet e reja të  TVSH-së dhe çdo lloj tarife doganore për këto makineri, mjete, impute e produkte besoj se i japim një nxitje të madhe prodhimit në Shqipëri.

Lidhur me peshkimin, qeveria do të hartojë së shpejti një plan kombëtar të detajuar, që ka synim rritjen dhe shfrytëzimin e kësaj pasurie të madh të vendit tonë. Dje u zhvillua një konferencë shumë e mirë për industrinë e detit, të cilën do ta quajmë dita e parë e konsultimeve të gjera me të gjitha grupet interesit dhe do të ndërmarrim një nga planet më të suksesshme kombëtare. Faktikisht, aty është një burim pasurie shumë i madh që duhet të shndërrohet në vlera për shqiptarët. Ky do të jetë një nga drejtimet e rëndësishme të punës së qeverisë në katër vitet që vijnë.”


06/03/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›